Ministria e Kulturës prezanton projektligjin, kineastët: S’na kanë pyetur!

Nga Valeria Dedaj

Projektligji “Për artin dhe kulturën” nuk mirëpritet nga artistët. Ministria e Kulturës pohon se është konsultuar me grupet e interesit. Kineastët  e mohojnë këtë dhe kundërshtojnë, që Qendra e Kinematografisë, të kalojë në varësi të MK-së. Çipi dhe Fuga e konsiderojnë këtë rikthim mbrapa. Ndërsa, Ilir Butka shpreh qëndrimin e tij edhe kundër financimit vjetor me 50 % të shpenzimeve të akademisë “Marubi” nga QKK

Projektligji i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës për disa ndryshime “Për artin dhe kulturën”, bëri dje bashkë anëtarët e shoqatave të kinematografisë, por edhe drejtuesin e anëtarët e bordit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Në një diskutim të hapur, në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve diskutuan përreth një orë, pa praninë e medies. Ata ngritën një komision të përbërë prej pesë anëtarësh, ndër ta, Xhevdet Ferri, Sabina Kodra dhe Dritan Huqi, të cilët do të përfaqësojnë kineastët në diskutimet që do të kenë me Ministrinë e Kulturës, por jo vetëm, pasi shprehën mendimin të firmosin edhe një peticion.

Kineastët pretendojnë se shtesat dhe ndryshimet e bëra në këtë projektligj, jo vetëm që janë bërë pa u konsultuar me komunitetin e kinesatëve, por cenojnë rëndë autonomin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, e cila prej mëse dy dekadash funksionon e pavarur nga Ministria e Kulturës.Por, jo vetëm kaq! Përtej këtij projektligji, është duke u diskutuar, që financimi i Akademisë “Marubi” çdo vit deri në 50% të bëhet nga buxheti i QKK. Kjo gjë, sikundër e pranon vet kryetari i QKK-së, Ilir Butka dhe bordi, është kundërshtuar zyrtarisht.

Komuniteti i kineasteve shqiptarë

Pas mbledhjes së anëtarësisë së gjashtë shoqatave kinematografike për të diskutuar lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, si dhe projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për riorganizimin e shkollës së lartë jopublike “Marubi…”.

Ligji “Për kinematografinë”, i hartuar dhe miratuar bazuar në eksperiencat më të mira evropiane, në vitin 1996, ka krijuar skemën më demokratike dhe bashkëkohore të prodhimit të veprave kinematografike, ndaj vlerësohet e papranueshme që sot, në vitin 2018 të bëhen hapa mbrapa dhe të preket themeli i mekanizmit të funksionimit të kinematografisë shqiptare.

Kineastët shqiptarë kundërshtojnë në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare.  Projektvendime të tilla minojnë skemën bazë me të cilën funksionon konkurrimi i lirë dhe përzgjedhja e projekteve – format i miratuar gjerësisht nga kineastët, i cili gëzon mbështetjen e tyre më të gjerë.

Komuniteti i kineastëve shqiptarë shpreh indinjatën legjitime për tentativat e vazhdueshme për të tjetërsuar formën juridike dhe buxhetin e QKK, në favor të interesave dhe të individëve caktuar.

Ministria e Kulturës, hedh poshtë pretendimin e kineastëve

Gazeta “Shekulli” i shkroi Ministrisë së Kulturës për një reagim zyrtar rreth këtyre diskutimeve: 1. Me kë është konsultuar Ministria e Kulturës për shtesa, që janë bërë në Projektligjin për Artin dhe Kulturën (përkatësisht emrat)? 2. Çfarë pretendohet që të ndryshojë fakti, që QKK do të jetë në varësi të Ministrisë së Kulturës, përsa i përket financimeve apo projekteve? 3. Po, përsa i përket faktit, që QKK duhet të financojë 50 për qind të shpenzimeve të Akademisë “Marubi”. Çfarë qëndrimi ka për këtë?

Përgjigja e Ministrisë së Kulturës

-Ky projektligj është konsultuar me grupet e interesit, shoqata edhe kryetar i Qendrës së Kinematografisë.

-Projektligji nuk synon ndryshimin e varësisë institucionale, të institucioneve qendrore të  artit dhe kulturës, por parashikon lehtësira/ thjeshtëzim në procedurat ligjore për realizimin e veprimtarive artistike kulturore që kryhen me ligjin e artit dhe kulturës. Pra QKK dhe AQSHF dhe BK do të përfitojnë, duke qenë edhe pjesë e varësisë nga MK, pasi me projektligjin e ri për artin dhe kulturën u lehtësohen procedurat e projekteve, çka nënkupton funksionim të dyfishtë, do të punojnë edhe me ligjin e kinematografisë, në rastin konkret, edhe me ligjin për artin, d.m.th lehtësohen procedura tenderimi për projektet artistike…  -“Marubi” është në sistemin e arsimit, pra është propozuar nga MAS, Hartimi i mendimeve të MK-së është në proces, duke marrë në konsideratë opinionet dhe argumentimet e QKK-së. (Milena Selimi, këshilltare për Medien dhe Komunikim).

Të tjera

Abissnet