Ministria e Arsimit, detyron prindërit të paguajnë 1000 lekë për mirëmbajtjen e shkollës

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Prindërit dhe mësuesit flasin për pagesën e përvitshme në shkolla. “Është vendosur nga Ministria e Arsimit dhe rojën duhet ta paguajmë nga lekët tona. Një vit që nuk e pagova, nëndrejtoresha ja uli notën vajzës, nga 10 në 7”

Nxënësit në të gjitha shkollat paguajnë një tarifë prej 1000 lekësh, që thuhet se shkojnë për mirëmbajtjen e shkollës dhe pagesën e rojes. Ky është rezultati i një pyetësori që gazeta “Shekulli” realizoi me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Shumë prej tyre nuk e kishin të qartë se ku shkonin këto fonde që grumbullon shkolla, por më të shqetësuar ishin prindërit, të cilët treguan për gazetën “Shekulli” se kjo pagesë nuk është me dëshirë të plotë, si dhe nuk është caktuar nga bordi i shkollës, por nga Ministria e Arsimit.

Kështu thotë Marsida Mema, mësuese në një shkollë në Tiranë, e cila shtoi se shteti paguan vetëm rojën e natës, në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, por si prind që është, ajo kërkon sigurinë e fëmijës dhe duhet ta bëjë këtë pagesë në bashkëpunim me prindërit e tjerë. “Shteti paguan vetëm rojën e natës, roje dite nuk ka kjo shkollë. Unë paguaj 500 lekë, por përsa kohë që shteti nuk e vendos rojën, mua më duhet ta paguaj, pasi dua sigurinë e fëmijës. Unë jam mësuese vetë, jo në këtë shkollë, por e di shumë mirë sesi funksionon dhe pjesa e kontributit.

Ta them në mënyrë të sinqertë, këtë nuk është se e ka vendosur vetë shkolla, që do të thotë është lënë nga Ministria e Arsimit, ku vetë shkolla me bordin e prindërve, duhet të grumbullojë një shumë lekësh që menaxhohet nga bordi i gjithë shkollës”. Ndonëse mësuesit dhe vetë nxënësit kanë krijuar bindjen se kontributi është me dëshirë dhe jo me detyrim, Liliana, prind i një nxënësi në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, rrëfen një rast shumë të ndjeshëm, ku zbulojmë se mësueset përdorin metodat “imponuese” për  të përfshirë të gjithë prindërit në këtë kontribut.

Nëse mungon vetëm një prind në dhënien e këtij fondi, pasojat i vuan fëmija. Liljana, një vit kishte vendosur të mos paguante lekët, për shkak të pamundësisë ekonomike si dhe kishte dyshime tek transparenca e fondit. Ajo tha se pavarësisht faktit, se shkolla i merr lekët me pretendimin për të paguar fotokopjet dhe testet e fëmijëve, ajo serish i paguan nga lekët e saj këto shpenzime. “Vjet vendosem si klasë që të mos paguajmë këtë kontribut. Kryetarja e prindërve e mori këtë vendim në bashkëpunim me ne, pasi ju duken shumë lekë. Ku i çojnë gjithë këto lekë? Pagesa është 1000 lekë për fëmijë, por edhe nëse ke dy fëmijë paguan po këtë shumë.

Meqenëse nuk paguaja, mësuesja e mori me sy të keq fëmijën tim, duke ja ulur notën. Unë nuk isha aspak e kënaqur me këtë rezultat, madje i ushtrova presion vajzës që të studionte më shumë në shtëpi. Unë u çudita, pasi vajzën e kam nxënëse të mirë, ajo kaloj shumë stres, por unë më keq, pasi prej notës 10-të të bjerë fëmija në 7, kjo është katastrofë. Ky rezultat vazhdoi deri për Vit të Ri, derisa mësuesja e anglishtes e kuptoi këtë padrejtësi dhe i tha zyshës që jepte lëndën e vendlindjes: Këtij fëmijë ja paske ngrënë notën!

Ajo e njihte nivelin e vajzës time që në klasë të tretë. Dikur u ndërgjegjësua dhe ajo për gabimin, dhe tha: Kjo është vajzë e mirë dhe mëson. Vjet nuk kam paguar lekët e kontributit, por sivjet vendosa t’i paguaj, sepse nuk mundem që të nervozoj fëmijën tim për 1000 lekë. Ky kontribut ndodh në të gjitha shkollat. Lekët përdoren për rojen, për fotokopje dhe testime. Nuk më duket e drejtë, pasi ka dhe prindër që nuk kanë mundësi që të paguajnë, as unë gjithashtu. Pavarësisht kësaj pagese, fotokopjet dhe testet e provimeve i paguajmë serish me lekët tona.

Para disa vjetësh kemi paguar shumë lekë për perde dhe grila”, tha ajo për “Shekulli”-n. Pas portës së shkollës “Lidhja e Prizrenit”, ishte dhe Themi Dani, që priste mbesën e tij. Ai u shpreh shumë i habitur për këtë kontribut që duhet të japin prindërit, pasi kur kishte qenë mësues në kohën e tij, nuk ndodhte një gjë e tillë dhe këto shpenzime duhet t’i mbulojë shkolla, tha ai. “Unë kam qenë mësues, tani jam në pension, por në kohën time prindërit nuk paguanin lekë, i paguante shkolla. Shteti duhet të paguajë rojën, sepse ai jep fondet. Pastaj, pse paguajmë taksa ne? Nuk më duket normale, nuk ka rregulla”.

Drejtoresha: Lekët shkojnë për pagesën e rojes

Për të kuptuar se ku shkojnë këto kontribute që japin prindërit çdo fillim viti, gazeta “Shekulli” intervistoi drejtoreshën e gjimnazit ”Sami Frashëri”, Teuta Dobi. Ajo tha se kontributi është me dëshirën e prindërve, por nuk është i mjaftueshëm, pasi nga 1.8 milionë që duhet të arrihen në vit, mblidhet vetëm gjysma. Gjithashtu ajo bëri me dije, se ndonjë prind ka treguar interes për të kontribuar dhe në riparime të tjera, si dyer, kur e ka parë që fëmija nuk ka kushte të plota. Nga ana tjetër, Teuta tregoi se, në shkollën e saj janë 3 roje, ku dy prej tyre i paguan shteti, ndërsa rojën për fundjavën që është pushim e paguajnë prindërit me kontributin që japin. Por pagesa e rojës, shpresohet të mos jetë më e nevojshme me përsosjen e sistemit të kamerave në ambientet e shkollës, që Teuta thotë, se është përgjegjësi e bashkisë.

“E kemi në dispozitat normative që komuniteti i prindërve mund të bëjë një dhurim vullnetarë për shkollën sipas mundësive. Sapo fillon shkolla, mbledhim gjithë këshillin e prindërve dhe i themi, që shkolla ka nevojë të bëjë disa plotësime për shërbimin. Kjo do të thotë, që na duhet një roje, sepse nuk duhet ta lëmë shkollën asnjëherë vetëm. Gjithashtu duhen disa riparime shtesë, sepse kjo është një shkollë me dy turne dhe duhen shumë detergjente, pasi ka shumë nxënës. Prindërit, kanë qenë shumë të gatshëm dhe disponojmë dokumente të firmosur nga vetë ata. Kontributi është vendosur nga bordi i vetë shkollës, që të jetë 1000 lekë, se kështu ka qenë gjithmonë. Unë kam vazhduar traditën dhe këto administrohen nga bordi i shkollës, me fatura. Në vend qe të mblidhen 1.6 milionë lekë në vit, nuk arrihet asnjëherë kjo shumë, por diku te 900 mijë lekë në vit. Roja paguhet për sigurinë e shkollës, sepse të shtunën e të dielën shkolla është pushim dhe shteti nuk paguan roje. Shteti paguan dy roje, të tretin për turnin e  natës e paguan shkolla, kjo ndodh në të gjitha gjimnazet. Mesa di unë kjo gjë, ka qenë shqetësim dhe i drejtorisë arsimore dhe kanë folur me bashkinë, duke qenë se e kanë përsosur sistemin e kamerave nëpër shkolla. Madje, te shkolla jonë kanë vendosur një sistem kamerash shumë të mire dhe mund ta menaxhojë bashkia sigurinë e shkollave, që mos të kemi roje fare, por nuk e di si do të bëhet. Kjo punë i takon të ardhmes. Kemi pak problem me dyert, që duhet të jenë pak më të mira dhe prindërit vijnë vetë dhe thonë: Nëse klasa e djalit time e ka të prishur derën, e rregulloj vetë”, tha Teuta për “Shekulli”-n.