
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka raportuar në Komisionin e Ligjeve lidhur me kompetencat për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të drejtat e njeriut. Në përfundim të fjalës së tij, u përfshi në debat me Enkelejd Alibeajn, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka folur me tone kërcënuese ndaj SPAK, ndërsa Manja shpjegoi se nuk është shkelje, por i kërkoi një institucioni të drejtësisë që të bëjë punën.
Ndërsa në raportimin në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Manja foli me statistika duke bërë krahasim mes vitit 2021 me 2020. Këshilli i Ministrave për vitin 2021 i ka rekomanduar organit të prokurorisë përmbushje të rekomandimit për ashpërsimin e masave të sigurimit për veprat penale me natyrë seksuale, gjë që është realizuar pasi janë rritur çështjet e krimeve seksuale në krahasim me vitin 2020.
Një prioritet tjetër është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore në procesin penal. Në Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me zbatimin e rekomandimeve, rezulton se për vitin 2021, numri i çështjeve të përfunduara është 1071 çështje, gjykimi i drejtpërdrejtë ka pësuar rritje të lehtë krahasuar me 2020 ndërsa marrëveshja për pranimin e fajësisë ka pësuar ulje.
Për veprat penale kundër fëmijëve, familjes dhe martesës, për 2021 janë regjistruar 1490 çështje penale. Ka rritje me 126 çështje. Për dhunën në familje, janë regjistruar 1406 çështje penale. Nuk konstatohet ashpërsimi i politikës penale për këtë vepër, pavarësisht ndërhyrjeve në ligj dhe rekomandimeve për 2021. Nga të dhënat e përcjella nga prokuroria e përgjithshme për të miturit në konflikt me ligjin për vitin 2021 janë regjistruar 702 procedime penale me rritje prej 46.4% krahasuar me 2020. Për krimet seksuale, janë regjisturare 158 procedime penale me rritje 13.92% dhe 107 të pandehur krahasuar me vitin 2020. Pra ka rritje të këtyre krimeve. Është përmbushur rekomandimi për ashpërsimin e masave të sigurisë për veprat me natyrë seksuale”, tha Manja.
Për luftën kundër korrupsionit thekson se janë hetuar 1792 çështje penale për veprat penale në fushën e korrupsionit , me një numër total prej 321 personash nën hetim dhe janë marrë të pandehur 169 persona.
“Rastet që dërgohen për gjykim mbeten përsëri të ulëta krahasuar me numrin total prej 556 çështjesh të regjistruara. Rezulton një rritje e numrit të çështjeve për veprat penale në fushën e pastrimit të parave regjistruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme (rreth 5,2 % më tepër) krahasuar me të dhënat e vitit 2020”, tha Manja.
Ndërkohë numrin më të lartë të çështjeve hetim e zë vepra penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” neni 283 Kodit Penal me 1711 çështje në hetim, nga të cilat janë dërguar për gjykim 470 çështje.
Manja thotë se mënyra më efektive për të luftuar kriminalitetin dhe për të kryer hetime cilësore që finalizohen me vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, është bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet agjencive ligjzbatuese të brendshme por edhe ndërkombëtare. Bazuar në informacionin e dërguar nga katër ministritë e linjës merren me zbatimin e rekomandimeve të dhëna për këtë drejtim rezulton që: “Nga numri total i 77 kërkesave, 23 prej tyre, ose 29.87 %, janë kërkesa që kanë të bëjnë me hetime në fushën e “Trafikimit të narkotikëve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, 27 “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”, në formën e bashkëpunimit asaj të “Grupit të strukturuar kriminal””.
Akuzat e Alibeajt
Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj akuzoi kryeministrin Edi Rama si “dhunuesin” kryesor të drejtësisë, pasi sipas tij ka folur me tone kërcënuese ndaj SPAK, duke e “detyruar” të hetojnë kundërshtarët e tij politik. Gjatë fjalës së tij ka kritikuar gjithashtu faktin që rekomandimet e bëra nuk janë plotësuar me përpikmëri nga prokuroritë, ndërsa shtoi se Manja nuk e ka monitoruar punën siç duhet.
“Një koment, ajo që ministri bëri nuk ishte një analizë për përmbushjen e rekomandimeve, por e paraqiti veten si prokuror, duke dhënë statistika dhe duke mbajtur mendim kritik. Një përfaqësues politik, duhet ta frenonte veten dhe të ruante pozicionin e tij politik. Ai duhet të përcjellë se cilat janë fenomenet kriminale që duhen luftuar dhe kur vjen pas 1 viti duket të shohë nëse ato janë “goditur”. Sipas jush sa prej rekomandimeve vjet janë realizuar, sa prej tyre nuk janë realizuar dhe nëse ju rezultojnë disa që nuk janë realizuar cila është arsyeja? E dini pres prokuroriritë nuk i kanë realizuar këto rekomandime?
Në faqe 2 të raportit thuhet se “reforma që qeveria ka marrë, ka objektiv final krijimin e një drejtësie të aftë për të garantuar barazinë, garancinë, duke mbrojtur të drejtat e njeriut. Rekomandimet kanë qenë në këtë drejtimi. Marrjen e masave për garantimin e paanshmërisë dhe shmangies e çdo lloj influence, gjatë kryerjes së hetimit” Fjalë hyjnore, por sa të sinqerta mund të duken këto, në një kohë kur Rama në kongresin e PS , më 9 prill dhe asamblenë më 7 maj, me tone kërcënues dhe urdhërues, i kërkojë SPAK të hetonte kundërshtarët e tij politike. Bie ndesh me fjalës shumë të bukura që keni në raport.
Në faqen 6 të raportit thuhet se në 2021 këshilli i ministrave ka rekomanduar në pikën 6”ndjhekin me përparësi që ndjekim zgjedhjet e lira, duke kryer hetime të shpejta me profesionalizëm, në bashkëpunim me SPAK.” Në faqen 11 thuhet se referuar të dhënave të prokurorisë evidentohet se janë bërë 47 presime penale që prekin zgjedhjet e lira, 7 prej tyre.
Zgjedhjet e 25 prillit u karakterizuan nga shkeljet, e për këto shkelje PD ka depozituar 180 kallëzime penale prej te cilave 150 në prokurori dhe 50 në SPAK, puna e tyre prokurorive ka qenë minimale në drejtim të hetimeve, nxjerrjes së autorëve para gjyqit. Vetëm 14.8% janë dërguar në gjyq.”, u shpreh ai.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se fakti që kryeministri ka kërkuar nga SPAK të bëjë punën, nuk është një ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ai shtoi se mazhoranca e ka provuar jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra se i qëndron “besnike” sistemit të ri të drejtësisë.
“Unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, reforma në drejtësi këtë kishte si qëllim, garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe distancimin e saj nga politika. Ka periudha kur keni qeverisur ju, ka dallim dhe tani që po qeverisin me. Ka pasur një periudhë kohe, kur prokurorë rrinin në paradhoma te kryeministrit, presidentit dhe ministrat. Ky ishte synimi, që çdo pushtet të bëjë detyrën që i ka ngarkuar ligji. Kur vijmë te pavarësia, duhet ta ndajmë me vendimmarrjen dhe performancën institucionale e organeve, nëse do të gjeni një rast kur unë dhe çdo përfaqësues i kësaj mazhorancë ka ndërhyrë në një hetim dhe ka kërkuar te hetohet ky ose ai…T’i kërkosh prokurorisë të japë përgjigjeje ç’bëhet me 4 çështje që i kam regjistruar si vepra penale këtu e 2 vjet, unë besoj se lidhet me përgjegjësitë e ekzekutivit. Unë e konsideroj një thirrje, një kërkesë për performancë. Të kërkosh që një institucion të bëjë detyrën nuk e konsideroj cenim të gjyqësorit. E kemi provuar me vepra dhe jo me fjalë që nuk ndërhymë!”, tha Manja.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply