Ministrat teknikë shkarkojnë nëpunësit, DAP del kundër

Publikuar më 02. 06. 2017 nga Xhensila Demollaj

Nga Isuf Kurtaj

Ditët e fundit ka pasur përplasje në institucione për disa urdhra të ministrave teknikë për shkarkimin e disa punonjësve të administratës, pasi sipas tyre kishin marrë pjesë në fushatë. Ndërkohë që ministrat teknikë dhe gjatë ditës së djeshme kanë pezulluar të tjerë punonjës që kanë marrë pjesë në fushate, drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu duke iu përgjigjur shkarkimeve deklaroi se jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë godinës së punës çdo punonjës i administratës mund të marrë pjesë në fushatë nëse ka dëshirë. Po ashtu dhe kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me largimet, duke thënë se punonjësit janë të lirë të marrin pjesë në fushatë kur janë jashtë orarit të punës.

Shkarkimet në arsim

Pavarësisht reagimeve, dhe gjatë ditës së djeshme ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, kanë vazhduar shkarkimin e zyrtarëve dhe punonjësve pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Ministria e Arsimit, tashmë e drejtuar nga ministrja teknike Mirela Karabina, ka bërë publikë emrat e mësuesve dhe zyrtarëve të Arsimit që dyshohet se janë të përfshirë në fushatë elektorale. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Arsimit sqaron se ndaj personave në fjalë ka informacione që janë aktivizuar në fushatë dhe i ka paralajmëruar se janë nën monitorim për t’u vërtetuar raportimet ndaj tyre. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar përfshirjen e disa drejtuesve e punonjësve arsimorë në fushatën elektorale, duke ushtruar presion në forma të ndryshme tek nxënësit dhe mësuesit dhe mësohet se MAS është duke bërë verifikimet e duhura mbi bazën e përcaktimeve ligjore për personat e poshtëshënuar: Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Kurbin, Majlinda Shalsi- Cara, përgjegjës i Zyrës Arsimore, Gramsh, Xhevit Dermyshi, Përgjegjës i Zyrës Arsimore, Has, Selman Qema, mësuese në gjimnazin “Ibrahim Rrugova” Tiranë, Arjana Metaliaj, mësues në gjimnazin “AsimVokshi”, në Bajram Curri, Afrim Brahaj, përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Bulqizë, BedrieManjani, e cila përveç pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore, ka bërë presion të hapur ndaj mësuesve për përfshirjen e nxënësve në fushatë elektorale gjatë orarit mësimor (10:00 – 13:00). Mësohet se Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë monitorimin e të gjithë institucioneve për të garantuar respektimin e të drejtave politike të nëpunësve civilë si dhe zbatimin e përpiktë të përcaktimeve ligjore.

Shkarkim nga ministri teknik i drejtësisë

Po ashtu dhe ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi ka shkarkuar nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër Mondi Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Ministria e Drejtësisë sqaron përmes një njoftimi për shtyp se shkarkimi erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Mondi Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. “Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Mondi Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal. Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve”, tha Bardhi. Ai nënvizoi më tej se do të jetë i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Takimi

Në kulmin e fushatës elektorale, zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për të diskutuar për një bashkëpunim maksimal në ndjekjen me përparësi dhe hetimin e rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mësohet se Mandija i ka kërkuar që të formalizohet ky bashkëpunim dhe përmes një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Nësohet se gjatë bashkëbisedimit, zv/Kryeministrja nënvizoi rëndësinë e rolit të organit të Prokurorisë, në hetimin e rasteve të përdorimit të  burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për vitin 2017. Ajo i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë specifike që të hetohet në drejtim të rasteve të përdorimit të burimeve të siguruara nga veprimtaritë e paligjshme. Prokurori i Përgjithshëm, shprehu vullnetin dhe angazhim maksimal si dhe është dakordësuar për formalizimin e një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional, shtuan të njëjtat burime. Më parë, zv.kryeministrja ka realizuar takime edhe me  Kryetarin e KQZ-së dhe  Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil me të cilët është rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.

Reagimi

 

DAP: Jashtë orarit çdo punonjës mund të marrë pjesë në fushatë

 

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu deklaroi se jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë godinës së punës çdo punonjës i administratës mund të marrë pjesë në fushatë nëse ka dëshirë. “Të drejtat politike për punonjësit të Administratës Publike fillojnë pas orarit zyrtar dhe jashtë perimetrit të institucioneve të administratës. Kushdo ka të drejtë të plotë dhe të pacenueshme të angazhohet me cilëndo parti politike. Mësuesit janë të lirë. Drejtorët janë të lirë. Por jashtë perimetrit të institucionit dhe jashtë orari zyrtar. Në qartësim të detyrimeve dhe kufizimeve që nëpunësit e administratës kanë gjatë kësaj periudhe zgjedhore, Urdhri i Kryeministrit, i datës 12 maj 2017, ka të parashikuara rregulla të qarta të sjelljes dhe të veprimtarisë për të gjithë titullarët dhe nëpunësit e institucioneve të Administratës Publike, përfshirë edhe shërbimin civil. Bazuar në këtë urdhër: Ndalohet kategorikisht përdorimi i mjeteve, fondeve, materialeve të ndryshme, pronë e Administratës Publike, si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të Administratës Publike të çdo niveli”. Qeveria po përgatit një vendim ku ndër të tjera parashikohet ngritja e një strukture të posaçme që do të monitorojë pjesëmarrjen e administratës në fushatë. “DAP bashkë me strukturat e monitorimit do të ketë në vëmendje çdo shkelje të rregullave dhe çdo presion që do t’u bëhet punonjësve të administratës për pjesëmarrje në aktivitete publike pa dëshirën e tyre”, tha Koçiu. Deklarata e Koçiut erdhi, pasi punonjësit e gjashtë ministrive më të rëndësishme, të cilat drejtohen përkohësisht nga ministrat ‘teknikë’, të propozuar nga Partia Demokratike shkarkuan punonjësit  në Ministrinë e Financave, në të cilën ka nisur edhe një konflikt midis ministres dhe zëvendësministres. Pas urdhrit të ministres së Financave Helga Vukaj, për ndërprerjen e pushimeve vjetore për të gjithë punonjësit, deri në datën 30 Qershor, që të shmangej dalja e tyre në fushatë.