Minatorët e Korçës dalin në protestë, ja çfarë kërkojnë

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Pas protestave të naftëtarëve në Fier, sot kanë nisur të protestojnë edhe minatorët e Korçës, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre.
Minatorët e Korçës protestuan përballë turizmit duke kërkuar miratimin e statusit të minatorit. Ata thonë se marrin pensione qesharake pas gjithë atyre viteve punë në kushte shumë të vështira.
Në protestën e Korçës mësohet se janë rreth 1000 minatorë, të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen kauzës.
Sindikata Rajonale e Minatorëve të Korçës, Pogradecit, Prrenjasit dhe Ersekës i janë drejtuar me një peticion Kryeministrit Rama, kreut të Kuvendit Ruçi dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së Balla ku i kërkojnë miratimin sa më shpejt të statusit të minatorit.
Në mungesë të një zgjidhje, minatorët paralajmëruan përshkallëzim të protestave, duke deklaruar se do të vinë dhe në Tiranë para Kuvendit, duke imituar në këtë mënyrë marshimin në këmbë të naftëtarëve të Ballshit dhe të Fierit.
Ndërkohë mazhoranca qeverisëse ka refuzuar projektligjin për statusin e minatorit, i propozuar nga deputeti Përparim Spahiu.