Milton H. Greene: Ju tregoj Merilin Monronë që nuk njihni (FOTO)

Publikuar më 28. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Monro nga afër edhe pa makiazh. Një thesar i përbërë nga mijëra foto, të shkrepura nga Milton Greene. 284 foto janë botuar në libër, nga Joshua, djali i fotografit, dhe më shumë se gjysma, 154, janë të papublikuara më parë

Miller e cilësonte si femrën më të bukur në të gjithë botën. Dhe për ata që mund të kenë ndonjë dyshim libri i Milton H. Greene, dedikuar ikonës së bukurisë Marilyn Monroe, nuk lë vend për dyshim.

Një fotograf dhe muza e tij. Një sagë e madhe për imazhet e divës nga dikush që e njihte mirë: pra jo vetëm yllin, legjendën, mitin, por edhe gruan. Marylin e parë nga afër. Shumë nga afër, edhe pa makijazh. Një thesar i përbërë nga mijëra foto, të gjitha nga e njëjta dorë.

Janë 284 ato që janë seleksionuar për në libër, dhe më shumë se gjysma, 154, janë të papublikuara më parë. Kimia e dukshme midis asaj dhe Milton Greene, i cili që në moshën 20-vjeçare cilësohej si biri i përzgjedhur i fotografisë me ngjyra, me shkrepjet e tij shpesh engjëllore, gjithmonë në respekt të personazhit, por mbi të gjitha në respekt të gruas, të pozave të saj, të buzëqeshjeve, të shikimeve dhe të gjesteve shpesh provokues e sensual, por gjithmonë të përzierë me pafajësi. Askush më mirë se ai nuk diti të burgos në objektivin e tij “atë ndjeshmërinë e butë, dobësinë e dorëzuar që meshkujt e konsiderojnë, si esencën e vetë feminilitetit” tipike të Marylin, siç e përshkruante Anthony Burgess.

Edhe më shumë se Cecil Beaton dhe Richard Avedon, Green ishte fotografi i yjeve të famshëm: ai fotografoi Liz Taylor, Marlene Dietrich, Sophia Loren, Ava Gardner, por me asnjërën nuk pati një raport kaq të ngushtë, një simbiozë autentike si me Marilyn.

Njohja midis të dyve lind pasi ai duhet ta fotografonte për revistën “Look”. Këtë takim do ta pasojnë 52 sete fotografike aq sa asnjë magjistar i fotografisë nuk mund të mburret se i ka realizuar për një yll të vetëm të atij kalibri: foto të shkrepura për shkak të punës, por edhe për lojë, për kënaqësinë që ishin njohur dhe pëlqyer, atje ku publikja ndërthuret me privatësinë, puna me kohën e lirë, impenjimi me lojën dhe argëtimin.

Edhe foto nudo që “Look” i konsideroi si tepër të guximshme për t’i publikuar: ajo është veshur vetëm me një pallto të zezë, e ulur në dysheme, e gjunjëzuar: erotike si asnjëherë më parë. Fotot në të cilat Marilyn është veshur si vajzë fshati, me fustanin e Jennifer Jones në rolin e Bernadette, një interpretim për Oscar. Apo e veshur si akrobate cirku ndërsa qëndron mbi një elefant gjatë një mbrëmjeje bamirësi në Madison Square Garden, apo si prostitutë rruge në një kopsht veshur me geta rrjetë.

Marilyn, duke pozuar mes jastëkësh orientalë me tre qenush pekinezë, më shumë shtëpiake sesa femme fatale; Marilyn në kalë, ose nudo poshtë çarçafëve të mëndafshtë, apo e veshur në të çarën e një shkëmbi, apo veshur me bluze tenisi në një version ‘buodoir’: tërheqëse në maksimum dhe zotëruese e të gjitha armëve të joshjes, petkave të dhomës, copës së bardhë të mëndafshtë që derdhet në gjoksin nudo, lingerive, çorapeve femërore, ajo që në jetën e përditshme i urrente takat e larta dhe në shtëpi ecte zbathur.

Marylin gjithmonë e kurdoherë marramendëse dhe ironike, ashtu si në imazhet ku ajo shfaqet e përqafuar me statujën në mermerë të zi të një skllavi, e cila duket se merr jetë nga ngrohtësia e atij përqafimi. Fotot i mbërrijnë publikut falë durimit të Joshua Greene, që pas vdekjes së të atit u kujdes ti vendoste në katalog dhe restauronte, duke ruajtur ato imazhe, që ndoshta mund të kishin humbur. Një punë që ka zgjatur më shumë se 20 vjet, për të cilat Greene ka përdorur teknologjitë më moderne digjitale dhe të shtypit, jo pa vështirësi të paparashikuara. Djali i fotografit Milton Greene, Joshua, ishte vetëm 4 vjeç, por kujtimet e tij janë shumë të gjalla. Sot Joshua Greene, është kuratori i librit “The essential Marilyn Monroe” për fotot, si dhe kujtimet historike të asaj familje të pazakontë, që e përfshiu Marilyn Monroe- n në brendësinë e saj pikërisht kur diva ishte në kulmin e karrierës së saj. Mediet e huaja, sjellin në një intervistë punën e gjatë 20-vjeçare, që ai ka bërë për restaurimin e këtyre fotove, të shkrepura nga i ati.

Ka një foto, nga 284 që janë publikuar, me të cilën jeni i afeksionuar në mënyrë të veçantë?

E kam të pamundur të përgjigjem. Janë të gjitha shumë të veçanta. Tregojnë natyrën e vërtetë të Marylin: të gruas, jo të divës. Ndoshta setin e fotove ku ajo luan në mandolinë.

Përse të është dashur kaq shumë kohë për të publikuar librin?

Restaurimi ishte me të vërtetë shumë i komplikuar, fotot ishin pothuajse të shkatërruara dhe kërkonin nga 40 apo 50 orë punë secila. Një punë 20-vjeçare, 5 prej të cilave lidhen me restaurimin e materialit. E megjithatë ishte shumë emocionuese ta shikoje të rikthehej në jetë.

Kujtimet

Edhe ju, si prindërit tuaj, jeni të bindur se Marilyn nuk është vetëvrarë?

Jam shumë i bindur: nuk ishte ai lloj njeriu.

Çfarë kujtimesh keni për 4 vitet që keni jetuar bashkë me të?

Një kujtim idilikë, kemi qenë për të familja që ajo nuk ka pasur kurrë. Në shtëpinë tonë në Connecticut, si dhe në apartamentin në Manhattan, është ndier gjithmonë e mbrojtur, e kuptuar, e përkëdhelur, e dashur. Ishte një grua që të falte qetësi, me një sens të madh humori, i pëlqente të lexonte, si dhe të luante me mua. Unë hidhesha në shtrat dhe ajo më priste për të më gudulisur.

Im atë dhe Merilin Monro

Duhet të mbani mend edhe vitet gjatë të cilave frekuentoi aktorët?

Po. Ai që e çoi tek Lee Strasberg ishte Marlon Brando, me të cilin në atë periudhë kishte një lidhje. Për Marilyn ishte një eksperiencë thelbësore: arriti të tregonte se mund të recitonte edhe pjesë shumë të ndërlikuara. Ishte atje ku babai im e drejtoi.

A është e vërtetë që midis të dyve ka pasur një histori dashurie?

Edhe sikur të ketë ndodhur kështu, duhet të ketë qenë diçka jo shumë e rëndësishme që ka zgjatur pak. Ata ishin mbi të gjitha miq, më shumë se sa ortak.

A është e vërtetë që mamaja jote nuk ka qenë asnjëherë xheloze për këtë raport?

Është shumë e vërtetë. Ajo ishte një modele shumë e bukur. Vetëm 19-vjeçe në atë kohë. Kur u njohën ime më ishte e dashura e Avedonit, i cili gjatë një feste e prezantoi me babin tim. Babai im në atë kohë ishte i martuar me gruan e tij të parë, Evelyn. Pak muaj më vonë babai im u divorcua dhe u martua me Amy-n, ndërsa Avedon u martua me Evelyn.

A është e vërtetë që babai juaj e Marilyn nuk frekuentoheshin më prej xhelozisë së Arthur Miller?

Shiko, ajo çka i interesonte Millerit ishin paratë, të tjerat janë vetëm thashetheme. Ai nuk arrinte të kapërdinte faktin se im atë arrinte t’i siguronte Marilyn-it punë të rëndësishme. Dhe e detyroi të heq dorë.

Përgatiti: Valeria Dedaj