Miliona euro të hedhura për të paralizuar gjykatat

Denisa daka

Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, apo “EURALIUS”, sapo ka bërë zbulimin gjigand e do të na servirë çudinë e radhës. Këta të fundit pritet t’i sugjerojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor një zgjidhje “sui generis” për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, çka sipas tyre do të thotë që KLGJ mund të emërojë së shpejti anëtar të “përkohshëm” të Gjykatës së Lartë . Model i ngjashëm me atë që u sugjerua nga këta të fundit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, në dhjetor 2017. Modeli “Arta Marku” tashmë pritet të sugjerohet edhe për Gjykatën e Lartë, nga ekspertët e EURALIUS sërish. Është i njëjti mision që propozoi dhe “zgjidhjet” për “Reformën në Drejtësi”, ndërsa pas 3 vitesh nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, Shqipëria ka tashmë një sistem drejtësie në kolaps të plotë.

Prej më shumë se një viti Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Gjykata e Lartë gjithashtu, ndërsa gjykatat e apelit mbijetojnë prej disa kohësh me gjyqtarë “borxh” derisa t’u mbarohet “mielli” dhe atyre. Miliona euro të hedhura për të mbërritur në këto rezultate e në këtë paralizë totale, janë e keqja më e vogël që po i ndodh këtij vendi. Ideja e fundit apo “qershia mbi tortë”, i vë kapakun shpikjeve të tyre, ndërsa sugjerimi për plotësimin e vendeve vakant të Gjykatës sê Lartë me anëtarë “të përkohshëm nga gjyqtarë të shkallëve më të ulëta është jo veç sipas meje, një paradoks i vërtetë. Tē gjithë gjyqtarët e shkallëve më të ulëta, kanë ngarkesën e çështjet e tyre në shqyrtim, ndërsa lënia e këtyre çështjeve në mëshirë të fatit, nuk është zgjidhje, por një tjetër dështim në radhë.

Goxha plan e goxha studim..ndërsa sapo u shkarkua dhe kryetarja e gjykatës më të madhe në vend nga ana e KPK-së, largimi i së cilës fut drejtimin e kësaj gjykate në një tjetër ngërç.  Dhjetëra avokatë me përvojë e integritet këtu, nuk shihen si zgjidhje nga Euralius e jo vetëm, ndërsa përjashtimi i kësaj kategorie juristësh të trajnuar ndër vite, po krijon përveçse një precedent dhe një mundësi të humbur për një zgjidhje efikase e dalje nga kjo krizë institucionale. Ne qytetarët e “përkohshëm” a vdekatarët e këtij vendi, s’na mbetet tjetër veç të shohim çudinë e radhës që me siguri do të ndodhë së shpejti. Sesi e sekush do të na e shlyejë këtē dēm tē konsiderueshëm të gjithëve bashkë, koha do ta tregojē. Në hall të madh ështē ky vend, Euralius posaçërisht, duke iu dashur kohë pas kohe të gjejē zgjidhje “pa zgjidhje” për t’ia servirur si shpikje gjeniale të gjithēve, përgjatë kësaj rruge pa krye.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet