Midis malit e detit, fshati Piqeras, sikundër e bëri Perëndia

Fshati me shtëpitë e bardha prej guri, me çatitë e kuqe, me dritaret që vështrojnë nga deti, rrethuar me oborre e plantacione agrumesh, të hapura “me thonj” mbi gurë e shkëmbinj. I mbetur aty në 2000 vitet e ekzistencës së vet

Miho Gjini

Fshati im Piqeras, mbi atë kodrinë të gjelbëruar, midis detit e malit, ngjan përjetësisht si i ankoruar në “Limanin Ajror”, ku kryqëzohen erërat dhe flladet më të magjishme të hapësirës së rruzullit tokësor, si një mbivendosje e perëndishme e natyrës. Dhe, thuajse ashtu mbeti në atë  dymijë-vjeçar të ekzistencës së vet, me shtëpitë e bardha, deri dykatëshe prej guri, me çatitë e kuqe, me dritaret që vështrojnë nga deti, rrethuar me oborre e plantacione të pafundme ullinjsh e agrumesh, të hapura “me thonj” mbi gurë e shkëmbinj, që zbresin valë-valë deri në rërën e detit, ku fshihen plazhet e virgjëra të këtij relievi të pazakontë. Ashtu e pa Piqerasin Pukëvili tek kalonte këtyre anëve, Bajroni, turisti Rene e shumë udhëtarë e vizitorë të huaj që “shkelën “ Piqerasin e nuk mbetën pa u mahnitur, deri tek Peshkopi Ortodoks, që ra këtu në gjunjë, u ngrit në këmbë dhe e bekoi atë me thënien “Paris i Vogël”. Mirëpo këto fjalë, që i kemi thënë e i kanë thënë edhe të tjerë njerëz vizitorë e udhëtarë të rastit, shumë herë të tjera, nuk bëjmë keq që i përsërisim ngaherë. Tek shohim njëfarë indiferentizmi zyrtarësh e pushtetarësh në tatëpjetë të traditës, më së tepërmi kundrejt pamjes, arkitekturës, rrugëve e të zhvillimeve urbane, pa kritere studimore, ashtu të improvizuara prej kujtdo banori apo të ardhuri, ku betonizimet morën revanin e tyre në zhbërjen e kësaj tradite të hershme, ku do të përfshihej fatalisht edhe autori i këtyre radhëve në çaste të vështira të jetës së vet.

Kështu, ajo tabloja piktorike e Vasil Lalos, që më dhuroi dikur miku im piktor, i vëllai i kompozitorit të talentuar Aleksandër Lalo, dhëndër në këtë fshat me vajza të bukura, vështruar nga tabori i “Majës së Hasit” në drejtimin e qendrës se dikurshme të fshatit, që i lidh harmonikisht e kuqja  e ndezur e çative që zbresin në drejtim të detit, nuk është më, po përkundrazi, masivi i shëmtuar i pallateve të vullnetarëve e të burgosurve të Enverit që i bënë në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, duke prishur, jo vetëm pamjen e shkëlqyer, po edhe pjacën e bukur, deri tek Ulliri i Kishës, ku mblidheshin dikur banorët për festat fetare dhe ahengjet e tyre të dasmës e të festave të Shqipërisë së tyre. Po, disa dekada vitesh më përpara akoma u bë nje krim edhe më i shëmtuar: u prish ujësjellësi i lashtë i limanit të vjetër të Bunecit, që niste nga rrëza e malit të Lavanit, përshkonte me ujët e pijshëm gjithë luginën e gjelbër të Bunecit e përfundonte në ish limanin e hershëm të anijeve të vogla, varkave të peshkimit e jahteve të piqerasiotëve që bënin tregti me Korfuzin e me Ulqinin e delnin deri në ishullin e Maltës, ku ktheheshin për të mbushur ujë edhe anije të tonazhit më të madh që lundronin në Mesdhe, midis të cilëve mbahen mend edhe sot e kësaj dite edhe anijet e  Admiralit Rus Ushakov.

E përse? Që të adoptohej limani i ri prej betoni, që të parkoheshin e të ngarkoheshin  anijet e transportit të agrumeve  të Fermës së Lukovës deri në Durrës, Vlorë, Shëngjin që merrnin këndejë (lexo: grabisnin, vajin e ullirit, limonin e portokallin!), kur fshatarët e mi s’kishin asnjë pikë vaj ulliri për t’i hedhur sallatës, ndërsa sulina e ujësjellësit të hekurt u pre i gjithi copa-copa e me to u sajuan shtyllat për  linjën e tensionit të ulët, për t’i “dhënë dritë” fshatit, duke i hequr kështu atij një vlerë historike e për t’i shtuar njerëzve rrezikun që përcjellin shtyllat e hekurta në rastet e tmerrshme të difekteve, që shkaktojnë edhe sot e kësaj dite të njëjtin rrezik (sepse ashtu mbetën për 70 e kusur vite!) Paradoksi tjeter do të ishte edhe më fatkeq: Fshati Piqeras, me ujëra të ëmbëla përreth vetes, mbeti deri në ditët e sotme pa ujin e pijshëm nëpër shtëpi gjatë gjthë jetës ! Banorët qenë të detyruar të mbushnin ujë me bucela te “Kroi i Gjine” (burimi 500 vjeçar që ka mbetur edhe sot , edhe pse gjatë verës hedh sa “shurra e kecit” dhe ka mbetur në mëshirë të fatit, si peshqesh për lopë e gomerë! Dhe tek Burimi i Shtodhërit, më tutje varrezave. Në mos të dy, e vlente që “Kroi i Gjine”, që ka mbajtur me ujë të pijshëm gjithë fshatin, gjatë ekzistencës së vet, të shpallej “Monument Kulture”, qoftë edhe për konstruktin e veçantë të ndërtimit. Gjithsesi, le të pranojmë se Diktatori, që parapëlqente të ndalonte këndej anëve e të çlodhej (sidomos aty ku servilët partiakë i ngritën Lapidarin, pikërisht aty ku vinte bythën e tij!), dha porosinë e çmuar (gjithsesi!) që të shpohej mali në Sasaj e të kishte ujë me bollëk, edhe për të pirë, edhe për të vaditur… Gjë e mirë kjo, me domosdo, për të mos i “ngrëne hakun”! U bë, se s’bëhej ndryshe, po Piqerasi “ujë kishte e ujë s’kishte”, si nëpër përralla.

Me një projekt pa shpenzime të medha, duke mbledhur ujët e burimeve përtejë fshatit që gati shterronin gjatë verës dhe përsëri fshati do te mbeste pa ujë. Kjo nevojë e madhe e jetike, u ndje me përmbysjen e tij , kur fshati u dy-tre fishua me ish vullnetarët e Enverit, me ish të internuarit e Enverit që panë se këtu ishte PARAJSA e, me të ardhur dhe me të tjerë banorë nga krahina të ndryshme të Shqipërise, që ia ditën vlerën “fatit” e bënë shtëpira ku mundën e ku donin vetë, gjatë tranzicionit të stërzgjatur, pa i penguar askush! Nga Udhëheqësit e rinj të Demokracisë Plurealiste (që i madhi Dritëro, ne një çast dëshpërimi, e quajti “Shkërdhatokracia!”) u dha një fond e u bë një tender për të ndërtuar Ujësjellësin e ri dhe ata që e “gëzuan tenderin” bënë sikur e bënë ujësjellësin (nëpër tubacionet e vjetëra!) e nga po ato burime që thaheshin gjatë verës (!?), duke shtuar  brenda fshatit një depo, po për te njëjtat ujëra që mblidheshin dikur këtu dhe ikën! Duke e lënë këtë fshat perëndie rishtazi pa ujë, kur uji i Kalasës  dhe uji i Bunecit derdhen në Det, si karshillëk që banorët e fshatit të jenë përjetësisht të dënuar për ujin e pijshëm! Dhe shpallet paturpësisht se “Piqerasi ka tani 24 orë ujë!”MEDET!  Ndërkohë që banorët e Piqerasit, protestonin vazhdimisht kundër ligjit famëkeq 7501 që i la pa tokën e tyre, sidomos ata ish fshatarë që qenë të detyruar të punonin në qytet për “bukën e gojës”, kur ato u ndanë sipas porosisë së Leninit (“Toka t’u jepet atyre që e punojnë” e jo atyre që e kishin hapur me thonj nëpër brezaret e hershme(!)), si edhe  kundër ndërtimit të një HEC në mesin e plazhit të Bunecit, me të njëjtin ujë, jo vetëm që nuk ua “vërshëlleu” njeri, po i dënuan të rrinë përsëri pa ujë, pa rrugë për të vajtur në plazhin  e tyre, edhe sot e kësaj dite, me një palo rrugë makinash me mijëra gropa(!) e me një plazh të mrekullueshëm, ku nuk lejohen investime as nga pronarët e ligjshëm e as nga biznesmenë e investitorë te huaj, duke e lënë atë, sikundër e ujdisi PERENDIA afro dymijë vjet më pare!

Po koha ecën me rrëmbim. Probleme e fenomene të reja ndodhin e do të ndodhin, veçanërisht nga ata që e duan këtë vend të bekuar nga ZOTI, për të jetuar, qoftë edhe për të ndënjur e pushuar pesë ditë të qeta. Po edhe nga ata që nuk e duan! Fenomeni i parë, ka të bëjë me braktisjen e fshatit nga rinia e forca më e madhe e moshës së aftë për punë, duke krijuar këtu një boshllëk të ndjeshëm e fort të trishtuar, të lënies së gjihëçkaje këtu në “duart e Perëndisë”. Banorët s’kane as tokën e tyre, as tapitë që ëndërronin për të bërë dicka vetë, as ujët që rrjedh tatëpjetë e vete në det e as drita të rregullta. Dhe C’farë ?! Askush nuk po kthehet, edhe pse u kapërcyen tri dekada  të të ikurve të Piqerasit nëpër botë, deri afër Polit të Veriut (Islandë e Kanada)!. U  ndërtua nëpër fshat rrjeti i tensionit të ulët që  70 vjet më parë e ashtu mbeti, i ezauruar në kulm, me po ato dimensione të dikurshme  e me po ato shtylla hekuri të linjës së vjetër. Te kanali vaditës 90 vjeçar që i “ kanë dale zorrët përjashta”, shpuar e çarë në të gjihë linjën e vet , nuk vë më dorë asnjë njeri! (Edhe pse kanë mbetur ende zyra e zyrtarë në Sarandë e në Vlorë, po për këto punë që s’e “çajnë fare b…!” e që doemos edhe paguhen akoma nga shteti!).U shtrinë nëpër fshat tuba llastiku e u vendosën sahate uji, po uji vete e s’vete nëpër shtëpi, edhe pse kanë vendosur një N/punëse që prêt fatura uji!.

Mbetën banorët nëpër çatitë e shtëpive të tyre për të kontrolluar nivelin e ujit nëpër çisternat, me zemër të ngrirë, nëse do t’u dalë tanimë uji edhe për turistët e huaj apo jo! Fenomeni i dytë ka të bëjë me ata pak njerëz që janë kthyer e kanë dëshirën e madhe të ripërtërijne jetën e tyre e jetën e këtij fshati, sukundër e kerkon vetë koha dhe Perëndia e Kremesovës.  Po me se? Në Bunec, lejohen vetëm të bëhen tenda kashte e improvizime sezoni me mushamare e listela dhe me do banakë që vihen sa fillon korriku e çmontohen sa hyn shtatori! Në përkrahje të thirrjeve të qeverive të njëpasnjëshme për të krijuar nëpër fshatrat e Bregut TURIZMIN FAMILJAR, edhe në Piqeras, në fshatin e dy Heronjve, të Antetatorit guximtar Vasil LLaçi e të trimit Mitro Xhani e vizitojnë çdo vit mbi 200 turistë të huaj, të mirëpritur  me fisnikëri prej banorëve nëpër shtëpitë e tyre, në plazhet e tij të virgjëra vijnë të rinj nga vendi përballë tyre dhe ngrejnë çadrat midis shkëmbinjve të anëdetit. 15 familje kanë përshtatur banesat e tyre për të pritur turistët e huaj , të cilët kanë arrdhur e kanë ikur fort të kënaqur, me magjinë e fshatit, me plazhet e virgjëra, me fisnikërine e bujarine  e mikëpritësve piqerasiotë, të cilët janë gjithmonë të trëmbur se do të ngelen pa ujë e pa drita dhe do të turpërohen.  E ca më keq akoma, se nuk ka asnjë dritë jeshile, që të bëhet këtu një ujësjellës modern, një linjë elektrike e sigurt dhe me rrjetin e brendshëm shpërndarës, me kapacitet të plotë e pa rreziqe, si edhe të ketë një rrugë të shtruar për në plazhin e Bunecit. Aman, o PERENDI!

E gjithë kjo tablo e trishtuar e fshatin tim, nga më piktoreskët e Bregut të Poshtëm të Rivierës sonë, m’u shtua tek ndiqja në pragun e  Sezonit Turistik një emision televiziv , ku emri i PIQERASIT as që përmëndej fare, le pastaj te inkuadrohej në listën e 100 fshatrave turistike, tek të cilët do të investohet për të pritur turistët e huaj. Këtu kanë “investuar” Shekujt e Shën Maria e Kremesovës. Dhe është fshati ku kultura midis qytetit e fshatit është si ajo gërshëra që krijon mbylljen e vet! Dhe janë po këta banorë që ikën prej këndej me kaike nëpër det, në vitin 1743, me ikonën e Shen Marisë së Kremesovës dhe midis Romës e Peskarës krijuan fshatin VILLA BADESA dhe, pak vite me vonë, në krahinën e Peloponezit në Greqi që vajtën aty për të themeluar fshatin Neo Pikerni.  Ky i fundit është zhdukur nga sëmundja fatale e kolerës, po fshatarët piqerasiotë të Villa Badesës vijnë shpesh këtu, në fshatin e origjinës e derdhin lot ngashërimi, ashtu sikundër vemi edhe ne midis tyre. Gjithsesi një Shesh i RI zbukuron tani fshatin  tonë, ku  sikur ka marrë vetë njëfarë gjallërimi  me ato 5 Mini Markete , me ato dy-tri Taverna që funksionojnë gjatë muajve të verës prej Andon Laskës (“Taverna Victoria”), prej Emiljano Bitrit përbri saj e prej Nikolin Laskës ne Bunec, pa përmëndur edhe lokalet  e ditës e të natës në teritorin e Plazhit të Bunecit , apo tri Hotelet  e Luginës se Bunecit dhe dy restaurntet po aty, në krye të lugines piktoreske..

Për të mos “i ngrënë hakun” edhe Hyso Velës nga Tepelena, “stërnipi i Ali Pashait” që erdhi këtu i pari e ngriti lokal -Hotelin e vet në hyrje të Piqerasit. Jata është rikthyer edhe këtu, më në fund, nga vetë banoret, nga disa  syresh që u kthyen të brengosur e me dëshirën për të bërë diçka më shumë për fshatin e tyre, që sapo është zgjuar nga “gjumi letargjik”. Perëndia është me ne. Se këtu është qendra e PARAJSËS. “Po përse mbetëm kaq të varfër, dreqi ta marrë,-pyes unë mikun tim, Inginer Gjeologun Aleks Vranai, bashkëfshatar e moshatar me mua, që ka ardhur të pijë një gotë raki me mua, me fabulistin Gjivogli, me Doktor Aristidhin e Kryeplakun e urtë Niko Nini. -Mbete tërë jetën tënde, o njeri, nëpër malet e Mirditës, deri në Kurbneshin e Spaçin e tmerrshëm, zbuluat bakrin, kromin e piritin. Nxorën gjithë atë ar prej tyre, arin që”fluturoi s’dihet se ku!?” dhe përsëri mbetëm po aq të varfër, sikundër na bëri e na la Perëndia! Dhe Aleksi 85-vjecar më vështron i trishtuar e nuk di ç’te thotë!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet