Meta i përgjigjet Thaçit për pajisjen me pasaportë shqiptare: S’e zgjidh problemin e Kosovës

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Elidona Syla

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka komentuar kërkesën e homologut të tij Hashim Thaçi, për të pajisur me pasaporta shqiptare qytetarët kosovarë.

Gjatë një interviste për “Radio Televizionin e Kosovës”, Meta pohoi se kushtëzimi i qytetarëve kosovarë është jo i drejtë. “Kërkesën e Thaçit për pasaportat e vlerësoj si një protestë në emër të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Kushtëzim jo i drejtë dhe racional i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çështjet e demarkacionit. Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizove. S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot. Kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës”, tha presidenti.

Meta theksoi se marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. “Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë”, pohoi presidenti.