Meta sulmon Ramën: Kush pi doping kujton se është i fortë

Publikuar më 07. 06. 2017 nga Dionis Xhafa

Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë Ilir Meta ka mbajtur një fjalim në Berat, ku LSI është duke mbajtur fushatë elektorale.

Meta u shpreh nga qyteti jugor se LSI do të dalë forcë e parë politike në vend. Ai ka shtuar se liderët si Rama e Basha janë të ç’ekulibruar. Për Metën, LSI është parti socialiste por që nuk ka oligarkë. “LSI do të dalë forcë e parë politike në vend. Me LSI janë rinia, që është zemra e kombit. Ne kemi vizionin e respektit ndaj më të dobëtit, të kujdesit ndaj më të varfrit, në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë. Në familjet tona janë shtuar brengat nga ikja e të rinjve jashtë shtetit. LSI ka një politikë për të punësuar shumë të rinj. Shteti është duke treguar muskujt me të varfrit dhe se shteti është kapur nga oligarkët, trafikantët e drogës”, u shpreh Meta. Ai ka shtuar se vizioni i LSI është mbajtja e fjalës.

Meta ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit në detyrë Edi Rama, duke hedhur dyshime se ai përdor substanca të ndaluara. “Kush pi doping kujton se është i fortë. Mirëpo, zgjedhjet do të tregojnë tjetër rezultat. Rama dhe Basha mirë bënë që krijuan koalicion, por se ata janë si dy pika uji, prandaj shqiptarët nuk do të zgjedhin as njërin as tjetrin, por LSI-në”, u shpreh më tej presidenti i zgjedhur.

Ilir Meta ka lëshuar akuza edhe për Blendi Klosin, që renditet i pari në listën e kandidatëve për deputetë të PS në Berat. Sipas Metës, Rama ka vendosur të parin në listë një kumarxhi.

/D.Xh/