Meta, mbi ndarjen nga jeta të Rexhep Çelikut: I papërsëritshëm, emblemë e valles dhe traditës

Publikuar më 12. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Presidenti Ilir Meta ka shprehur dhimbjen e thellë dhe vlerësimin më të lartë, për mjeshtrin e valles shqiptare, Rexhep Çelikun.

Emblema e Ansamblit popullor ndërroi jetë sot, vetëm 4 ditë pasi Meta e dekoroi “Nderi i Kombit”.

Meta shkruan sot në rrjetet sociale këto radhë:

Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme.