Meta flet për herë të parë: Ja përse i dhashë shtetësinë shqiptare Janullatosit

Publikuar më 25. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë rreth arsyeve që e shtynë t’i jepte shtetësinë kryepeshkopit Janullatos.

Deklaratat e kreut të shtetit për mediat u bënë sot, pas urimeve me rastin e ditës së lindjes së Krishtit.

“Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Fortlumturia e tij me shprehjen si ‘puna e verës’. Ky është një moment shumë pozitiv i shprehjes së mirënjohjes. Kjo është një vepër të madhe që e ka krijuar me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm duke ngritur nga hiri, Kishën Ordodokse Autoqefale të Shqipërisë me një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Shikoni Katedralen përballë, që nuk ekzistonte. Janë investimi i tij, frymëzimi i tij për të krijuar vlera të shkëlqyera”- tha Meta.

“I pyetur nëse dhënia e shtetësisë vjen pas deklaratës së vetë Janullatosit se pasardhësi i tij do të jetë një shqiptar, Meta u përgjigj: “Dua të theksoj se lidershipi i tij në krye të kësaj kishe ka qenë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për Kishën Autoqefale të Shqipërisë duke e afirmuar në gjithë botën ortodokse, por duke e promovuar Shqipërinë si një vend me vlera të harmonisë fetare. Fortlumturia e tij gjithnjë ka predikuar për harmoni. Kjo lidhet me veprën e tij dhe sikurse u shpreh se vera sado më e vjetër të jetë aq më shumë ka, ashtu edhe aq sa më shumë vite të kalojnë nga sot, aq më shumë do të rritet vlera e tij në funksion të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare”.