Meta: Çdo goditje ndaj medias, është sulm ndaj demokracisë

Presidenti Ilir Meta është i shqetësuar për ligjin antishpifje të propozuar nga qeveria shqiptare. Edhe pse ligji është depozituar në Kuvend, Kreu i shtetit i kërkon Edi Ramës që të shqyrtojë të gjitha sugjerimet e gazetarëve, pasi sipas tij sulmet ndaj këtij komuniteti kërcënojnë lirinë e medias

Erjon Dervishi

Përkeqësimi i indeksit të lirisë së medias, sipas Metës janë një kërcënim serioz për demokracinë e vendit. Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pamundur, e mbyll shkrimin në facebook Presidenti i Republikës. Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë po kundërshtojnë me forcë projektin e qeverisë për shpifjen. Kritikat kryesore lidhen me atributet e reja të Autoritetit të mediave audiovizive, që merr rolin e gjykatës. Ndryshimet e propozuara nga qeveria parashikojnë që mediat online në rast shkelje mund t’i drejtohen gjykatës, vetëm pasi të kenë paguar gjobën e vendosur nga Këshilli i ankesave në AMA. Për portalet me burime të kufizuara financiare kjo do të thotë mbyllje e tyre pasi edhe ankimimi në gjykatë, për një vendim në favor të tyre, është një rrugë e gjatë, nisur nga mbingarkesa e Gjykatave administrative. Referuar Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Meta tha se zbritja me 7 vende, kjo sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”; raporti i “Freedom House”, Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale, raporti paraprak i OSBE/ODIHR janë kambana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri. Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenoje fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas. “Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pamundur.” Qeveria pas shumë debatesh ka dërguar në Kuvend draftin antishpifje që parashikon ndërhyrje në tre ligje dhe në një vendim të këshillit të ministrave. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar në bisedime janë përfshirë disa organizata mediatike, Autoriteti i mediave audiovizive, ai i komunikimeve elektronike, dhe përfaqësues të OSBE. Qeveria është tërhequr disa herë nga draftet e saj duke i ripunuar, por edhe drafti final e ka lënë të pakënaqur përfaqësinë mediatike. Autoritetet thonë se kjo nisëm synon të vendosë rregull në hapësirën online dhe nuk ndërhyn në median tradicionale.

Reagim i Presidentit të Republikës Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po ndjek me shumë vëmendje shqetësimet e thella të shprehura nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë, lidhur me nismën ligjore “anti-shpifje” të propozuar nga qeveria. Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë. Presidenti Meta shpreh bindjen se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend. Presidenti Meta thekson se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike. Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”; Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë; Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale sipas të cilave “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”; Raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”; Janë kambana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri. Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas. Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pamundur.

Caka: Hapësira online po konsumon shumë nga jeta e qytetarëve

“Kjo vjen edhe si tendencë ndërkombëtare. Përgjithësisht hapësira online po konsumon shumë nga jeta e qytetarëve dhe është e rëndësishme që siç ata mbrohen në jetën e përditshme të mbrohen dhe nga hapësira online”, shpjegon Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë. “Vetëm nëse portali refuzon ta heqë materialin që bazohet në fakte të paqena, atëherë individi ka të drejtën të shkojë tek AMA. Dhe AMA sërish e fton portalin ose subjektin tjetër mediatik, që të paraqesë argumentet e kundërta duke i lënë 48 orë kohë. Është munduar ligji të krijojë atë që konsiderohet kontradiktoritet mbi faktet”-shpjegon Fjoralba Caka, Zv Ministre e Drejtësisë. Qeveria ka hartuar disa variante të draftit antishpifje dhe në asnjë rast nuk ka marrë miratimin final të komunitetit të gazetarëve të BE, dhe OSBE. Edhe variant i ripunuar i saj që është dërguar në Kuvend ka ngjallur sërish shqetësime. OSBE shprehu rezerva që projektligji i jep rolin e gjykatave agjencive rregulluese AMA dhe AKEP.

AMA

Përfaqësuesit e shoqatave të mediave vërejnë me shqetësim në draftin e qeverisë faktin se gjoba paguhet pas vendimit të këshillit të ankesave në AMA dhe më pas mund ta ankimosh atë në gjykatë. Për ta kjo do të thotë mbyllje e portalit, kur dihet tashmë se dhe rruga drejt vendimit final në gjykatë është e gjatë. E megjithatë autoritetet mendojnë se reforma në drejtësi do të shmangë zvarritjen e proceseve në Gjykatën administrative. Por AMA vihet në qendër të kritikave të gazetarëve edhe për pavarësinë e saj. Pas 5 vitesh që kur propozoi rikthimin e kriminalizimit të shpifjes qeveria ja doli të dërgojë në kuvend mes kritikash të shumta një draft antishpifje për hapësirën online. E megjithëse ai përmban si penalizim vetëm gjobë dhe jo burg, kundërshtarët shohin mjaft probleme në këtë projektligj që nëse miratohet pa ndryshime siç thonë ata mund të kthehet në një rrezik për lirinë e shprehjes.

“Shpifja” të trajtohet në gjykatë, jo nga AMA

OSBE shprehet e shqetësuar për ndryshimet ligjore të mazhorancës në Shqipëri që cenojnë lirinë e medias. Më 11 korrik, Përfaqësuesi për Lirinë e Mediave në OSBE bëri një deklaratë publike, por me sa duket sugjerimet nuk janë marrë parasysh. Kështu që, ditën e djeshme, ka reaguar me një tjetër deklaratë shqetësuese drejtuar kryeministrit Rama. Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesi i zyrës për lirinë e medies, Harlem Desir, thekson se dispozitat e reja, veçanërisht ato për mediat online dhe kompetencat e Autoritetit të Medieve Audiovizive, mund të kufizojnë lirinë e shprehjes dhe bien ndesh me standardet ndërkombëtare. Po ashtu në letër theksohet nevoja për të rishkruar draftet ligjore pasi nëse ato votohen në parlament siç janë, media në Shqipëri rrezikon seriozisht të bie nën influencën e qeverisë. Kjo pasi qeveria (me draftet e reja) ka shtuar kompetencat e AMA-s dhe ua ka hequr gjykatave. “Neni 132 nuk parashikon masa të mjaftueshme që do të mbronin botuesit elektronikë nga pengesat e mundshme apo diskriminuese që AMA mund të aplikojë përkohësisht në dëm të së drejtës për liri të shprehjes, sikurse edhe akses në mekanizma efektivë të apelimit apo rivlerësimit gjyqësor. “Shpresoj që rekomandimet tona të merren parasysh dhe modifikimet të futen gjatë procesit parlamentar për të siguruar pajtueshmëri më të mirë të legjislacionin të ardhshëm me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias,” –tha Desir.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet