Mësuesit: Testimi me pasaktësi, sistem i çakorduar pyetjesh

Kandidatët hyjnë në portalin “Mësuesit për Shqipërinë”. Sistemi jep alternativat e gabuara si të sakta. Probleme në hartimin e pyetjeve, koha e pamjaftueshme. Shumë mësueseve nuk u ka dalë emri te listat emërore

Enida Vërça

Portali “Mësuesit për Shqipërinë” ndodhet në fazën e dytë, atë të konkurrimit nëpërmjet testimit të informatizuar. Deri më tani kanë hyrë në provim pjesa më e madhe e mësuesve, duke bërë që të mbeten rreth 1200 emrat e fundit, të cilët pritet të nisin në datat 13 deri më 22 gusht. Mësuesit të cilët i janë nënshtruar provimit, tregojnë për “Shekulli”-n problematikat me të cilat janë përballur gjatë testimit. Mësuesit thonë se pavarësisht se kanë përzgjedhur alternativat e sakta, përgjigjet në kompjuter kanë qenë të gabuara, duke bërë që të humbasin shumë pikë. Po ashtu ata shprehen skeptikë ndaj mënyrës së punësimit nëpërmjet portalit, duke thënë se nuk ka emërime në bazë të meritës, por çdo gjë luhet politikisht. Jeta Bregaj ka dhënë provimin në portal për Arsimin Fillor. Ajo thotë se përgjigjet e shumë pyetjeve kompjuteri i ka shfaqur gabim. Në lidhje me këtë problem ka bërë dhe ankimimin, ku ende nuk ka marrë një përgjigje deri. “Kam hasur shumë probleme në provim, më i rëndi mund të themi është ai kompjuterit, i cili jepte alternativen e gabuar për të saktë. Përgjithësisht kjo ndodhi më shumë tek pyetjet tepër të lehta, si për shembull, kush e bën transportimin e ujit tek bima: lulja, gjethja, kërcell, rrënja. Për kompjuterin ishte rrënja. Dhe të tjera pyetje që ishin fare të thjeshta, por për të saktë kompjuteri kishte zgjedhur alternativën e gabuar. Për çudi këto pyetje vlerësoheshin me 3 apo 4 pikë. Pyetje të tjera në profilin tim kanë qenë p. sh. Kush thyesë është më e madhe se 1/3 dhe më e vogël se 2/3 : 1/4 , 1/6, 1/2 , 1/ 8. Për kompjuterin ishte ¼. Pyetje të tjera që mund të përmend ishin: Në cilën kategori futet arsimi fillor për arsimin parauniversitar 0, 1 , 2, 3 kompjuteri kishte alternativ të saktë 0, ku në 0 futet arsimi parashkollor etj”, sqaron ajo.

Formulimi i pyetjeve

Në një tjetër pikë në të cilën ndalet Bregaj është edhe formulimi i pyetjeve, duke deklaruar se ka pasur shumë pasaktësi dhe paqartësi për kandidatët, të cilët i janë nënshtruar provimit të informatizuar. Kishte pyetje të paqarta, p. sh një pyetje nga kodi i etikës me formulim të paqartë dhe me përgjigje të gabuar etj”, thotë ajo. Mësuesja deklaron se e gjithë kjo është bërë qëllimisht për të reduktuar numrin real të fituesve të cilët do të shpallen nga portali. “Dyshoj se çdo gjë është bërë qëllimisht, por nuk them dot me bindje. Të jem e sinqertë, mbeta e shokuar kur më doli rezultati i gabuar në disa pyetje. Isha më se e bindur që u isha përgjigjur saktë më shume se 90% të pyetjeve dhe kërkova me insistim të më jepnin shpjegim. Tani e kam ankimuar çështjen, por nuk kam marrë një përgjigje”, thotë ajo. Por a ka besim mësuese Jeta te ky proces punësimi? “Mendoj se është shumë e drejtë të punësohen sipas meritës, por rrënjët korrupsionit janë shumë të thella, ndaj jam edhe skeptike. Gjithë këto përgjigje të gabuara të kompjuterit duhet të jenë të rezervuara për ata që nuk e fitojnë dot me meritë një vend pune”, përfundoi ajo.

Koha

Ina Gjetaj, konkurron për herë të dytë në profilin e Gjuhës Shqipe. Ajo tregon eksperiencës e saj, për këtë vit, duke deklaruar se problemi më i madh ka qenë të formulimi i pyetjeve dhe përgjigjet e sakta të konsideruar si të gabuara nga sistemi i kompjuteri. Po ashtu thotë se koha për t’u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve ka qenë e pamjaftueshme. “Unë kam hyr për herë të dytë në provim. Lëndën e studiova dhe jam e bindur te aftësitë e mija, po mënyra se si është ndërtuar portali, nuk kam besim. Testi ka pasur mjaft gabime. E njëjta gjë më ndodhi edhe vitin e shkuar. Ankimova rastin dhe rezultati nuk ndryshoi Pyetjet janë të ndërtuara në mënyrë të tillë, që mësuesi të mos ketë mundësi për të fituar. Alternativat janë pothuajse të ngjashme me njëra tjetrën, koha e pamjaftueshme, përgjigjet që shfaqi kompjuteri një pjesë e madhe kanë qenë të gabuar. E gjithë kjo më bën të besoj që nuk do të ketë fitues në bazë të meritës. Çdo gjë duket e programuar në mënyrë të tillë, për të shpallur fituesit sipas interesave të tyre “, deklaroi ajo.

Problemet teknike

Një tjetër problem në të cilin janë përballur aplikantët këtë vit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, janë edhe ato teknike. RajmondaTafa, thotë se edhe pse ka aplikuar për të hyr në portal dhe në dosje ka marrë 17 pikë nga 20 të mundshmet, nuk i ka dal emri te listat emërore të cilat e kalojnë automatikisht në provim. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur, nëse ky është një problem teknik apo diçka e planifikuar, por prisja të më dilte ermi për provimin e Matematikës dhe nuk ndodhi. Më pas shkova në Zvap për këtë problem dhe nuk më dhanë përgjigje. Pas kësaj shkova në Drap ku kisha dorëzuar dosjen, as aty nuk kam marrë një përgjigje. Si përfundimi më duhet të shkoj në QSHA, të shikoj nëse aty do të marr një përgjigje”, përfundoi ajo.

Aplikimet

Ministria e Arsimit bën me dije se kërkesat për mësues kanë qenë relativisht të larta, teksa nënvizohet se kanë qenë mbi 7, 200 dosje aplikantësh të cilat janë dorëzuar nëpërmjet shërbimit postar pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar (Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë). Dosja për konkurrim përmban 20% të vlerës totale të pikëzimit. Ndërsa faza e dytë, ajo e testimit të informatizuar, përmban 80% të pikëve, fazë e cila do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) sipas një kalendari i cili gejndet tashmë i publikuar në ëeb-in e QSHA-së. Në lidhje me shqetësimin e ardhur nga sindikatat përsa i përket heqjes së vlerësimit për kualifikimet shkencore dhe studimet e thelluara pasuniversitare apo doktorale, MASR ka sqaruar se ky kriter është hequr sepse në rekrutimin e mësuesve vlerësohen kualifikime dhe kompetenca që lidhen me profesionin e mësuesit.

Konkurrimi në portal, nëpërmjet dy fazave

Çdo fazë, nga shpallja e vendeve të lira, konkurrimi, renditja e mësuesve, si dhe pranimi i tyre do të komandohet nga portali. Ata me më shumë pikë, që renditen në krye të listës, kanë shanse të punësohen që këtë shtator, me vendet e lira që sinjalizohen një muaj para nga katër drejtoritë rajonale arsimore në gjithë vendin. Konkurrimi me dosje, të cilat vlerësohen nga komisione të posaçme të ngritura në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, do të pasohet nga aplikimi për testimin e informatizuar. Por, përpara kësaj, mësuesit e papunë duhet të mendojnë tri zona ku do të dëshironin të jepnin mësim, çka do të pasqyrohet në kërkesën për konkurrim. Rrjeti Akademik Shqiptar do të hartojë shumatoren e pikëve për çdo kandidat, duke listuar në rend zbritës nga ai me më shumë pikë, deri tek ata që kanë grumbulluar më pak nga testimi dhe dosja. Edhe njoftimi për vendet e lira do të bëhet në formë elektronike, po përmes portalit (ndryshe nga më parë që bëhej nga Drejtoritë Arsimore Vendore). Në rast të njoftimit me e-mail për hapjen e një vendi pune në zonën ku ka aplikuar, kandidati ka një ditë kohë ta konfirmojë. Nëse nuk kthen përgjigje, njoftimi i shkon automatikisht të dytit në listën e punësimeve. Ndryshe nga më parë, ku një kandidat për mësues kishte të drejtë të refuzonte deri në 3 vende, tashmë nuk ka limit deri në pozicionin që ai preferon. Në rast të pranimit të vendit të punës, procedura e punësimit (kontratë me apo pa afat) vijon në drejtorinë e shkollës dhe që këtu mbyllet marrëdhënia e tij me portalin. Për rastet e veçanta thuhet: “Kur në një ZVAP nuk ka kandidatë të renditur në portal sipas profilit që përkon me vendin e lirë të punës, njoftohen dhe emërohen ata kandidatë që janë të renditur në portal në një profil të përafërt me profilin e kërkuar, duke respektuar procedurat e këtij udhëzimi”, përcaktohet në udhëzim. Nëse për një vend të lirë nuk ka as kandidat me profil të përafërt, njoftohet për një mësues në zonën më të afërt vendore. Për këto raste, kontratat e punës lidhen me afat të caktuar, deri në momentin e gjetjes së mësuesit të përshtatshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet