Mësimi i shqipes në Diasporë, vendimi për tekstet, mashtrim

Mësuesit e Diasporës shprehen mosbesues ndaj sigurimit të teksteve shkollore në vendet pritëse, nga shteti shqiptar. Vendimi i qeverisë, një rast i përsëritur i mbetur në kuadrin e një premtimi disavjeçar

Enida Vërça

Vendimi i qeverisë shqiptare për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në vendet pritëse të Diasporës shqiptare, duke premtuar edhe sigurimin e teksteve shkollorë, të cilat pritet të jenë më një kurrikul të përbashkët, është parë me dyshim nga arsimtarët të cilët prej vitesh japin mësim në Diasporë. Mësuesit shprehen për “Shekulli”-n se janë mosbesues ndaj këtij vendimi. Ata deklarojnë se deri më sot çdo gjë ka mbetur në kuadrin e një vendim të botuar në Fletoren Zyrtare të shtetit shqiptar dhe nuk ka pasur asnjë tentativë për të ndihmuar shqiptarët e Diasporës në ruajtjen dhe shpërndarjen e gjuhës shqipe në botë. Pierin Lleshi, mësuesi i Gjuhës Shqipe në Greqi, thotë se pikë së pari duhet të ketë një marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe vendeve që presin emigrantët, Itali, Greqi etj., dhe që çdo gjë të jetë transparente. “E para, këto vendime dhe fjalime janë thënë prej kohësh, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Deri më tani çdo gjë është bërë me iniciativën tonë. Shumë shpesh është diskutuar që mësueseve të Diasporës do u njihen vitet e punës, siguracionet, por deri më tani nuk kemi asgjë konkrete. E dyta, nëse nuk realizohet një marrëveshje dypalëshe, i bie që shteti shqiptar me financimet e tij të gjejë ambiente për t’i shfrytëzuar për mësim. Edhe nëse i gjen, duhet të marrë leje të shteti pritës. Duke qenë se jemi në kuadër të një vendim, duhet të cilësohet nëse është bërë një marrëveshje e mirëfilltë mes dy ministrive. Flasim kryesisht për Italinë dhe Greqinë, pasi në shtete e tjera marrëdhëniet janë të konsoliduara dhe mësuesit paguhen rregullisht nga vendi pritës, pasi politikat e tyre të brendshme janë të tilla. Por nëse flasim për Greqinë, jo vetëm që nuk bën asnjë hap përpara në këtë drejtim, por edhe i bllokon, duke krijuar barriera të pakapërcyeshme”, deklaron ai.

Përzgjedhja e mësueseve

Lleshi ndalet edhe të përzgjedhja e arsimtarëve, duke iu referuar vendimit. “Nuk ka një vendim mbi kriteret që do të bazohet përzgjedhja e tyre. Pra, kush do jenë mësuesit që do të përzgjidhen, ata mësuesit që kanë dhënë një kontribut disavjeçar, apo në bazë të një konkursi? E dyta, nga kush do të emërohen këta mësues? Nga Ministria e Arsimit Shqiptar, nga një grup i caktuar i vendeve përkatëse? Pra këto janë disa problematika, të cilat duhet të diskutohen së pari me kryetarët e lidhjeve në vende të ndryshme. Një gjë tjetër që duhet sqaruar: Do të futen nëpër shkolla të rregullta të këtyre vendeve dhe të jetë mësimi i gjuhës shqipe në program për ata që duan ta ndjekin. Këto janë disa pikëpyetje në lidhje me këtë vendim”, bën me dije ai. Më tej thotë se është pozitive fakti që mendohet të bëhen hapa, por duhet të dimë se deri më tani çfarë është bërë konkretisht. ” Shpesh merren vendime, por realizimet e tyre ende nuk janë parë nga ne. Do ishte një gjë pozitive, sikur ky vendim të ishte i të dy ministrive, që të hyj në kanale konkrete se si do të operohet për realizimin e tij dhe procedurat që do të ndiqen. Pas kësaj, duhet të behët me dije se me cilat shtet ka një marrëdhënie dypalëshe dhe më cilat janë ende në pritje. Informacioni duhet të jetë sa më transparent, për të qenë i besueshëm”, përfundoi ai.

Mësuesit në Itali   

Brunilda Lato është një tjetër mësuese, e cila jep kontributin e saj prej 26 vitesh në Kalabri të Italisë. Ajo thotë se nuk mund të entuziazmohet më këtë vendim, pasi deri më tani nuk kanë marrë kurrë atë që meritojnë nga shteti i tyre. “Nëse kjo gjë realizohet, do të merreshim në konsideratë si shqiptarë që jemi. Por unë di të them që deri më tani, në këtë eksperiencë të gjatë që kam si mësuese, çdo kosto është mbuluar më dëshirën tonë, 0 kontribut nga shtetit ynë. Librat i kemi sajuar me fotokopje, nuk është dhënë asnjë lloj ndihmë deri më tani. Aq më tepër këtu në jug të Kalabrisë që vendimet realizohen me vonesë, për të mos thënë fare “, thotë ajo. Lato ndalet te Samiti i Dytë i Diasporës i mbajtur më 29 shkurt dhe datat 1,2 mars të këtij viti. Ajo thotë edhe pse pati premtime, për realizmin e shumë projekteve në një kohë afatshkurtër, deri më tani asgjë nuk ka lëvizur. “Prej asaj kohe, kanë filluar mësimet në gjuhën Arbëreshe, por e gjithë kjo me iniciativë të mësuesve. Qeveria s’ka bërë asgjë. Të paktën këtu në Kalabri, kanë ardhur për vizitë, presidenti dhe shumë personalitetet të tjera, por deri më tani nuk po shikojmë asgjë”, përfundoi ajo. Mirela Nasi, një tjetër mësuese e gjuhës shqipe në Mancerata të Italisë, prej më shumë se 10 vite, thotë  për “Shekulli”-n se nuk do mund ti besonte prapë një premtim të dhënë nga ministria shqiptare. “Këto janë gjëra të thëna. I kemi dëgjuar dhe vazhdojmë t’i dëgjojmë sërish. Në mësuesit e Diasporës, nuk besojmë më në asnjë premtimi që bëhet nga ministria jonë. Kemi tre vjet vetëm me premtime, ndërkohë që as ndihmën më të vogël nuk e kemi marrë deri më sot. Vijnë këtu vetëm për  interesat e tyre dhe ikin. Asgjë nuk ka ndryshuar, çdo gjë e kemi bërë me forcat tona. Shteti ynë vazhdon me fasadën. Ne si mësues, do të vazhdojmë më misionin tonë, pasi pikë së pari e ndjejmë si një detyrim dhe së dyti është ndjenë shpirtërore dëshira për tu mësuar fëmijëve tanë gjuhën tonë, nuk mund ti mbajmë shpresat te qeveria”, përfundoi ajo.

Abetarja

Në një intervistë për “Shekulli”-n kryetarja e “Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi”, Anila Kila ka deklaruar se prej 3 vitesh dhe ende sot qeveria shqiptare, nuk i ka pajisur me librin e abetares fëmijët e emigrantëve në Greqi. “Premtimet kanë qenë gjithmonë të shumta, por mbështetja ka qenë shumë e vogël nga të gjitha anët. Kemi tre vite që nuk jemi furnizuar me tekste, në fakt Ministria e Arsimit në Shqipëri e ka marr përsipër dhe e ka për detyrë që të furnizojë me librat e abetares. Në tre vitet e fundit, jo vetëm që nuk jemi pajisur me librin e abetares, por edhe me Gjuhën Shqipe që ne e japim deri në klasën e gjashtë. Librat të cilët u kthyen mbrapsht para 3 vitesh në kufi nga pala greke, pasi është një marrëveshje me rishikimin e teksteve dhe ky tekst nuk përputhet me kërkesat e asaj që kërkon shteti Grek ndaj shtetit Shqiptar. Deri më tani jemi në pikën zero, asgjë nuk ka ndryshuar”, deklaroi ajo.

Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë, kurrikula e përbashkët

Me një vendim të dy ditëve më parë, qeveria shqiptare bën me dije se do të përkrahë organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në vendet pritëse të Diasporës shqiptare. Procesi mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në Diasporë do të mbështetet nga ministria përgjegjëse për arsimin në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe shtetërore dhe në përputhje me legjislacionin e vendit pritës të diasporës shqiptare, shkruhet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare. Procesi mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në  diasporë mbështetet nga ministria përgjegjëse për arsimin në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe shtetërore dhe  në përputhje me legjislacionin e vendit pritës të diasporës shqiptare. Ky proces realizohet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën dhe ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë”, thuhet në vendim. Më tej sqarohet se në vendet pritëse të diasporës shqiptare procesi mësimor është mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare. Gjithashtu në vendim thuhet se kanë të drejtë të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë të gjithë fëmijët e moshës deri në 18 vjeç me kombësi shqiptare dhe çdo person me origjinë shqiptare që jeton në vendin pritës pavarësisht nëse ai është me qëndrim të përkohshëm të përhershëm apo azilkërkues. Mësimi në këto shkolla do të zhvillohet me kurrikulën e përbashkët të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë. Ndërsa tekstet shkollore, materialet plotësuese dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të mbështetet dhe inkurajohet nga Ministria përgjegjëse për Diasporën nëpërmjet Qendrës së Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme. Sa i takon sasisë së teksteve shkollore dhe materialet plotësuese do të dërgohen nga Qendra e Botimeve për Diasporën brenda muajit gusht të çdo viti për t’i shpërndarë më pas sipas kërkesave që kanë këto vende. “Qendra e Botimeve për Diasporën përgatit informacion vjetor për sasinë  dhe   mënyrën  e shpërndarjes  së  teksteve shkollore në diasporën shqiptare, të cilin e dërgon pranë ministrive përgjegjëse për arsimin dhe ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme”, sqaron vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet