Mesha/ Tre priftërinj katolikë zemërojnë Kishën Ortodokse (FOTO)

Publikuar më 23. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Kisha Orthodokse e Labovës së Kryqit bëhet sërish objekt debati. Një meshë e mbajtur në ambientet e saj nga tre priftërinj italianë për turistët ka bërë që për këtë ngjarje të reagojë vet Kisha Orthodokse Shqiptare, nëpërmjet sekretariatit të Sinodit të Shenjtë, duke e cilësuar, si një shkelje të ligjit nga qeveria shqiptare, e pambështetur në asnjë leje konkrete. Kisha e Labovës së Kryqit është një nga monumentet më të rralla historike, fetare dhe kulturore që ka vendi ynë. Sfiduesit vendas dhe të huaj këtë Kishë 15 shekullore, supozojnë periudha të ndryshme ndërtimi. Objekti i përket periudhës Paleokristiane.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë

Me habi dhe keqardhje pamë në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në “Facebook”, tri priftërinj katolikë nga Italia, së bashku me një grup turistësh italianë, të kryenin “meshën e parë” në Kishën Orthodhokse të Labovës së Kryqit, një monument i famshëm bizantin. Në këtë ngjarje ishte e pranishme drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje. Protestojmë për këtë shkelje të re të Ligjit 10057 dt. 22.1.2009, neni 23, paragrafi 2: “Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Gjithashtu është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek Kisha apo Fe të tjera, që të përdorin një objekt orthodhoks kulti. Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga Ligji 10057, neni 22, paragr.2: “Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Instituti i Monumenteve të Kulturës: Ministria e Kulturës nuk ka pasur dijeni

Instituti i Monumenteve të Kulturës sqaron opinionin publik dhe autoritetet e nderuara të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë lidhur me deklaratën e saj për Kishën e Labovës së Kryqit. Në datë 19 tetor 2017, nga ana e IMK u organizua një inspektim i punimeve restauruese në kishën e Labovës së Kryqit, me praninë e drejtores së këtij instituti dhe ekspertëve restauratorë për të kryer një konsultë mbi problematikën konstruktive të monumentit.

Kjo vizitë u pasqyrua në faqen sociale të Institutit të Monumenteve ku gjenden të botuara disa foto nga ky inspektim. Gjatë këtij inspektimi, në oborrin e kishës u vu re se po zhvillohej një meshë lutjesh lehtësimi për një grup personash me probleme të ndryshme shëndetësore dhe turistësh italianë. Vizita e turistëve dhe inspektimi i inxhinierëve kanë qenë krejt pa lidhje me njeri-tjetrin dhe thjesht një rastësi e çastit.

Theksojmë se Ministria e Kulturës nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë. Kjo kishë dhe shumë kisha të tjera me vlera kulturore, janë rregullisht destinacione të turistëve dhe vizitorëve nga më të ndryshmit. Ministria e Kulturës kujdeset për ruajtjen e objekteve te kultit si trashëgimi kulturore, për restaurimin dhe promovimin e tyre, por ato përdoren nga banorët dhe prifti i zonës për shërbesat e tyre si dhe vizitohen lirshëm nga turistë vendas dhe të huaj.

Shprehim keqardhjen për këtë keqkuptim të panevojshëm ndonëse institucionet shtetërore nuk kishin dijeni për të. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i konfirmojnë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë respektin maksimal dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore dhe për ruajtjen e harmonisë fetare në territorin shqiptar.

Një prej 40 kishave të para në gjithë botën

Një datim është ai që shpjegon se kjo kishë është ngritur me shpenzime perandorake në periudhën e Justinianit të madh. Një hipotezë e ngritur mbron idenë se ajo mund të jetë ndërtuar në vitin 527-565. Studiuesi Alekandër Meksi, ish-kryeministër në periudhën 1992-97, ka bërë një studim për të dhe daton ndërtimin e kësaj kishe në shekullin e XIII.

Viti 1554 është i gdhendur edhe mbi portën e vjetër të kishës, por mendohet se ky vit i përket kohës së rindërtimit të kishës mbi themelet e vjetra Ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, në rrethin e Gjirokastrës, i vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, pranë prerjes tektonike të Grykës së Seckës, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës. Nga periudha biznatine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe si vendbanim i hershëm ka edhe një kala të vjetër, që vendasit e quajnë sot Paleokastër.