Mesazhi rrëqethës i Viktor Zhustit: Dikush më pret atje lart, më në fund do të…

Aktori i njohur Viktor Zhusti ka qenë një prej konkurrentëve VIP në spektaklin e kërcimit “Dancing With the Star” që e kishte finalen të premten e kaluar në televizionin “Vizion Plus”.  Pak ditë pas spektaklit, ai ka dhuruar një mesazh emocionues për të gjithë art- dashësit. Zhusti ka lëshuar një mesazh të ndjerë.

Mesazhi i tij:

FALENDERIM ! (E pse jo, dhe pakëz nostalgji )

Dancing Ëith The Stars, Albania 7, (DWTHS), mbaroi. Ndritshëm ! Bujshëm ! Suksesshëm ! Jo kurdoherë kthej kokën prapa për të gjykuar rrugën e përshkuar, por, në këtë rast, ndjej të më tërheqë një detyrim që, pas çdo përpjekje për t’a shlyer, veç rritet. 12 javë në këtë maratonë artistike ! Edhe ajo që më dukej e pabesueshme, u bë e mundur !

Gjate përgatitjeve, kur koha kalonte me shpejtësi të pazakontë, në ankthin e përditshmërisë, të gjithë bashkëpunëtorët përreth, më dukej se thjesht “bënin detyrën”, ndihmonin dhe se “gjithë bota e vëmendja ishim ne, që n’a quanin ose vetëquheshim VIP !!! Tani, cliruar nga “ankthi i garës”, e parë në një optikë tjetër, kuptoj se, ata ishin “protagonistët e heshtur” pa të cilët, ky spektakël, jo vetëm nuk do të kish shkëlqimin e festës, sic që në të vërtetë, por as do qe i mundur. MIRENJOHJE TË GJITHËVE !

Së pari, falënderoj përzemërsisht, partneren dhe drejtuesen time artistike OLTA AHMETAJ ! E kam lodhur. Shumë herë dhe dëshpëruar me mosarritjet, por… këto ishin mundësitë e mija ! C’ti bësh ! Në Dancing, si dhe në jetë, nuk n’a takon çdo herë partneri i përshtatshëm…

Falënderoj gjithashtu dinjitozen plot hir LORI BALA dhe të bukurën gjithë dritë HELGA SARACI, që në dy javë të ndryshme, i kisha partnerë në spektakël. Punova me sejcilën vetëm tre ditë ! Kohë e mjaftueshme për t’u mrekulluar ! Meteorët, nuk e ndriçojne çdo natë qiellin tonë…

JURI E NDERUAR ! Emma Andrea, Alfred Kacinari, Julian Deda, Ilir Shaqiri, mirënjohje ! Më keni gjykuar me zemër të ngrohtë, jo mendje të qetë ! Në çdo notë, më shumë rezultati, shihja shkallën e fisnikërisë Tuaj, shoqëruar me konsideratë e përzemërsi ndaj meje. Ndoshta, Ju dhashë më pak nga c’prisnit ! Me siguri, me dhatë me shumë nga c’prisja ! JU FALEMINDERIT !

Një falenderim, tepër i veçantë për HOLTA KOLANECI-DYLAKUN, producenten largpamëse, të bukur, të mençur, me mendje e zemër fisnike, prej të cilave buron aq mirësi e mirëkuptim, sa qe DËTHS, nuk është me një “program televiziv”, por FESTË e hareshme !

Sikur të ishte e mundur e pamundura, cdo natë do t’i shtrija krahët deri në fund të sallës dhe më pas, ekstremisht larg në hapësirë, për të mbështjellë në një përqafim të ngrohtë, spektatorë e teleshikues që, si gjatë mbrëmjes së spektaklit, ashtu dhe më pas në rrjetet sociale, më ishin aq pranë e dashamirës, sa ndjehem pafundësisht i detyruar ndaj tyre !

Dhe së fundmi: Kontratën e parë, për të marrë pjesë në DWTHS, producentia e bëri me mua, në vitin 2010, kur isha 68 vjeç ! Kontratën e dytë, këtë vit, e bëri përsëri me mua, në moshën 76 vjeç ! Nëse do mendoje edhe për ndonjë kontratë të tretë, besoj që duhet t’a rregullojë e bindë ZOTIN ! Sepse, ndjej dhe unë, prej kohësh, një dorë të zgjatur, dikush më pret “atje lart”, që, si të çlirohem nga ankthi, dhimbjet dhe acarimet, nga shpirt’ e mendje-vogëlsitë, nga gjithë graviteti i së keqes dhe interesave meskine që n’a mbajnë të lidhur në tokë, që n’a zvogelojnë, rrudhin e percundojnë si “qenie materiale”, të ngjitem atje, në një botë fluide, interne, pa gravitet, ku shpirti i cliruar tërësisht, do të vërtitet i lirë midis yjeve, çmendurisht, në ciklin e pandalshëm të jetë-përjetësisë… Ai, për mua do të jetë i treti, më i madhi, i ndritshmi, fantasmagoriku “DËTHS i vitit dy mijë e … e… Dhe kur të ndodhë kjo, ndonjë nga njerëzit e dashur, që do më kenë mbetur akoma atje, midis jush në tokë, do të pëshpëritë i lehtësuar: “ lindi duke qarë, si të gjithë. Kaloi dhe një pjesë të jetës, duke qarë, si të gjithë. Por, IKU DUKE VALLËZUAR ! jo si të gjithe !

JU FALEMINDERIT !

 /D.Xh/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet