Mesazhe dashurie në titullin “Hakmerru….”

Refleksione për librin e fundit të shkrimtarit Kleo Lati, “Hakmerru duke dashuruar”. Një libër për dashurinë që lartëson shpirtin e njeriut me ndjesinë se gjithçka e bukur ngjitet lart, fluturon

Nexhmije Nelku

Romanin e ri të shkrimtarit tashmë të njohur Kleo Lati, me titullin e bukur dhe intrigues “Hakmerru duke dashuruar”, që ka dalë në qarkullim ditët e fundit, e lexova me një frymë. Është një libër që të mbërthen nga faqja e parë deri në atë të fundit, duke e bërë lexuesin të ndjekë me emocion fatet e personazheve të tij, por sidomos të personazhit kryesor Silvias, një grua e bukur në gjithçka: në trup, por edhe në universin e mendimeve dhe ndjenjave të saj. Një grua që përjeton momente tepër të dhimbshme dhe mjaft dramatike në një marrëdhënie të pafat dhe të dhunshme me një burrë që dashuron tek ajo trupin dhe bukurinë e saj të jashtme, por jo bukurinë e saj të shpirtit.

Në jetë na ndodh shpesh që të ndeshim plot njerëz, të cilët ndaj atyre që u kanë shkaktuar dhimbje hakmerren në forma dhe mënyra të ndryshme. Por heroina e romanit “Hakmerru duke dashuruar” të shkrimtarit romantik Kleo Lati nuk e dorëzon veten në ndjenja negative dhe të çartura, por “hakmerret” në mënyrën më të bukur, duke dashuruar, ashtu sikurse kjo gjë kumtohet në mënyrë aq domethënëse në titullin e këtij romani. Ky libër lexohet me një frymë sepse është shkruar bukur dhe rrjedhshëm nga një shkrimtar i njohur tashmë për trajtimin e temave të tilla, duke himnizuar përherë ndjenjën më të bukur njerëzore: dashurinë. Edhe në këtë roman autori flet, sikurse lexojmë në faqet e tij, “për atë dashuri që njeriut ia lartëson shpirtin, që e bën atë që në çdo frymëmarrje dhe në çdo të rrahur zemre të ketë ndjesinë së ngjitet lart, se fluturon. Atë dashuri të madhe, të bukur, të thellë, hyjnore, që është çelësi që hap portat e qiellit. Atë dashuri në të cilën dy njerëz, një burrë dhe një grua, ndihen të lumtur deri në skajet më të largëta të shpirtit të tyre, që i jepen njëri tjetrit me një dëshirë dhe pasion të madh, që i bën ata të ndihen tërësisht të rënë në grackën e fuqisë tërheqëse të misterit të dashurisë, atë dashuri të cilën nuk do ta ndërronin me asgjë tjetër në botë, sado shkëlqim dhe bukuri të jashtme të kishte. Dashuri në të cilën si burri ashtu edhe gruaja, çfarëdo statusi që të kenë ata, jo vetëm që e ndjejnë shumë njëri-tjetrin por edhe besojnë shumë tek njëri-tjetri, që nuk gjykojnë se çfarë thonë të tjerët për dashurinë e tyre të vërtetë, të pastër, hyjnore, ashtu siç bënte Sokrati që u linte të tjerëve të gjykonin të vërtetën, kurse vetes i vinte dyshime pa fund. Atë dashuri që i jep kuptimin e vërtetë jetës, se jeta pa dashuri është gjëja më e rëndomtë, sepse, në fund të fundit,  “vetëm njerëzit që dashurojnë jetojnë, të tjerët thjesht ekzistojnë.

Edhe në këtë roman, ashtu si në romanet e tij të mëparshëm “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë, “Trupi im më përket mua”, shkrimtari Kleo Lati, me gjuhën e pasur dhe pasqyrimin e botës së thellë të ndjenjave, i jep lexuesit mundësinë që ai të shijojë bukurinë e fjalës, mrekullinë e çasteve të bukura të dashurisë por edhe dramacitetin e momenteve të dhimbshme dhe të trishta që përjeton heroina kryesore e romanit. Pasuria e gjuhës së shkrimtarit, përpjekja e tij e suksesshme për t’u endur brenda dritës të botës së brendshme të personazheve pozitive si dhe brenda errësirës që sundon në botën e brendshme të personazheve negative, përshkrimi me mjeshtëri i rrethanave të ngjarjeve apo edhe i peizazheve të natyrës, të bëjnë që ta lexosh me ëndje këtë libër, duke provuar, veç të tjerash, edhe kënaqësi të thellë estetike.

Autori

Kleo Lati ka lindur më 1952. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë. Studimet e larta në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, më 1975. Më 1975-1996 punoi si gazetar në gazetat më të rëndësishme dhe në Institutin e Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Më 1991-1996 korrespondent në Tiranë i gazetës së përditshme greke “Eleftheros Typos” dhe më 1996-2005 korrespondent i Agjencisë Greke të Lajmeve “Macedonia Press”. Më 1999-2008 përkthyes në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë. Nga viti 2011 përkthyes zyrtar për gjuhën greke në Ministrinë e Drejtësisë. Qytetar me shtetësi greke dhe shqiptare. Ka mbaruar kursin nëntëmujor për Gjuhën, Letërsinë dhe Historinë Greke në Athinë, në vitin 2004. Ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe disa romane, si: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, “Trupi im më përket mua”, si dhe drama, vëllime me tregime, libra për fëmijë etj. Ka përkthyer në shqip shumë vepra të shquara të letërsisë greke

Xhelatët, shfaqja e regjisorit maqedonas

Shfaqja “Xhelatët” e autorit Martin McDonagh do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar.

Gjatë këtyre ditëve regjisori Qëndrim Rijani, i cili jeton edhe punon në Maqedoni, ka nisur audicionet për rolin e Shirlit në ambientet e ArTurbinës. Aktorët e tjerë, që do të luajnë në këtë shfaqje ku mes tyre janë edhe Ndriçim Xhepa edhe Lulzim Zeqja janë përzgjedhur në bashkëpunim me institucionin. Regjisori teksa na rrëfen arsyen, se përse sjell në skenë një vepër, si “Xhelatët”, na shpjegon edhe përse është duke bërë audion vetëm për një rol, atë të Shirlit “Xhelatët” është një vepër që është shumë e vonshme e Martin McDonagh. Është një ndër kryeveprat botërore, e vitit 2015, por që në vetvete ka një aktualitet të tmerrshëm me Shqipërinë. Vepra trajton dënimet me varjet pa gjyq në Angli, që paralelizuar me ngjarjet në Shqipëri gjatë kohës së kombinimit është shumë aktuale. Përse vetëm për rolin e Shirlit, sepse Shirli është një vajzë 15-vjeçare. Ndonëse unë i njoh shumë mirë aktorët shqiptarë edhe shfaqjet në Shqipëri i ndjek rregullisht shfaqja  kërkon një aktore shumë të re, të cilët unë nuk e kam parë në këto shfaqje”, shprehet Qëndrim Rijani. Ai kërkon që aktroja që do të përzgjedhë, të ketë cilësitë që kërkon autori i veprës, McDonagh, duke shtuar edhe se duhet patjetër që të jetë e guximshme “Mua më duhet një aktore shumë e re, që mund të luajë edhe një skenë përdhunimi. Pikërisht kjo është arsyeja, sepse duhet që të bëj audicion. Vepra në vetvete ka shumë role të vështirë, sidomos me dhunën. Do të futen edhe histori të vërteta, të kuruara”, shton regjisori. Deri më tani interesi ka qenë i madh, janë rreth 30 artiste të reja, që janë regjistruar për të qenë pjesë e këtyre audicioneve. “Unë bashkë me të gjithë teatrin jemi shumë të kënaqur. Janë 30 veta të paraqitur për një rol që ka specifikat e veta. Kjo do të thotë se ne kemi rreth 30 aktore të reja që po i shtohen tregut”, thotë Rijani. Megjithatë, Rijani thekson se ekziston një lloj paragjykimi lidhur me audiocionet në Shqipëri, që duhet ndryshuar.

 Chernobyl, seriali i kohërave

Në 01:23 më 26 prill 1986 reaktori numër katër në uzinën e Çernobilit, pranë Pripyat – shpërtheu.

Konsiderohet të jetë fatkeqësia bërthamore me e madhe në histori, dy persona vdiqën në shpërthimin e parë me avull, por vdekjet më pas janë shkaktuar nga helmimi me rrezatim, transmeton Klan Kosova. Në vitin 2005 Raporti i përgatitur nga Forumi Çernobilit, të udhëhequr nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se 56 të vdekje të lidhura drejtpërdrejt me helmimin, 47 punëtorë dhe nëntë fëmijë. Më pas thuhet të ketë pasur mbi 4 mijë vdekjeve nga kanceri në mesin e rreth 600 mijë njerëzve të ekspozuar. Shpërthimi që rezultoi me avull në uzinën nxori aq shumë rrezatim saqë pjesa më e madhe e zonës përreth do të jetë e pabanueshme për 20 mijë vjet – atë kohë 336 mijë njerëz ishin shpërngulur. Izotope të dëmshme u përhapën nga erërat deri në Irlandë brenda vetëm një jave. Këto ngjarje, si dhe intrigat politike të veprimeve të qeverisë sovjetike, janë subjekt i serisë së dramës historike të HBO-së, “Chernobyl”. Seria është rankuar nga kritikët si më e mira e të gjitha kohërave. Komentet erdhën menjëherë pas episodit të fundit i cili u transmetuar në Amerikë më 3 qershor. “Chernobyl” ka lënë pas edhe seritë historike si “Breaking Bad”, “American Crime Story” dhe “The Crown”.

Shfaqje për tërmetin

Nxënësit e Korçës nuk kanë qëndruar indiferentë për qytetarët e prekur nga tërmeti . Një shfaqje me fokus bamirësinë u ngjit në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi në qytetin juglindor. Nxënësit e shkollës “Raqi Qirinxhi” u solidarizuan me banorët e prekur nga tërmeti dhe sollën për publikun shfaqjen teatrale “Të Mjerët”, të ardhurat e së cilës do të shkojnë për personat në nevojë kryesisht në zonën e Floqit. Ideja që nisi në kuadër të projekteve shkollore nga një orë mësimi në gjuhën angleze mori përmasa të mëdha duke përcjellë edhe një mesazh të fortë humanizmi. Korça u përfshi nga një valë tërmetesh ku më të prekurit janë banorët e fshatit Floq të cilët ende vijojnë të jetojnë në çadra.

Tradita e tangos vjen në Shqipëri

Tradita, arti dhe kultura argjentinase vijnë në Shqipëri. Artistët argjentinas, sjellin në festivalin “Open on tour” kërcimet tradicionale të jetës së përditshme, për të demonstruar se si çdo ditë për ta është festë dhe gëzim. Festivali vjen në bashkëpunim me dy balerinët, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Ndërsa, 10 artistë argjentinas do të dhurojnë për publikun shqiptar një spektakël plot ritme folku argjentinase dhe tango. Festivali nis në datë 7 qershor ora 19:00 në Korçë. Ndërkohë, në Tiranë do të jenë për tre net radhazi nga data 10 deri në 12 qershor në skenën e “arTubinës”, ku së bashku me artistët argjentinas do të performojnë edhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Në datën 17 qershor, në Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, më 19 dhe 20 qershor në teatrin “Skampa” të Elbasanit, për ta mbyllur me qytetin e Vlorës në datë 27 qershor në Lungomare.

Budina merr çmim për “Broken”

Regjisori dhe skenaristi Edmond Budina është vlerësuar me filmin e tij “Broken” me dy çmime prestigjioze në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali. Në këtë konkurrim, filmi “Broken” (Të thyer) u shpall më i miri, por mori dhe vlerësimin e jurisë së kritikëve. Në film interpretojnë aktorët e njohur shqiptarë: Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj. Producentja Adele Budina shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim të filmit. “Dy fitore të tjera për “Broken”, filmi i fundit i Edmond Budinës, i prodhuar prej meje, i cili jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si filmi më i mirë, por gjithashtu fitoi edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, shprehet Adele Budina, duke falënderuar organizatorët e festivalit, Veronica Maffizzoli-n, gjithë ekipin e saj, publikun, jurinë dhe kryetarin e bashkisë që i dorëzoi çmimet regjisorit. “Jam krenare për filmin, për vendin tim, për babanë Edmondin, si e bija e tij, por edhe si producente”, shprehet e emocionuar Adele Budina.

Letërsia shqipe në Mal të Zi

Botimet shqipe në Mal të Zi. Kjo është tema që bëri bashkë në Bibliotekën Kombëtare studiues, shkrimtarë edhe përkthyes, për të trajtuar më gjerësisht se cili është zhvillimi i letërsisë shqipe në Mal të zi, duke ndalur edhe tek këndvështrimet historike, gjeografike edhe kulturore. Drejtoresha e Bibliotekës, Persida Asllani, e konsideroi të pamundur, që në këtë panel të trajtohen të gjitha problematikat, e hasura ndër vite, prandaj ajo e quan këtë panel, si një mundësi për t’u paraprirë edhe takimeve të tjera në vazhdim. “Të gjithë e dimë, se jemi një fqinjësi shumë e gjatë. Edhe në periudha nga më të hershmet, por gjithnjë kemi mbetur peng të nevojës për të kuptuar edhe njohur më mirë njëri-tjetrin. Rruga më e mirë edhe më cilësore për ta bërë këtë gjë, është edhe ajo e cilësisë. Zëra e poetëve edhe shkrimtarëve tanë, qasja që ata bëjnë, janë gjëra që jo vetëm na bashkëjetojnë, por edhe na pasurojnë”, shprehet drejtoresha Persida Asllani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet