Mes shkëlqimit të Hollivudit, si u ndanë Çmimet Oscar 2018

Në Hollivud u ndanë mbrëmë çmimet Oscar për arritjet më të mira në film. “The Shape of Water” – “Trajtat e Ujit” ishte pretendenti kryesor, i emëruar në më shumë kategori se çdo titull tjetër dhe mori nderimin më të lartë duke u zgjedhur si filmi më i mirë i vitit. Drama fantastike ka në qendër të subjektit një grua memece që punon si pastruese. Filmi shtjellon një histori dashurie mes saj dhe një krijese jo-njerëzore të sjellë nga Amazona. Filmi fitoi mbrëmë katër Oscar, përfshirë çmimin në kategorinë e regjisorit më të mirë për Guillermo del Toro: “Kur isha fëmijë në Meksikë më pëlqenin shumë filmat e huaj, filma si “E.T.”. Admiroja William Wyler, Douglas Sirk, apo Frank Capran. Para disa javësh, Steven Spielberg më tha: “Nëse ngjitesh në skenë për të marrë çmim, ta dish se je bërë pjesë e një tradite, je pjesë e një grupi kineastësh, prandaj të ndjehesh i nderuar”. Jam shumë, shumë krenar,” tha regjisori del Toro.

Në kategorinë e aktores më të mirë fitoi Frances McDormand për lojën në filmin Three Billboards Outside Ebbing, Missouri – Tre Tabela Jashtë Ebbing në Mizuri. Ajo interpreton rolin e një nëne që i përvishet rajonit të policisë pasi nuk po tregohen aktivë në hetimet mbi vrasjen e së bijës. Sam Rockwell luan një ndër policët në këtë film. Ai u nderua mbrëmë në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor.  Ndërsa si aktori më i mirë u zgjodh Gary Oldman për portretizimin e Winston Churchillit si kryeministër i Britanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në filmin The Darkest Hour – Ora më e Errët. Allison Janney fitoi në kategorinë e aktores më të mirë në rol dytësor për lojën në filmin I, Tonya – Unë, Tonya, ku ajo portretizon nënën e ish-patinatores Tonya Harding. Realizimi kilian A Fantastic Woman – Një Grua Fantastike, u zgjodh si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. Ndërsa Coco fitoi në kategorinë e filmit më të mirë multiplikativ. /Zëri i Amerikës/

 

Të tjera

Abissnet