Media franceze: Do mundet kryeministri Edi Rama të shkëputet nga përfshirja në qarqet kriminale ?

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Media franceze “Radio France Internationale”, ka bërë një shkrim në lidhje me gjendjen e Shqipërisë, duke bërë një analizë të gjendjes politike dhe “kanabizimit” të vendit.

Shkrimi është përgatitur nga nga gazetari Jean-Arnault Derens , i cili e përshkruan Shqipërinë si një “narko-shtet në zemër të Europës”.

Shkrimi i plotë
Në një kohë që prodhimi dhe trafikimi i kanabisit në këtë vend ka shpërthyer prej disa vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë filluar të ushtrojnë presion mbi qeverinë e Edi Ramës.

Shqipëria ka qenë gjithmonë e njohur për prodhimin e kanabisit, por që kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, situata ka ndryshuar. Prodhimi i kanabist, dikur i përqendruar në jug, tani është përhapur në të gjithë vendin, duke ulur kështu prodhimin në bujqësinë tradicionale të vendit.

Fermerët braktisin tokën e tyre, dhe preferojnë të punojnë në plantacionet e kanabisit, ku mund të fitojnë 20 euro në ditë, një pagë shumë e mirë për Shqipërinë. Kanabisi i prodhuar eksportohet masivisht në Itali, dhe me pak në Greqi.

Policia dhe bazat ajrore dhe detare të ushtrisë përdoren për të ruajtur dhe ndihmuar në eksportin e drogës, paratë e të cilave do të financonin fushatat elektorale të Partisë Socialiste të Edi Rama.

Kanabizimi i ekonomisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncon një “kanabizim” të ekonomisë, shoqërisë dhe jetës politike shqiptare, kjo [për faktin se Edi Rama duket gjithnjë e më shumë i varur nga drejtuesit e trafikut të kanabisit. 20 deputetë të Partisë Socialiste janë dënuar në të kaluarën për trafik droge ose janë të lidhur drejtpërdrejt me të.

Në fund të tetorit, kushëriri i ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u arrestua në Sicili. E ndërsa Prokuroria shqiptare po kërkon arrestimin e ish-ministrit, por Edi Rama dhe Partia Socialiste janë kundër saj dhe kanë refuzuar të heqin dorë nga imuniteti i tij parlamentar.

Por kohët e fundit duket po rritet trafiku i drogave të tjera. Gjithnjë e më shumë, heroina dhe kokaina që vijnë nga Turqia nëpërmjet shtetit fqinjë Maqedonisë për t’u rieksportuar nga Shqipëria në përmasa gjithnjë e më të mëdha. Duket se klanet shqiptare të drogës po marrin tregjet e kontrolluara gjatë nga banda serbe apo malazeze në të gjithë Evropën.

Raportet

Për një kohë shumë të gjatë, ambasadat perëndimore në Tiranë kanë bërë një sy të verbër, megjithëse Shqipëria për disa vjet ka negociuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, ata nuk duan të vënë në vështirësi Edi Ramën, i vlerësuar shumë për qasjen e tij pro-evropiane, gjithashtu shikohej dhe si garant i stabilitetit të Shqipërisë dhe Ballkanit.

Megjithatë, shkalla në rritje e fenomenit e bën që pozitat e tij të lëkundeshin. Raportet e fundit të policisë doganore italiane, Guardia di Finanza, janë shumë “dërrmuese”, gjithashtu edhe studimet konfidenciale të kryera nga policia dhe shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme evropiane tregojnë të njëjtën gjë.

Ditët e fundit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, ka ngritur tonin, duke kërkuar “rezultate konkrete” në luftën kundër krimit të organizuar, por ky mesazh nuk ka gjasa të dëgjohet.

Më 30 tetor kreu i shërbimit sekret shqiptar dha dorëheqjen: Kreu i SHISH nuk ka duruar presionet politike që e pengonin atë të hetonte trafikun.
Tashmë dilema e vetme është nëse kryeministri i Edi Rama është ende në gjendje të shkëpusë veten nga përfshirja në qarqet kriminale dhe “lordët” e drogës.

Përshtati: Bleona Metushi