
Ka përfunduar Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve nga Ballkani Perëndimor, ndërkaq konferenca e paralajmëruar për media është anuluar, e nuk ka as komunikatë zyrtare për media. Fillimisht, takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me liderët e shteteve të BE-së kishin nisur në orën 09:30, ndërsa konferenca për media ishte paralajmëruar në 11:45. Pas kësaj, konferenca prapë ishte shtyrë për në 12:45, ndërkaq më pas u anulua.
Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me liderin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe atë serb Aleksandër Vuçiç, në Bruksel u shpreh se ndihet keq që ndodhet në Evropë si mik dhe jo si pjesë e familjes evropiane. Megjithatë, nuk kanë munguar as notat e humorit nga ana e kryeministrit. Ai u shpreh se rruga drejt integrimit do të vazhdojë dhe shpreson që shekullin tjetër vendi ynë të jetë pjesë e BE.
“Jemi evropian dhe duam të gjendemi mes evropianëve. Ndihesh keq sepse ne ende nuk mund të jemi këtu si evropianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Është shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemik në shkallë globale, një shumë tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjike globale nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Ne kemi shumë për të bërë dhe nga njëra anë unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëjmë shumë për të mbështetur idenë e presidentin Macron për objektivin që është politik e strategjik i dëshiruar. Ne do të vazhdojmë me rrugën drejt anëtarësimit me shpresën që shekullin tjetër të jemi anëtar. Do përballemi me një Bullgari këtu, një Bullgari atje”-tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se Be sërish nuk e mbajti fjalën për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke mbajtur fjalën e tij në Bruksel në kuadër të Samitit të BE, ka theksuar se BE duhet të përmbushë premtimet e tyre para se të bëjë kërkesa të reja. Më tej ai ka theksuar se duke ngecur në këtë situata Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Europian do të humbasë besimin tek qytetarët.
“Duke pasur rrethanat që jemi sot shprehëm pakënaqësinë për hapjen e negociatave. Maqedonia është kandidate dhe në 2020 mori vendim për nisjen pa kushte të negociatave por jemi sot këtu edhe ende nuk kanë filluar është një problem serioz dhe goditje e besueshmërinë ndaj BE. Maqedonia dhe Shqipëria nuk mund të jetë i ngecur në një situatë të tillë. Nuk duhet të lejojmë çështjet dypalëshe të bëhen shumëpalëshe. Ne jemi vend i angazhuar për zgjedhje të ndërsjella. Me të njëjtën ide kemi hyrë në negociata edhe me Bullgarinë.” tha Kovaçevski.
Asnjë lajm edhe për Kosovën
Në një deklaratë për media, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se gjatë samitit shumë pjesëmarrës kanë folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnjën e Hercegovinën. Pra, le të shpresojmë që tonet nga ky takim të jenë mjaft frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian”, ka thënë Gjukonoviq, shkruan Rel.
Lidhur me samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor deri tani nuk është lëshuar as komunikatë zyrtare.
Osmani para të pranishmëve theksoi se qytetarët e Kosovës ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave prej 4 vjetësh.
“Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”, tha ajo.
Për liberalizimin e vizave ka folur edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Ndërkaq, pas samitit, eksperti për Ballkanin, profesor Florian Bieber në një postim në Twitter shkruan se nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën dhe as hapje të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply