Mbledhje urgjente pas humbjes ndaj Skënderbeut, te Kukësi priten masa ekstreme

Publikuar më 03. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga humbja e djeshme e skuadrës së tij në Korçë. Një ndeshje shumë e rëndësishme përballë ekipit kryesues, por kuksianët nuk arritën të shmangnin humbjen.

Një disfatë që e çon në nëntë diferencën mes Skënderbeut dhe Kukësit. Pas kësaj humbje, mund të ketë ndonjë vendim surprizë që mund të shkojë deri në largim të trajnerit Milinkoviç, edhe pse ai ka marrë besimin e Gjicit disa javë më parë.

Pas disfatës së djeshme, presidenti ka lajmëruar mbledhje me lojtarët dhe stafin teknik sot, në orën 09:00. Ata që rrezikojnë më shumë në këtë situatë janë lojtarët. Atyre u është bërë e ditur se do të gjobiten me rrogën nëntorit nëse nuk arrijnë të fitojnë tre takimet që kanë mbetur deri në fund të dhjetorit./Panoramasport/