Mbi ç’kriter keni emëruar Fufin drejtor? Rama-gazetarëve: Ecni në shi të zgjoheni nga gjumi

Edi Rama nuk ka nguruar edhe sot të ironizojë gazetarët gjatë një konference për mediat të mbajtur nga qyteti i Elbasanit.

I pyetur se mbi ç’kriter është emëruar Mëhill Fufi drejtor i Transportit në Laç, Rama dha këtë përgjigje për gazetaren: “Rekrutimet i bëjnë institucionet. Duke qenë se është kohë e freskët, u sugjeroj një ecje në shi për t’u zgjuar nga gjumi”.

Kujtojmë që Fufi u përjashtua nga Partia Demokratike, pasi bashkoi votat me mazhorancën. Ai ishte një ndër emrat e dyshuar për precedentë të mëparshëm penal.

Mandej në fjalën e tij Rama pranoi se Metalurgjiku është një gangrenë për qytetin e Elbasanit. “Metalurgjiku është gangrenë e vjetër, ka probleme komplekse. Ajo ndotje pengon edhe investitorët, por ne do të merremi këtë mandat, të bëjmë kthesë edhe aty”, tha Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se rruga Elbasan-Tiranë do të bëhet brenda këtij viti dhe njoftoi se po finalizohet një aks i ri rrugor mes Elbasanit dhe Beratit.

“Kemi dy probleme të trashëguara, dy gropa që kemi bërë përpjekje për t’i mbushur por ende nuk e kemi bërë plotësisht. Kam parasysh rrugën Elbasan-Tiranë dhe rrugën tjetër Qukës-Qafë Plloç, projekte skandaloze. Jemi të vendosur të realizojmë rrugën brenda këtij viti të hapet. Po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur në mandatin e parë mes Elbasanit e Beratit,” tha Rama.

Të tjera

Abissnet