Mbi cilën kushtetutë u betua prokurorja e përkohshme?

Nga Pjetër Ndrea

Deputetët e mazhorancës bënë dje zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ( të përkohshëm). Profesioni i juristit më detyron një opinion, as sulm, as mbrojtje, personash, forca politike, grupe shoqërore, të çdo natyre qofshin, të prononcuara ose jo, po ndjenja si qytetar e intelektual për të mbrojtur ligjin themeltar, Kushtetutën e vendit tim.  Ndjesia që përjeton juristi për shkak të kuptimit të veçantë, në raste të tilla, të rëndësisë dhe pasojave në funksionimin e shtetit të së drejtës, të ardhmes së vendit, është në shkallën më të lartë. Mu duk e arsyeshme t‘u referohem garuesve dhe konkurentit fitues në postin e Prokurorit të Përkohshëm të Republikës, juriste dhe zyrtare me përvojë e tituj, në sistemin e së drejtës.

Duke dëgjuar secilin prej tyre, në dëgjesën para komisionit parlamentar, një prononcim i tyre ishte unik: “Jam përpjekur dhe kam garantuar mbi çdo gjë integritetin profesional e moral dhe kam për motiv mbarëvajtjen e Reformës në drejtësi”. Pas këtij deklarimi solemn, çdo jurist nuk i shmanget dot kureshtjes për të kërkuar një shpjegim për sa vijon: Kush e kujt më shumë se Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, institucioni që themel e bazë të misionit ka “lirinë e individit si e drejtë themelore”, obligohet  të mbrojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë?

Është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligji themeltar i shtetit. A startojnë, një për një dhe pa përjashtim, ligjet e këtij vendi, me fjalinë “ Në mbështetje të pikës-nenit- të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,-Kuvendi i Shqipërisë Vendosi-?

Çdo të thotë parimi i mirënjohur, i gjithëpranuar dhe detyrues i së drejtës se: Kur ligji bie ndesh ose anashkalon detyrimin kushtetues, prevalon kushtetuta, zbatohet e respektohet ajo, në hierarkinë e ligjeve të vendit, ndërsa ligji, në raste të tilla, referohet në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizim si antikushtetues?

Besoni se parlamenti ka tagër të ndryshojë nene të veçanta të kushtetutës, por nuk ka tagër ta shkelë atë me akte të tjera jokushtetuese?

Përmban Kushtetuta ndonjë nen, paragraf, fjali ( se nuk po gjej dot) që i jep të drejtë parlamentit të nxjerrë ligj për emërimin e prokurorit të përgjithshëm, jashtë sistemit të reformës në drejtësi? Cili është shpjegimi leksikor që bën dallimin mes fjalës i “përkohshëm” dhe  mandatit 7-vjeçar kushtetues (po i përkohshëm)?

Sa ndihmoi konkurimi për prokuror të përgjithshëm, jashtë sistemit kushtetues e parametrave të Reformës, për reformën dhe vettingun e vartësve të tij nesër?

Idioma “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë” sjell konkluzionin se nga e “thëna në të bërë shtrihet një mal i tërë”.

Parlamenti (Organ Kolegjial) testoi me një”kurth- konkurim” konkurentët, në të cilin humbën kreditet e integritetit profesional e moral e të qenit prokuror, duke i shitur ato te tregu i interesit përkohshëm personal. Sa besim do të ketë qytetari i këtij vendi, të besojë se një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm apo i përhershëm, i dalë në një situatë të tillë e kritere të tilla, nuk do të cenojë lirinë e tij nesër, nëse kjo do të ushqente interesin e pushtetit?  Së fundi: Mbi cilën kushtetutë dhe situatë parlamentare u betua dje zonja prokurore?

Të tjera

Abissnet