Mbaron prodhimi vendas, rriten me 40% çmimet e agrumeve në prag fundviti

Publikuar më 27. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Pikat e pakicës në kryeqytet i shiten dy ditët e fundit me 40 për qind më shtrenjtë mandarinat, portokallet dhe limonët dhe me gati 20 për qind mollët dhe frutat e tjera për shkak se prodhimit vendas i ka ardhur fundi. Tregtarët pohojnë se po marrin furnizimet me çmime më të larta, teksa në ditët e fundit të javës çmimet do të rriten më tej për shkak të konsumit që sjell festa e ndërrimit të viteve.
Një kilogram mandarina kushtoi sot në tregjet e pakicës 100-120 lekë nga 70 lekë që ishte javën e kaluar. Në të njëjtat nivele u rrit edhe çmimi i portokalleve, ndërsa çmimi i një kilogrami mollë vendi u rrit me 20 lekë.
Llukan Kote, një nga përfaqësuesit e kooperativës së Xarrës, prodhuesi më i madh i agrumeve në vend pohoi për Monitor se prodhimi vendas pothuajse ka përfunduar. Ai tha se prodhimi këtë vit ishte 30 për qind më e lartë, teksa nga ana tjetër edhe tregtia ka qenë shumë e mbarë. Zoti Kote tha se këtë vit Xarra zgjeroi kontratat e importit me Kosovën, Poloninë dhe Rumaninë.
Ai shpjegoi se, mandarina e Xarrës në pjesën dërrmuese të saj ka shkuar në eksport teksa tregu vendas është furnizuar më së shumti nga qytete të tjera. Temperaturat e ulëta të vitit të kaluar nuk kanë sjelle shumë dëme në agrumet Xarrës, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, teksa vende te tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Kroacia kanë pësuar dëme të mëdha.
Kjo ka bërë qe kërkesa për mandarinën shqiptare të rritet edhe më shumë, duke bërë që edhe furnizimet për tregun vendas të jenë të limituara dhe po ofrohen me çmime më të larta. Nga ana tjetër përmbytjet e fillimit të muajit dhjetor dëmtuan prodhimet e stinës, duke bërë që brokoli dhe lulelakra të shiten me çmime dyfish më të larta.
Një kilogram Brokoli kushtoi dje në pikat e pakicës 170 lekë nga 80 lekë që ishte javën e kaluar.
Çmimet e fruta dhe perimeve janë përbërësit kryesor të inflacionit në vendin tonë, pasi përgjatë gjithë vitit ato janë rritur me ritme dyshifrore teksa çmimet e artikujve të tjerë të qëndrueshëm shpesh herë janë paraqitur me rënie./monitor/