Mbappe shuan ëndrrën e Bayern

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Eleminohet nga Champions League skuadra e Atletico e cila barazoi përballë Chelsea. Juventus nuk fal në Pire dhe mposht pastër 2-0 Olimpiakosin

Bayern Munich dominon takimin ndaj Paris Saint Germian dhe fiton 3-1 por nuk arrin të dalë e para e Grupit B për shkak të golavarazhit. Në takimin e parë sfida përfundoi 3-0 për parisienët dhe në ndeshjen e mbrëmshme bavarezët duhet të fitonin me 4 gola diferencë. Bayern Munich zhvilloi një lojë potenciale në pjesën e parë duke arritur të shënojë dy gola. Ndryshe nga ndeshja e parë në Paris ku trajner ishte Ançelotti, këtë radhë me në krye Jupp Heynkess, bavarezët bindin me lojë dhe rezultat. Sfida zhbllokohet që në minutën e tetë falë një goli të polakut Robert Leëandoëski.

Bavarezët gjejnë forcat për të shënuar dhe golin e radhës në minutën e 37 falë mesfushorit Tolisso. Kaq për pjesën e parë. Në fillimin e pjesës së dytë, parisienët shkurtojnë diferencat falë golit të Kylian Mbappe. Bayerni thellon sërish diferencat me anë të Tolissos i cili shënon dopietën e tij personale në këtë takim. Në minutat e mbetura nuk ka ndryshim rezultati. Sfida përfundon me fitoren e gjermanëve. Vendin e parë në grup e mban Psg me 15 pikë po aq sa Bayern por me një golavarazh më të mirë.  Në sfidën tjetër të këtij grupi, Selltik u mposht në shtëpi nga skuadra e Anderleht por arrin të kualifikohet në Europa League. Në Grupin D Barcelona e mbyll si e para e grupit e ndjekur nga Juventus.

Italianët dominojnë takimin ndaj Olimpiakos dhe rrezikojnë shpesh herë mbrojtjen kundërshtare falë lojës së mirë që bëjnë nga krahët Douglas Costa dhe Cuadrado. Sfida u zhbllokua në minutën e 15 me anë  të kolumbianit Juan Cuadrado. Ai mori një asist perfekt nga mbrojtësi brazilian, Alex Sandro. Olimpiakos rrezikoi disa herë të shënonte falë edhe përgjumjes së mbrojtjes italiane. Douglas Costa pati mundësinë e artë të dyfishonte rezultatin në pjesën e parë por ngurroi të godiste topin. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e këtij takimi. Në pjesën e dyte bardhezinjtë kërkojnë golin e qetësisë dhe është Bernardeski në fundin e ndeshjes që shënon golin e dytë. Me fitoren e Juventusit përfundon ky takim.

Në sfidën tjetër mes Barcelonës dhe Sporting Lisbonë, katalanasit triumfuan 2-0. Goli i parë u shënua nga Alcacer ndërsa i dytë erdhi në minutat shtesë nga një autogol i ish-lojtarit të Barçës, Mathie. Sportingu kalon më tej në Europa League. Chelsea dhe Roma janë dy skuadrat e tjera që kualifikohen për 1/16  e Champions League. Blutë e Londrës zhvilluan një ndeshje të vështirë përballë Atletico Madrid. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Në fillimin e pjesës së dytë, Atletico shtang londinezët duke kaluar në avantazh me anë të mesfushorit Saul. Barazimi i vendasve erdhi pak çaste më vonë, ekzaktësisht në minutën e 75 pas një autogoli të Stefan Saviç. Roma-Karabag ishte takimi tjetër i këtij grupi i cili përfundoi me fitoren minimale të italianëve 1-0. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Diego Perotti në minutën e 53. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fundin  e takimit. Roma e mbyll këtë fazë si e para e Grupit C me 11 pikë po aq sa Chelsea por me golavarazh më të mirë në ndeshjet direkte. Ndërkohë që Atletico i dha fund ëndërrës së Ligës së Kampionëve dhe do të luajë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm për klubve, Europa League. në Grupin A, Manchester United e mbyll si e para e grupit me 15 pikë e ndjekur nga Basel me 12 pikë. Anglezët mundën CSKA me përmbysje 2-1 ndërsa zviceranët fituan pa probleme ndaj Benficës 0-2.