Mbajtja e zgjedhjeve në 30 qershor e përkeqëson problemin

Nga Boiken Abazi

Përgjimet janë si qelbi që ka dalë në sipërfaqe, kudo mbi trupin e këtij sistemi, e që tani po plas para syve të të gjithëve. S’duhet harruar se qelbi është i përbërë prej rruazava të bardha që sistemi imunitar çon për të luftuar një sëmundje/infeksion.

Këto përgjime janë të Prokurorisë shqiptare, të brendshme, si antitrupat që prodhon trupi i njeriut. Prokuroria (sistemi imunitar) e ka detektuar herët sëmundjen, por nuk ka vepruar si duhet sepse nuk është sistem biologjik që vepron instiktivisht, e madje nuk është as politike (në kuptimin më të gjerë dhe emancipues të politikës), por është partiake dhe e zbrazur nga interesi publik. Prandaj ajo ka dështuar dhe qelbi partiak është akumuluar e ka plasur përmes një faktori të jashtëm – siç ndodh rëndom – që kësaj radhe e kishte emrin “Bild”.

Rreziku më i madh i brendshëm që i kanoset Shqipërisë nuk është konflikti, por vazhdimi i këtij sistemi që ia ka shkurtuar jetën shumicës së shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë se nga ky sistem shqiptarët kanë vdekur në det e në plehra, në shtëpitë e tyre nga shpërthime municionesh dhe pompash që nxjerrin naftë, në punë në ndërtim e brenda minierave, në protesta, duke thithur ajrin e ndotur e duke pirë ujin e pistë, nëpër spitale nga mungesat dhe shkujdesi mjeksor, të shantazhuar e të vrarë nga kriminielë të lidhur me pushtetin, të vetëvrarë nga dëshpërimi, të prostituar nga banda e të dhunuar e vrarë nëpër familje që riprodhojnë dhunën e sistemit mbi më të dobëtit.

Edhe para krizës politike, Shqipëria ka qenë në një konflikt gjakatar të përhershëm mes pushtetit të kriminalizuar të këtij sistemi të dhunshëm dhe qytetarëve. Ky sistem dhunon e vret përditë. Problemin e thellë të këtij sistemi e kanë krijuar dhe mirëmbajtur vetë partitë politike shqiptare, por ata që janë në pushtet mbajnë përherë më shumë përgjegjësi, e aq më tepër kur janë në mandatin e dytë. Jemi në mes të një krize politike dhe institucionale, por pushtetarët po përjetojnë sot vetëm një pjesë të vogël të krizës së madhe që përjetojnë shqiptarët përditë nga sistemi që po këta pushtetarë kanë ngritur.

Kriza politike e pushtetarëve nuk është kriza e masave të shqiptarëve. Kriza politike e tyre është mundësi që shqiptarët të kërkojnë e të sjellin të renë. Mbajtja e zgjedhjeve në 30 qershor e përkeqëson problemin, ndërsa shtyrja e zgjedhjeve është krejtësisht e pamjaftueshme, sepse problemi nuk është thjesht elektoral. Zgjidhja nuk mund të vijë prej atyre që na kanë sjell në këtë gjendje, dhe as nuk ka për të ardhur nga jashtë.

Që mos të qelbemi më, na duhet besimi tek vetja. Ky besim nuk vjen duke ndejtur vetëm. Ai rritet në organizim dhe mobilizim të përbashkët, jashtë këtij sistemi e kundër tij, për të ringritur veten si komb e si individë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet