MASR këmbëngul: Plotësoni formularin me të dhënat personale

Nga Lindita Bushgjokaj

Edhe pse zyrtarisht u duk se u tërhoq nga mbledhja e ID-ve të prindërve, MARS u kërkon mësuesve që të plotësojnë formularët me e-mail, telefon dhe të dhëna të tjera

Edhe pse Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit dy ditë më parë ka anuluar urdhrin për mbledhjen e kartave të identitetit të prindërve, këta të fundit janë të revoltuar për shkak, se askush nga shkolla nuk i sqaron për motivin e plotësimit të formularit. Të pyetur për gazetën “Shekulli”, prindërit kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për veprimin e MASR, duke e cilësuar të dyshimtë, jo transparent dhe shkelje e privatësisë së personit.

Ndërsa, të gjithë kanë refuzuar ta japin ID-në, pasi ministria nuk ka dhënë sqarime përse kërkohet dhe kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet për transparencën e këtij urdhri. Gjovalin Cjapi, tha se veprimi i ministres është jo profesional, e cila ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën private të personit. “Këto gjëra për fat të keq ndodhin vetëm në Shqipëri. Kush ja jep të drejtën kësaj pseudo-ministreje që të marrë të dhënat personale të prindërve. Të kërkosh të dhënat duhet patjetër që të kesh marr urdhër nga prokuroria, pra, nga shteti dhe jo nga shefat.

E rëndësishme është që këta duhet të jenë profesional në atë që bëjnë, jo qesharak. Unë i kam dhënë emrin dhe atësinë, por asnjëherë numrin e telefonit dhe ID, sepse është flagrante e të drejtës private, si dhe pa asnjë sqarim pse kërkohen. Vetëm me urdhër të prokurorisë mund të kërkosh të dhënat private dhe e shoqëruar me arsyetimin përkatës, por këto rregulla nuk i zbatojnë”. Prindërit e pyetur nga “Shekulli” e shpjeguan me skepticizëm kërkesën e ministrisë për ID e tyre, por tashmë ata nuk besojnë as në argumentin e saj për çështjen e sigurisë së të dhënave të prindërve, pohon Erdita Biqmeti. “Formulari ishte diçka e pashpjegueshme. Mendoj se po bëhet diçka e padrejtë me çdo individ, sepse edhe kur votojmë kërkohet nr. i kartës së identitetit e cila është personale.

Nuk besoj aspak te përgjigja e Ministrisë së Arsimit, se ishte për arsye sigurie në identifikimin e të dhënave tona”. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as dyshimet te shkollat, të cilat duhet ta kishin shoqëruar formularin me një arsyetim, por mungesa e informacionit edhe nga ana e mësueseve i ka shtyrë prindërit që të mendojnë se pas këtij urdhri fshihet një veprim jo i pastër. Ata tashmë vazhdojnë të plotësojnë formularët, por refuzojnë në mënyrë kategorike dhënien e kartës së identitetit, bën me dije Selina Mema. “Identitetin tonë e kanë në certifikatat dhe regjistrat e klasës. Karta e identitetit më duket e tepërt. Ndërsa ende nuk janë tërhequr për plotësimin e formularit, pasi dje ma solli vajza njoftimin nga mësuesja. Nëse ju duhet për një arsye të caktuar, pse nuk e komunikojnë? Nëse ka një mësues që të na thotë arsyen, ne e dorëzojmë pa problem. Epo, derisa as mësuesi nuk ka arsye, nuk është diçka e pastër.

Unë jam shumë dakord për çdo nismë të re, por identiteti jonë, të dhënat personale janë personale dhe të gjendet një mënyrë tjetër për të krijuar portalet”. Elsa Gremeni, një tjetër prind i shqetësuar për qëllimin e MASR për mbledhjen e kartave të identitetit, tha për “Shekulli”-n, se karta e identitetit është një dokument personal dhe i justifikueshëm nëse nxënësit janë maturantë, edhe pse disa prej tyre e plotësojnë moshën për tu pajisur me një dokument të tillë. Elsa bën thirrje mësuesve që të japin një informacion të saktë për motivin e kërkesës së ministres së Arsimit, që zotohet për anulim të urdhrit. “S’ka fare lidhje. Kur të jenë maturantë mbase ju duhet ky lloj dokumenti kaq i saktë, ndërsa fëmija ka ID e vet dhe nuk ka arsye të kërkohet ID e prindit. Ata duhet të na kishin sqaruar për motivin. Ju lutemi mësuesve në shtet që të na japin një arsyetim të saktë dhe bindës”.

Akt prej skizofreni maniakal!

Ish kryeministri i Shqipërisë Sali Bersha, ditën e djeshme denoncoi ministren e Shëndetësisë për aktin e mbledhjes së të dhënave shëndetësore të qytetarëve shqiptar, duke e cilësuar një veprim superpolicesk nga ana e qeverisë shqiptare, i cili nuk është ndërmarrë as nga diktatorët më mizorë të historisë.

“Të dashur miq, manjaku skizofren dhe ndrikulla e tij si ai në krye të shëndetësisë, në një akt të pashembullt në histori kërkojnë të mbledhin të dhënat e fshehta intime shëndetësore, mjekësorë të qytetarëve shqiptarë, të cilat përbëjnë sekret mjekësor dhe personal që nga koha e Hipokratit deri sot. Ky akt superpolicesk dëshmon dhe një herë se për skizofrenin në krye të qeverisë qytetarët e sëmurë të këtij vendi janë thjesht skllevër apo kafshë eksperimentale, për të cilët ky maniak ka të drejtë të dijë çdo të fshehtë intime të trupit, shëndetit, sëmundjeve të tyre. Një kërkesë të tillë nuk e kanë bërë ndonjëherë as dhe diktatorët më mizorë në histori. Kjo kërkesë dëshmon rrezikun e jashtëzakonshëm që paraqet për qytetarët shqiptarë paranojaku në krye të qeverisë së tyre, dhe është një apel për çdo shqiptar që të flakim sa më parë nga pushteti kalbësirën e tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet