Marshim-protestë për Teatrin, regjisori: Mos e dekretoni ligjin, jemi në prag diktature! (VIDEO)

Foto 1 nga 5 Pas Para

Është mbyllur pas afro një ore marshim-protesta e artistëve dhe qytetare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Ata u nisën nga godina e Teatrit në drejtim të Kryeministrisë dhe mandej Presidencës, ku kërkuan mos dekretim të ligjit që i hap rrugë shembjes së TK.

Marshim-protesta e tyre vjen disa ditë pas miratimit në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës të projektligjit që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Protestuesit mbajnë në duar pankarta ku shkruhet: “Pa teatër nuk ka Europë”, ndërsa brohorisnin në kor fjalët: “Eja mblidhuni këtu këtu!”

Regjisori Robert Budina i bëri thirrje presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë ligjin pasi vendi është në prag diktature.

“Ftoj Presidentin e Republikës të kthejë ligjin mbrapsht, pasi kështu i bën nder vetes dhe bashkon shqiptarët. Jemi në prag të diktaturës…Ftoj ata dhe të gjithë të bëhemi bashkë t’i themi jo këtij ligji, t’i themi po kulturës, t’i themi po Evropës”, tha Budina.

Aktori Neritan Liçaj, duke iu drejtuar kryeministri Rama, ka thënë se nuk do ta lejojë që të shkatërrojë artin dhe kulturën në Shqipëri. “Jo me artin, jo me kulturën, jo me vlerat kulturore në vendit tënd. Nuk ta lejojmë”, tha Liçaj.

Aktori Gentian Zenelaj i bëri thirrje presidentit Ilir Meta të mos dekretojë projektligjin që i hap rrugë shembjes së godinës.  “I dashur President i vendit tim bëhu burrë! do jesh i dyti pas Majkos që del nga rreshti. Historia s’mban mend dele, por ata që dalin nga reshti, mbajnë mend ujqër, ashtu siç janë edhe këta burra e gra që janë mbledhur këtu… Mos e njollos vetes me këtë turp”, tha aktori.

“Kjo s’është Tirana që duam”, vijoi ai, “ajo atje do jetë një WC e madhe, siç bëjnë punë publike këtu”. “Duam të jemi kanakare si kroatët dje. S’kanë asnjë më shumë se ne, por s’kanë politikanë si ne”, vijoi Zenelaj. Aktori pati një apel edhe për deputetët dhe ministrat e PS-së, duke u kërkuar që të mos e votojnë sërish.

Në fjalën e tyre aktivistët shprehen se nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, por për mbrojtjen  e demokracisë. “U bëjmë thirrje të githë qytetarëve shqiptarë, të bashkohen. Teatri nuk është vetëm i yni, është edhe i juaji! Poshtë diktatura! Poshtë oligarkët! Të gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë, nuk bëhet fjalë vetëm për teatër, por bëhet fjalë për demokracinë e munguar. Kjo nuk është kauza vetëm e teatrit, por është kauza e demokracisë”, u shpreh një prej organizatorëve në fjalën e tij.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet