Marrëveshja me Serbinë nuk është jetike për Kosovën

Islam Lauka

Presidenti Thaçi dhe ithtarët e korrigjimit të kufijve a shkëmbimit të territoreve me Serbinë po e paraqesin nënshkrimin e marrëveshjes me tё si çështje jete a vdekjeje për Kosovën. E konceptuar si e tillë, për ta, ajo përjashton çdo diskutim për çmimin e saj. Edhe me çmimin e rëndë të dorëzimit të një pjese të territorit ose të dhënies së pushtetit ekzekutiv Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS). Në rast të kundërt, paralajmërojnë ata, vazhdimi i statukuosë do ta bëjë Kosovën një vend të izoluar, jashtë OKB-së, jashtë BE-së dhe NATO-s. Në këtë logjikë, veten e tyre e rreshtojnë midis forcave të përgjegjshme që, nëpërmjet marrëveshjes me Beogradin, duan ta shpëtojnë Kosovën, ndërsa të gjithë kundërshtarët e tezave të tyre, si të papërgjegjshëm dhe varrëmihës të vendit të tyre.

Në një postim të tij të ditëve të fundit, Presidenti Hashim Thaçi vlerësoi si të vetmen të keqe të Kosovës, ata që nuk duan marrëveshje paqësore me Serbinë. Në këtë kategori ai futi opozitën dhe “disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile, të cilët nuk nguroi t’i akuzojë për “propagandë të paskrupulltë” kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë që, sipas tij, mbështesin fuqimisht Kosovën për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, qoftë edhe nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Po në këtë postim, ai ripërsëriti idenë e referendumit popullor, në të cilin, qytetarët duhet të zgjedhin a janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, që i siguron Kosovës anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë të izoluar dhe në hasmëri me shtetet fqinje. Pasi lexon këto vlerësime e konsiderata të Presidentit të vendit, pyetja e parë që kërkon përgjigje është: vërtet, nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë është interes jetik, pra çështje jete a vdekjeje për Kosovën? Dhe më tej, a ia vlen që ajo të nënshkruhet me çdo lloj çmimi? Në gjykimin tim, pavarësisht rëndësisë së saj aktuale, marrëveshja Kosovë – Serbi nuk mund të klasifikohet si interes jetik për Kosovën.

Natyrisht , ajo përbën interes të rëndësishëm dhe do të ishte mirë që të arrihej nënshkrimi i saj, por nuk është e atij karakteri, sa të thuhet që pa të, Kosova nuk merr dot frymë. Siç ka jetuar dhjetë vjet pa marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ajo mund të vazhdojë të jetojë edhe vite të tjera, pa të. Të tjera janë interesat jetike të Kosovës, si siguria kombëtare, mbrojtja e territorit, e popullsisë, e rendit kushtetues, ngritja e mirëqenies së popullit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet me Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO-n, etj. Duke mos qenë jetike, është i pathemeltë argumenti se marrëveshja me Serbinë duhet të nënshkruhet me çdo lloj çmimi.

Pyetja e dytë që kërkon përgjigje është: vërtetë, vazhdimi i statukuosë së tanishme do të kishte pasoja kaq fatale për Kosovën si izolimi, mosanëtarsimi në OKB, BE dhe NATO? Nuk është hera e parë që argumenti i statukuosë shfrytëzohet për të motivuar vendimmarrjen. Në rastin e Kosovës ai është shfrytëzuar nga Presidenti Ahtisari, gjatë procesit të statusit. Me të drejtë , ai argumentoi se nuk mund të vazhdohej statukuoja e atëhershme, se ishin shterur të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme midis palëve, se vazhdimi i mëtejshëm i bisedimeve Kosovë – Serbi për statusin, ishte pa kuptim dhe se, në këto kushte, pavarësimi i saj ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme për Kosovën, Serbinë dhe rajonin. Statukuoja e sotme është e re, cilësisht e ndryshme nga ajo për të cilën fliste Ahtisari. Sot, Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm, i njohur nga shumica e shteteve të botës dhe i legjitimuar nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , sipas të cilit, Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ndryshe nga atëherë, nuk janë shterur të gjitha mundësitë për marrëveshje me Serbinë dhe vazhdimi i bisedimeve me të, nuk është pa kuptim. Por këto bisedime duhet konceptuar si të barabarta, midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Dhe përfundimi i tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë, brenda kufijve ekzistues, e fiksuar kjo në marrëveshje, juridikisht të detyrueshme. Nëse Serbia nuk e pranon këtë kusht, por kërkon të na imponojë kushtet e saj, marrjen e territorit në veri të lumit Ibër, ose dhënien e kompetencave ekzekutive BKS-së, atëherë, sipas mendimit tim, është më mirë vazhdimi i statukuosë së tanishme, se sa ndryshimi i saj në favor të Serbisë . Janë të paqëndrueshme argumentet e mbështetësve të tezës së shkëmbimit të territoreve, se marrëveshja me Serbinë është çelësi magjik për zgjidhjen e të gjitha problemeve të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në OKB. Ata duhet ta dinë që anëtarësimi në këtë organizatë nuk jep asnjë garanci për shtet të konsoliduar dhe funksionues. Nuk janë të pakta shtetet anëtare të OKB-së që klasifikohen si të dështuara. Ashtu siç ka plot raste që shtete, për periudha relativisht të gjata, jashtë OKB-së, kanë njohur nivele të larta zhvillimi (Austria, Zvicra, Kina). Ka shumë të ngjarë që një Kosovë me ulëse në OKB, por pa veriun e saj, ose me pushtet ekzekutiv të BKS-së të përfundojë në listën e shteteve të dështuara.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Libri që jeton

Natasha Lako Nuk e di përse, para se të flas për Panairin e sivjetmë të librit, veçoj menjëherë nga shkrimtarët…

Abissnet