Marramendja, shkak temperaturat e larta apo problem shëndetësor?

Vera është stina kryesore kur shfaqen problemet e veshëve. Mjekja e ORL, Anjeza Kuçi flet lidhur me problematikat që ka ky organ gjatë periudhës së nxehtë. Në rast se has probleme dhe marrje mendsh, pacienti t’i drejtohet urgjencës

Mund të jete një “surprizë” e pakëndshme për ju, në mesin e pushimeve, të ndjeni krejt papritur dhimbje veshi. Vera është stina kryesore kur shfaqen problemet e veshëve. Të gjitha ata që notojnë, udhëtojnë dhe eksplorojnë hapësirat e mëdha mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore për çështjet e veshit. Mjekja specialiste e ORL-së, Anjeza Kuçi, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet plus”, flet lidhur me problematikat që ka ky organ gjatë periudhës së nxehtë. “Jemi në sezonin e verës dhe patologjitë  më të shpeshta për të cilët pacientët tanë ankohen janë: infeksioni i kanalit të jashtëm të dëgjimit, që si rezultat i komplikacioneve mund të shkojë deri në infeksion të daulles së veshit të mesëm”, thotë doktoreshë Anjeza. “Një patologji tjetër që na shqetëson është sindromi vertiginoz (Vertigo ose sindromi vertiginoz është ndjesia e rrotullimit, në të cilën individi ndjen sikur çdo gjë rreth tij është duke lëvizur ose rrotulluar). Në këtë periudhë  si rezultat  i ndryshimit  të temperaturave bëjnë që sindromi vertiginoz të jetë një nga patologjitë që na shoqëron më shumë gjatë stinës së verës. Përveç infeksionit të kanalit të jashtëm të dëgjimit”.

Shkaqet që çojnë në probleme me dëgjimin?

Veshin e ndajmë në 3 pjesë që janë: veshi i jashtëm, ku futet llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit; veshi i mesëm, ku futet membrana timpanike apo daullja e veshit dhe kaviteti timpanik; dhe veshi i brendshëm, ku janë vendosur dy organe kryesore, si ai i dëgjimit dhe ekuilibrit, nga ku nisin fillesat e nervit të tetë të kokës, atij stato-akustik apo të dëgjimit dhe ekuilibrit.  Problemet e dëgjimit, që nisin në veshin e jashtëm kanë të bëjnë me bllokimin mekanik nga prezenca e dyllit apo edhe infeksione të kanalit të jashtëm gjatë periudhës së verës si otitet eksterne apo edhe te pacientët me patologji të lëkurës së kanalit si dermatitis atopik apo ekzema. Patologji të tjera mund të jenë edhe zgjerimet kockore të kanalit të jashtëm apo eksostozat. Në sëmundjet e veshit të mesëm, që shoqërohen me rënie të dëgjimit janë otitet mediakronike apo infeksionet kronike të daulles së veshit, me daullen e çarë, otoskleroza apo ngurtësimi i kockave të dëgjimit në rrugën e transmetimit të tingullit, kolesteatoma apo tumori beninj i veshit të mesëm me aftësi shtrirëse deri në veshin e brendshëm etj. Në sëmundjet e veshit të brendshëm, që ne na shqetësojnë dhe shoqërohen me dëmtim të konsiderueshëm të nervit të dëgjimit, janë sëmundja e Menierit apo sëmundja tipike e veshit të brendshëm apo VESHI i MESIT, siç njihet si term anatomikisht i gabuar nga pacientët dhe ndonjëherë thuhet edhe nga mjekët e përgjithshëm. Dëmtimet kronike të nervit të dëgjimit, që vijnë nga krizat e herëpashershme, bëhen të qëndrueshme dhe ndonjëherë të parikthyeshme dhe shoqërohen me rënie të konsiderueshme dhe zhurmë në vesh.

Kujdesi që duhet të bëjnë pacientët që kanë probleme me marramendjen gjatë kësaj periudhe. Si ta kuptojmë kur marramendja vjen nga i nxehti dhe kur vjen për shkak të një problematike shëndetësore?

Në rastin që ne kemi krizën e parë atëherë rekomandohet që pacienti të shkojë në urgjencë. Maten parametrat vital, pra matet tensioni, bëhen analizat laboratorike, nëse mund të jetë ndonjë çrregullim nga problemet diabetike, problemet e anemive etj. Nëse pas konsultës arrihet në përfundimin që të gjitha parametrat vital rezultojnë normal, atëherë pacienti kalon në shërbimin e ORL-së,  për të parë problemet e veshit të brendshëm (kjo nëse është kriza e parë). Gjithmonë e sqarojmë që në sëmundjen e veshit të brendshëm, nuk e dimë asnjëherë kur mund të shfaqet kriza tjetër. Mundet që me ndryshimin e temperaturave ose me çrregullimin e patologjive të tjera, kriza e veshit të rishfaqet përsëri. Rekomandojmë që pacientët të mbajnë nën kontroll  të gjithë parametrat vital: tension, diabet, analizat laboratorike; mos të qëndrojnë për një kohë të gjatë në temperatura  të larta, mund të jenë pacientë që mund të kenë alergji të ndryshme, pra të mbajnë nën kontroll të gjitha çrregullimet që ata mund të kenë në organizëm. Përmend dhe një herë, që të mos të dalin në orarin/në pikun e temperaturës, megjithatë edhe nëse ndodh, në çdo rast të dalin me syze. Të gjitha patologjitë të mbahen nën kontroll, sidomos për brezninë e tretë.

Cili është kujdesi për veshët, në momentin që biem në kontakt me pishinën, plazhin ?

Pacientët që kanë sëmundje kronike të kanalit të jashtëm të dëgjimit, të tipit: ekzemë, çarje të daulles së veshit, infeksione kronike të daulles së veshit rekomandojmë gjithmonë që të përdorin; tapat, si dhe të thahet veshi me tharëse flokësh pasi del nga dushi, apo nga pishina. Nëse pas 24 orësh kontakti me ujin, vazhdon kruarja, dhimbja, si dhe pacienti ka vështirësi në hapjen dhe mbylljen e gojës, duhet patjetër të vi tek mjeku ORL për t’u mjekuar.

A është kabineti i ORL-së i ngarkuar gjatë kësaj periudhe?

Ne jemi gjatë gjithë vitit të ngarkuar duke qenë se kemi 3 organe kryesore, të cilat bëhen problematike në periudha të caktuara të vitit. Por sidomos në stinën e verës, kabineti i ORL-së sa i përket infeksioneve të veshit qëndron në krye. Sidomos në periudhën e gushtit kur të gjithë specialitetet e tjera mund të marrin leje, ne jemi prapë në punë.

Po bajamet, a janë problematike në këtë kohë?

Po! Bajamet janë problematike si rezultat i ndryshimit të temperaturave, si rezultat i kondicionerëve, kalimi nga ambienti i ngrohtë, në ambiente më të ftohta etj.

Pas vendosjes në Lanabregas, 70 familje në vështirësi për shërbim shëndetësor

Komuniteti rom dhe egjiptian, i vendosur në zonën e Lanabregasit, po përballet me vështirësinë e aksesit në shërbimin shëndetësor. Transferimi i banorëve, nga Bregu i Lumit, në zonën e Lanabregasit, solli disa problematika, të cilat duket se nuk ishin parashikuar aq më pak sistemuar para se banorët të vinin aty.  Ndërkohë, në Ditën Botërore të Romëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra sociale në Shkozë, prezantoi programin e shërbimit shëndetësor dhe social në komunitet, i cili sipas saj garanton shërbime afër vendbanimit për kategoritë vulnerabël, posaçërisht për komunitetin rom dhe egjiptian. Situata tregon sot, se këta banorë jo vetëm që nuk kanë lehtësi aksesi në shërbimin shëndetësor, por as nuk po gjendet një zgjidhje për përmirësimin e situatës.  Kjo çështje po ndiqet nga aktivistë, të cilët mbrojnë interesat e këtij komuniteti. Kjo çështje është adresuar nga ata edhe tek institucionet përgjegjëse, e përveç kësaj kanë propozuar edhe zgjidhje.

Drejtues i Qendrës “Aksion Komunitar” Ervis Daka: Aksesi në shërbim shëndetësor, i vështirë

Në zonën e Lanabregasit të qytetit Tiranës,  jetojnë rreth 70 familje Rome dhe Egjiptiane.  Në muajin dhjetor të vitit 2017 familjet u vendosen në banesat e ndërtuara nga Bashkia  Tiranë. Me zhvendosjen e këtyre familjeve në këtë zonë, lindi nevoja për lehtësimin e proceseve për të siguruar aksesin në shërbimet publike bazë siç janë:shëndetësia, arsimi, gjendja civile etj. Të ardhurat e këtyre familjeve burojnë kryesisht nga të ardhurat informate, si për shembull: mbledhja dhe shitja mbetjeve të riciklueshme. Arsimimi i familjeve është në nivele shumë të ulëta dhe thuajse pjesa më e madhe e tyre janë analfabet.  Nga vizitat në terren nga grupi i aktivistëve, janë identifikuar të sëmurë kronikë të cilët kanë nevojë për vizita të vazhdueshme si dhe persona të prekur nga sëmundje infektive. Përkeqësimi i situatës shëndetësore pengon në zhvillimin e jetës së përditshme. Të ekspozuar ndaj rrezikut për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme janë edhe fëmijët, numri i të cilëve deri në 200. Ndërkohë numri i personave që i përkasin moshës së tretë arrin 30 persona.  Familjet po përballen me një shqetësim madhor përsa i përket marrjes së shërbimit shëndetësor për shkak të distancës së largët të qendrës shëndetësore. Qendra më e afërt është Qendra Shëndetësore Shkozë, me një distancë prej 2.3 km e përkthyer në 33 minuta nga vendbanimi tyre.  Kosto financiare e transportit sidomos për familjet e varfra dhe të sëmurët kronikë është e papërballueshme, të cilët duhet të shkojnë shpesh në qendrën shëndetësore.

Si mbulohen me shërbim shëndetësor banorët që u vendosën në Lanabregas?

Që prej zhvendosjes së banorëve në zonën e Lanabregasit, një pjesë e familjeve nëpërmjet shërbimeve të projekteve, aktivistët kanë bërë transferimin e shërbimit mjekësor nga qendra shëndetësore (piloklinika nr.10), e mëparshme pranë qendrës Shëndetësore në Shkozë. Por shumica e banorëve nga minoriteti Rom/ Egjiptian vazhdon që çdo problem ti drejtohen spitalit Nënë Tereza. Kur tentojnë të marrin shërbime në qendrën shëndetësore në Shkozë, ka patur raste që nuk iu ofrohet shërbim pasi mund të rezultojë tek qendra shëndetësore  e mëparshme pra nuk i është bërë transferimi, ose nuk  marrin paciente për shkak se kanë kaluar numrin 3000 pacientë.

A ka pasur përplasje midis mjekëve dhe qytetarëve, lidhur me të drejtën për shërbim shëndetësor?

Ka patur raste kur ne kemi shoqëruar anëtarë nga komuniteti për të hapur kartelë të re mjekësore dhe të lidhet me një mjek familje dhe na duhej të pyesnim që  kush nga mjeket ka më pak pacientë pasi ato kishin arritur 3000 mije pacient. Mjekët delegonin pacientët tek njëri tjetri dhe kjo për banorët ishte një situatë e pakëndshme. Në sy të pacientëve ato ankoheshin se nuk mund të regjistronin më pacientë dhe orientimi i fundit ishte tek drejtoresha. Kjo situatë bën që banorët mos të kenë me besim në marrjen e shërbimit mjekësor.

Cilat janë pretendimet e banorëve?

Banorët dëshirojnë që të kenë një qendër shëndetësore pranë vendbanimit të tyre, dëshirojnë të ndërtohet një qëndër e re shëndetësore e cila ofron më shumë shërbime.

Cilat janë pretendimet e institucioneve? A premtojnë zgjidhje?

Pas dërgimit të një peticioni i firmosur diku nga 70 familje, te minoritetit Rom/ Egjiptian por dhe banorëve të zonës, kjo drejtuar MSSH, nga takimet e zhvilluara me administratorin e njësisë Dajt dhe përfaqësues të MSSH, është premtuar se do të ndërtohet, deri më tani qendra për Aksion Komunitar  ka në disponim planvendosjen se ku mund të ndërtohet qendra shëndetësore. Jemi të kufizuar për informacione që lidhen me procesin e ndërtimit dhe nuk dimë akoma se çfarë ka planifikuar MSHMS.

Ushqimet që duhet të konsumoni pas  moshës 50 vjeç

Nuk është sekret që kur plakemi, trupat tanë fillojnë të bien. Aktivitete të caktuara, të cilat dikur ishim të gëzuar t’i bënim, fillojnë na rëndojnë dhe disa nga ushqimet tona të preferuara nuk mund të pajtohen me ne shumë mirë. Për fat të mirë, ekzistojnë të gjitha llojet e ndryshimeve që mund të bëni për të ngadalësuar procesin e plakjes. Ushqimi i një diete të ekuilibruar është një nga gjërat më të mira që mund të bëni për të zgjatur jetën tuaj dhe të qëndroni sa më të shëndetshëm të jetë e mundur. Këtu janë disa ushqime që janë të mira për ju në çdo moshë, por kanë përfitime të veçanta për ata mbi 50 vjeç.

-Mollët. Një mollë e madhe siguron 5gr fibër mbrojtës të zemrës dhe kërkimet kanë treguar se të hash një mollë në ditë ul jo vetëm kolesterolin e keq (LDL), por ju ndihmon të qëndroni në formë të shkëlqyer.

-Fruta të thata. Nga studimet e bëra është vënë re se nëse konsumoni rreth 28 gramë fruta të thata në ditë, zvogëloni me 28% rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës dhe vdekjeve që vijnë si pasojë e sëmundjeve të zemrës.

-Tërshëra. Tërshëra është e pasur fibra të quajtura beta glucan dhe konsumimi i 3gr të kësaj fibre në ditë ul me 5-10% nivelin e kolesterolit të keq (LDL). Njerëzit që konsumojnë rregullisht tërshërë apo drithëra të tjera integrale janë gjithmonë më pak të predispozuar ndaj rrezikut të vdekjes së hershme.

-Kos. Kosi, sidomos kosi i bërë vetë ju siguron proteina të një cilësie të lartë. Kosi është një burim i mirë kalciumi, një element që gratë mbi moshën 50 vjeç dhe burrat mbi 70 vjeç e kanë të nevojshme në sasi të lartë, për të mirëmbajtur shëndetin e kockave.

Taratori, një zgjidhje shumë e mirë për ditët e nxehta

Gjatë ditëve të nxehta të verës fillojmë të konsumojmë më pak ushqime. Prandaj këshillohet përdorimi sa më i madh i frutave dhe perimeve të stinës. Por, përveç këtyre, një ushqim tjetër, tradicional, është edhe taratori. Familjet shqiptare e kanë përdorur shumë dhe ne do e sugjeronim ta përdorni vazhdimisht. Taratori është një pjatë e lehtë dhe një opsion shumë i rëndësishëm për të mbrojtur organizmin nga infeksionet mykotike. Taratori është një ushqim që lufton fuqishëm infeksionet, kryesisht ato të tipit mykotik. Ai ka vlera të larta ushqyese, falë përbërësve të tij, kosit, hudhrës, kastravecit, kripës dhe vajit të ullirit. Një nga përbërësit e tij kryesor është hudhra, që shërben si antibiotiku më i mirë natyral për organizmin e njeriut. Hudhra ka efekte të jashtëzakonshme për shëndetin. E quajtur ndryshe si “armike” e mikrobeve, hudhra i shërben organizmit të njeriut si një antigjent ndaj inflamacioneve dhe infeksioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet