Mark Perdeda: Denoncuam kreun e OSHEE-së Pukë, prokuroria mbylli dosjen

Ish-punonjësi i OSHEE-së, Mark Perdeda, denoncon te “Shekulli”, shpërdorimin e detyrës së drejtorit Ndue Nikollaj për vite me radhë. Dhjetëra biznese furnizohen me energji pa kontratë. Prokuroria shpall të vërteta pretendimet e palës kallëzuese dhe më pas fshihet dosja hetimore

Enida Vërça

Mark Perdeda, ish-punonjës i OSHEE-së, dega Pukë, denoncon në gazetën “Shekulli”, se si drejtori Ndue Nikollaj në bashkëpunim me punonjës të tjerë kanë abuzuar për vite me radhë me bazën materiale dhe energjinë elektrike. Perdeda tregon se së bashku me një grup tjetër specialistësh  kanë konstatuar abuzime me detyrën, pasi shumë kontrata të lidhura kanë punuar pa matësin e energjisë elektrike. E gjithë kjo ka sjellë dëme të mëdha në këtë sektor. Pas shqetësimit të ngritur prej tyre, duket se e gjithë kjo nuk është marrë parasysh nga drejtuesi, duke bërë që punonjësit të kallëzojnë në prokurori çështjen. “Ne kemi qenë në marrëdhënie pune me OSHEE, dega Pukë, kur konstatuam se drejtuesi i OSHEE Pukë, Ndue Nikollaj po abuzonte me detyrën. Një grup punonjësish e ngritën zërin lidhur me abuzimet që Ndue Nikollaj po kryente me OSHEE dega Pukë. Ky komunikim i drejtpërdrejtë nuk pati efekt. Më datë 16.02.2016 , grupi specialistëve, konkretisht Mark Perdeda, Isa Toskaj, Hysen Brahimi dorëzuan në sekretarinë e Prokurorisë të rrethit Pukë kallëzim penal për Ndue Nikollajn për vepër penale që parashikon neni 248 Kodi Penal, për shpërdorim detyre”, thotë ish-punonjës i OSHEE-së për “Shekulli”-n. “Kujtojmë se kryerja dhe mos kryerja me dashje e veprimeve a mosmarrëveshjeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse përbën vepër tjetër penale dënohet deri në shtatë vjet. Në zbatim të dispozitës së sipërpërmendur,  i kallëzuari Ndue Nikollaj ka konsumuar tërësisht elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, deklaroi ai për “Shekulli”-n Mark Perdeda.

Hetimet e prokurorisë i gjejnë të drejta akuzat

Gjatë hetimeve u konstatua se të gjitha pretendimet e ish-punonjësve të këtij sektori ishin të drejta duke u pohuar se ka pasur abuzime të shumta. “Prokuroria e këtij rrethi me prokuror Ardian Nezhën dhe oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Hasani nisën hetimet në lidhje me pretendimet që kishim parashtruar në kallëzimin penal. Fillimi na u duk i mbarë, por pas pak kohësh gjithçka ndryshoi. Pas një kohe afërsisht 3-mujore në OSHEE dega Pukë erdhi një punëtor i ri me emrin Arben Morina, i cili është i vëllai i drejtuesit të Prokurorisë Pukë. Punësimi i Arben Morinës ishte direkt konflikt interesi pasi çështja penale ishte në hetim nga prokuroria e Pukës. Filluam të dyshonim te hetimet që po kryente prokuroria e Pukës lidhur me kallëzimin penal. Prokurori Ardian Nezha në bashkëpunim me oficerin e policisë gjyqësorë Hasan Hasani pas këtij momenti tjetërsuan të gjithë fashikullin e dosjes”, dëshmon ai. Më tej shton se gjatë kësaj periudhe ky institucion nisi edhe largimin e tyre nga puna pa asnjë motivacion. “Gjatë kësaj kohe institucioni ku ne ishim të punësuar filloi largimin tonë nga puna. U larguam pa asnjë motivacion 12 punonjës nga puna, prandaj gjykata, me vendim të formës së prerë, i ka dëmshpërblyer në disa milionë lekë. Në përfundim të hetimeve prokuroria provoi se kallëzimi i bërë nga ana jonë ishte i vërtetë”, thotë ai.

Prokuroria me vendim të njëanshëm

Duket se asgjë nuk mbaron me rezultatet e Prokurorisë, e cila i jep të drejtë kallëzimit për pretendimet e ngritura nga këta ish-punonjës. Perdeda thotë se Prokuroria ka dërguar në gjykatë 4 persona të tjerë, të cilët janë po punonjës të kësaj agjencie. Sipas tij, në këtë çështje, prokuroria ka bërë gjykim të njëanshëm dhe jo transparent, për akuzuat e ngritur nga ish-punonjësit e OSHEE-së. “Organi i Prokurorisë Pukë më datë 14.06.2017 vendosi të dërgojë për gjykim procedimin penal nr 13/2016 me katër të pandehur ish-drejtues në OSHEE Pukë për vepër penale që parashikon neni 248 i Kodit Penal. Kushdo që ta shohë dosjen 13/2016 do të vërejë se hetimi është bërë i njëanshëm dhe jo transparent. Është e habitshme dhe jo profesionale përjashtimi nga përgjegjësia penale e shtetasit Ndue Nikollaj, i cili me veprime dhe mosveprime i ka shkaktuar OSHEE-së një dëm ekonomik të jashtëzakonshëm dhe kjo ka ndodhur për qëllime përfitimi për vete dhe për persona të tjerë. Është vërtetuar fakti se në administratë (punonjës të OSHEE) të thirrur nga hetuesia dhe gjykata kanë deklaruar se urdhrat i kanë marrë nga Ndue Nikollaj, ku ky i fundit i ka pranuar fajin. Theksojmë se dy shkallët e gjyqësorit për katër ish-të pandehurit kanë vendosur pafajësi të formës së prerë. Pra, kjo vërteton se hetimi është i njëanshëm dhe jo transparent”, akuzon Perdeda.

Abuzimi

Në kallëzimin penal të ngritur nga ish-punonjësit thuhet se shefi i agjencisë së OSHEE Pukë, Ndue Nikollaj ka shkaktuar dëme ekonomike të konsiderueshme. Sipas tyre janë të shumtë bizneset të cilat kanë punuar pa kontratë.  “Firma “Arifaj”, ka kryer punimet në rikonstruksionin e rrugës automobilistike nga Berdheti në Iballë në një gjatësi rreth 40 km dhe është furnizuar me energji elektrike pa kontratë. Antena në Qafë-Mali është furnizuar me energji pa kontratë në rrugë abuzive, ku kohët e fundit është vendosur një matës fals për të mbuluar veprimet abuzive. Kontrata private 93501 e një kompanie celulare ka vite që nuk ka vulë boksi dhe është me lexim zero etj”, thuhet në kallëzimin e ngritur prej tyre. Janë kryer zëvendësime në  TM dhe TU duke demontuar përcjellësin e bakrit dhe vendosur përcjellësin e aluminit të amortizuar, e marrë te përgjegjësi i OST Fushë-Arrëz, pjesa e demontuar bakër në fidrin Ares-Miliska, Qafë-Mali, Luf dhe qytetit Pukë, kjo sasi bakri nuk është bërë hyrje në magazine. Janë kryer mbivendosje kontratash me urdhër të z. Ndue Nikollaj”, thuhet mes të tjerash në kallëzimin penal.

Prokuroria e Pukës pranon akuzën për ‘shpërdorim të detyrës’

Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pukë, më datë 25.10.2017 bën me dije se ka regjistruar procedimin penal nr. 13, viti 2016, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”. “Pas kryerjes së veprimeve hetimore proceduriale si dhe pas verifikimit dhe analizës së provave të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pukë, më datë 14.06.2017 ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal nr 13/2016, me të pandehurit shtetasit: Pashk Deda, me detyrë ish-shef i shitjes së filialit OSHEE, dega Pukë, Pjetër Leka me detyrë ish-shef i Faturim-Arkëtimeve në filialin OSHEE, dega Pukë. Ndue Filipaj me detyrë ish-Shef i Teknikës në Filialin OSHEE, Dega Pukë si dhe Pal Mbrozi me detyrë Shef i teknikës në Filialin OSHEE, Dega Pukë, të cilët janë akuzuar në harkun kohor të vitit 2015-2016 dhe kanë kryer veprën penale të “shpërdorim të detyrës. Çështja penale në fjalë vazhdon të jetë në gjykim respektivisht në Gjykatën e Apelit Shkodër për dy të pandehurit Pjetër Leka dhe Ndue Filipaj (të gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar) dhe ne Gjykatë e Shkallës së Parë Pukë për të pandehurit Pashk Deda dhe Pal Mbrozi ( të gjykuar me procedurë të Gjykimit të Zakonshëm). Në sqarim të kërkesës suaj ju bëjmë me dije se, kërkesa juaj e datës 17.10.2017 është përsëritur. Konkretisht me dt 28.06.2017 ju i jeni drejtuar Prokurorisë Pukë me një kërkesë të tillë dhe nga ana e kësaj Prokurorie me shkresën nr. 1703 dt. 06.07.2016 iu është bërë me dije ecuria e kësaj çështjeje dhe mënyra e përfundimit të saj. Njëkohësisht, më dt 28.06.2016 ndaj vendimit të organit të procedurës, konkretisht të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë në lidhje me përfundimin e hetimeve të çështjes penale nr. 13, viti 2016 dhe dërgimin e kësaj çështje për Gjykim nga ana e shtetasve Mark Perdeda, Isa Toskaj dhe Hyesn Ibrahimaj, është bërë ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë, Pukë pasi ata nuk ishin dakord në lidhje me dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve Pashk Deda, Pal Mbrozi, Pjetër Leka dhe Ndue Filipaj duke pretenduar se ndaj shtetasit Ndue Nikolli nuk janë kryer hetimet”, thuhet në kthimin e përgjigjes së Prokurorisë Pukë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet