Mark Marku: Ligji për arsimin të zgjidhë ngërçin në Universitetin e Tiranës

Nga Lindita Bushgjokaj

Pedagogu i gazetarisë dhe kordiantori i Forumit për Liri Akademike, tregon për “Shekulli”-n, se në çfarë do të ndodhë për kërkesat drejtuar qeverisë, duke theksuar se Ministria e Arsimit kërkoi kohë për t’iu përgjigjur pedagogëve

Pedagogu i gazetarisë dhe kordiantori i Forumit për Liri Akademike Mark Marku, tregon për “Shekulli”-n, se Ministria e Arsimit ka kërkuar kohë për të kthyer përgjigje kërkesave të tyre. Aktualisht pedagogu Marku thekson rëndësinë e seriozitetit për të biseduar çështjet problematike që kanë krijuar krizë në universitet dhe për këtë arsye e gjykon të arsyeshme kohën prej dy javësh, për të kuptuar njëkohësisht dhe qëllimin real të ministrisë ndaj kërkesave të tyre. Sfida jonë nuk është të ndryshojmë ligjin, por ta ndryshojmë pozitivisht në funksion të zgjidhjes së ngërçit që prej kohësh ka përfshirë Universitetin e Tiranës, tha Marku.

Z.Marku, çfarë po ndodh me kërkesat që i keni dërguar MASR, pasi data e 10 marsit që kishit vendosur si ultimatum për kthimin e përgjigjes ka kaluar, ju shqetëson vonesa?

Jo, sepse ministrja ka thënë se do të kërkojmë pak kohë. Kanë sjellë një grup auditimi në universitet dhe menjëherë do të fillojmë diskutimet.

Sa do jetë afati i përgjigjes nga ana e ministrisë kësaj herë apo ende nuk është përcaktuar?

Ne jemi duke biseduar për këtë edhe për kërkesat e tjera, sepse ajo ka qenë vetëm njëra prej kërkesave. Në fakt, ne kemi kërkuar auditim 10-vjeçar, jo auditim kërkesash, kështu që realizohet pjesërisht. Ne kemi 11 kërkesa dhe do të bisedojmë, sepse thelbësore për ne nuk ka qenë koha, por bashkërisht vendosëm datën 10 mars për të filluar bisedimet. Ministrja ka komunikuar me mua si kordinator i Forumit për Liri Akademike, ka dërguar një përgjigje zyrtare, dhe në emër të forumit i kemi thënë që si fillim të caktohet një datë dhe më pas hapat konkretë, jemi në këto tentativa.

E gjykoni të arsyeshme  kohën e kërkuar nga Ministria e Arsimit apo është një pretekst për të vonuar përgjigjen?

Neve nuk na shqetëson koha, por edhe kjo nuk pret. Për ne është e rëndësishme që të fillojmë bisedimet seriozisht për problemet që ka universiteti. Ndërsa koha mund të jetë një javë ose dy, por nuk mund të jetë e pakufizuar. Janë disa kërkesa me afat kohor të ngutshëm, pasi edhe sikur të fillojmë të bisedojmë dhe të biem dakord për zgjidhjen e tyre, normalisht që do të duhej kohë.

Keni marrë ndonjë reagim nga MASR që ju bën të mendoni pozitivisht në realizmin e tyre?

Unë besoj se po. Ne garantojmë seriozitetin tonë dhe nuk paragjykojmë, nuk kemi arsye të themi se ministria po justifikohet, kjo mbetët për tu vërtetuar për një ose dy javë për të kuptuar nëse ministria po përdor justifikime apo vërtet ka nevojë për kohë për të filluar diskutimet.

Ju si e gjykoni çështjen e kohës të kërkuar nga MASR?

Unë mendoj se kërkesat për tu diskutuar nuk kërkojnë kohë, por për zgjidhjen e tyre duhet kohë. Ne kemi shtruar si kërkesë që të amendohet Ligji për Arsimin e Lartë në disa pika, i cili ka krijuar probleme në universitet dhe kjo nuk mund të bëhet menjëherë, por duhen dy ose tre muaj, sepse ideja jonë është që të mos kushtëzohemi nga presionet. Ndryshimet duhet të jenë të vetëdijshme, pasi ligji ka krijuar këto probleme dhe duhen bërë mirë. Ne, nuk kemi sfidën që të ndryshojmë ligjin, por ta ndryshojmë në mënyrë pozitive dhe këto probleme që janë verifikuar të mos ekzistojnë për universitetin.

Z.Marku, jeni në fazë bisedimesh me Ministrinë e Arsimit, por ende nuk keni një përgjigje për plotësimin e kërkesave të shtruara në emër të forumit?

Përgjigja shumë shpejt, që do të thotë se brenda një jave do të përcaktojmë një agjendë, pasi vetëm kështu do të funksionojë. Një agjendë për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhjen e problemeve. Ne jemi njëra palë dhe garantojmë seriozitetin tonë, nuk garantojmë të njëjtën gatishmëri dhe seriozitet nga pala tjetër. Nuk mund të them unë se ministria nuk do të përgjigjet, përderisa i marrim si të mirëqena komunikimet e deritanishme, por më vonë do themi se është një gjë që verifikohet, nuk është diçka fluide. Është konkrete fakti që do vendoset një agjendë, datat dhe afatet do jenë konkrete. Ne, kërkojmë që të bisedojmë në mënyrë konkrete, të menduar mirë dhe me objektiva që mendoj se janë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës në universitet.

Të tjera

Abissnet