Margarita Xhepa dhe Xhevat Lloshi: Agolli, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve

Publikuar më 05. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

In mermoriam/ Një vit pa Dritëro Agollin. Margarita Xhepa dhe Xhevat Lloshi rrëfejnë se si Agolli edhe pse në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve kritikonte ashpër njeriun e keq të sistemit komunist! Ai donte të drejtën dhe të bukurën 

Një vit pa Dritëro Agollin. Një vit i trishtë për familjen, bashkëshorten Sadijen, fëmijët Elonën dhe Artanin, por një vit i trishtë edhe për miqtë e tij, të cilët ishin mbledhur dje për ta kujtuar. Poezitë e tij më të bukura u bën refren i aktivitetit në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa rrëfimet e artistëve dhe miqve, që e kanë njohur nga afër sollën dhe njëherë Dritëro Agollin (13 tetor 1931 Menkulas-3 shkurt 2017 Tiranë) “mes nesh”, si shkrimtar dhe njeri.

Elona Agolli: Data 3 shkurt qendërzon dhimbjen më të thellë, por forca e zemrës mban gjallë kujtimin e tij!

Në këtë aktivitet përkujtimor për shkrimtarin nuk kishte se si të mungonte vajza e tij, Elona Agolli. Ajo përshkroi se si disa data të caktuara në rrugëtimin jetësorë të njerëzve mbartin kuptime edhe kujtime të ndryshme. Ndonëse, disa data të caktuara kujtohen me dëshirë, disa të tjera kujtohen me shumë trishtim, data këto të lidhura me zhgënjime, disfata, humbje dhe largime. “Për mua data 3 shkurt qendërzon dhimbjen më të thellë, gjëmën, shënon çdo metaforë të krijuar për të zbërthyer një tronditje të thellë, shenja e së cilës askurreherë nuk më hiqet nga shpirti. Por, dhimbja është e fortë në momente të trishta, kur ngjarje, figura njerëzore, objekte apo edhe krijesa të artit zgjasin fijet lidhëse me figurën e atit tim. Në të tjera rrethana kjo dhimbje kthehet në forcë, pasi lotët e shpirtit mbeten aty ngaherë, ndërsa forca e zemrës vijon që të mbajë të gjallë kujtimin, vazhdimësinë e veprës, trashëgiminë e dashurisë edhe mirënjohjes për atë të vyer kontribut, që Dritëroi i ka dhënë mëmëdheut të tij, kjo e mbikalon dhimbjen”, shprehet Elona.

Ajo thotë se shpesh Agolli qëllonte që të përsëriste: “Me librin e mirë dhe fjalën e lirë bëhesh shenjtor”. “Edhe ky shenjtor tanimë me plot gojën plot është babai im Dritëro. Im atë e donte shumë jetën, gëzimin dhe shoqërinë. I pëlqente që të kuvendonte, të këndonte, i pëlqente që të ishte edhe, si Shahin Matraku, kaçaku me famë, këngën e të cilit shpesh e përmendte në biseda dhe në poezi”. Elona shton se për miqtë e tryezave të përbashkëta, ishte fat të qëndronin me Agollin, i cili me shaka shpesh thoshte, që: “Unë nuk jam i mërzitshëm në tryezë!”. Për miqtë e tij shkrimtarë, po ashtu ishte mjaft e vlerësuar mëndjeaftësia, toleranca, kultura dhe modestia e tij. “Ndërsa, për ne fëmijët e Dritëroit fati na shoqëroi, që ditën që u ngjizëm nga prindërit tanë, pasi të kesh një prind, si Dritëroi është ogur, krenari edhe veçanti, por edhe përgjegjësi. Edhe tanimë që babai ynë nuk jeton, përgjegjësia është më e madhe”.

Margarita Xhepa: Dritëro ishte i drejtë, nuk ishte i njëanshëm

Edhe pse gjendja e saj shëndetësore ia ka kufizuar daljet e shpeshta në publik, dje ishte e pranishme për të kujtuar vitin e trishtë pa Dritëro Agolli. Aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa rrëfen se Agollin vitet e fundit për arsye të sëmundjes shokët nuk e takuan shpesh, por nuk kishte muaj, që ai të mos shkruante një artikull në gazetë dhe shprehte shqetësimet, sugjerimet, vrenjtet, por edhe lavdërimet. “Edhe në lavdërime Dritëro ishte i drejtë, sepse ishte i ndershëm, nuk ishte i njëanshëm. Poeti ynë i madh Naim Frashëri në rast se ka thënë: ‘Shqipëri o nëna ime, ndonëse jam i mërguar, dashurinë tënde kurrë zemra se ka harruar’. Ndërsa, Dritëro Agolli thoshte: ‘Më lërë të bie në prehrin tënde o hallemadhja ime Shqipëri’, sepse Dritëro e dinte se Shqipëria kishte shumë halle, edhe akoma kemi halle. Por, ai gjithmonë është udhëhequr nga një shqetësim i bukur, për të bërë diçka të mirë edhe të bukur për popullin në veprat e tij; romane, tregime, poezi edhe skenarë, por edhe në artikuj pambarim, ku ka hedhur gjithmonë të mirën dhe pozitiven. Dritëroi ishte tokësor, ishte vetvetja. Edhe kur je vetvetja je vlerë për çdo njeri. Ai e njihte mirë psikologjinë e popullit shqiptar. Pikërisht këto personazhe ne i kemi të gjalla në veprat e tij”, rrëfen artistja.

Të mëdhenjtë e Shqipërisë kanë qenë të në gjitha fushat. Ata kanë bërë gjëra të mrekullueshme, e një ndër ta padyshim për Maragarita Xhepën, është edhe Dritëroi, të cilin e quan të pavdekshëm.

Teksa interpreton poezinë e tij: “Është shumë vështirë, të mbjellësh arën, por më vështirë shpirtin të mbjellësh, të hapësh arën edhe t’i hedhësh farën dhe të hapësh shpirtin dhe shpirtin t’i hedhësh”, shton se Dritëroi me shokë kanë hedhur shpirtin në veprat e tyre, për çdo gjë të bukur që është bërë në këtë vend.

Ajo sjell në kujtesë edhe disa episode, gjatë punës së saj, ku ka qenë i pranishëm Agolli, asokohe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Tregon se atëherë kur arti ishte i kontrolluar edhe organizuar: “Do të rrish këtu ku them unë”, janë bërë gjëra të mrekullueshme në çdo pikëpamje. “Eh, Dritëroi ishte njerëzor, nuk e njihte të keqen, nuk dinte të bënte keq, përkundrazi, dinte të hynte në hallin tonë. Brenda këtyre mundësive ka bërë gjëra të mrekullueshme”.

Mbështetja e Dritëroit për artistët

Kur përfundonte një film, në Kinostudio shkonte një delegacion nga Komiteti Qendror, tre apo pesë veta për t’i dhënë viston apo për të bërë vrenjtje, por edhe për ta ndaluar dhe jo vetëm. “Ishte për fat, që një filmi im ‘Tokë e përgjakur’ në të cilin kam rolin e gruas së shkretë, e cila qanë burrin: “Të vranë o Miti oiiii”, ku pasi dëgjojnë këtë pjesë ngrihet një shokë dhe thotë: ‘Hiqeni, hiqeni shpejt këtë. Ne do t’i sjellim njerëzit në kinema të qeshin, ndërsa kjo grua duhet që të gëzohet, se djalit të saj reforma agrare i jep tokën. Këtu ta hapni filmin. Ne s’duhet që t’i sjellim njerëzit të qajnë në kinema’. Ndërsa, Dritëroi i tha: “I dashur shokë, kjo grua e shkretë, nuk po qanë djalin që u vra për kufijtë, por po mallkon: Të vrau beu, të vrau katili për një copë tokë, ja mori edhe shpirtin kësaj. Prandaj edhe kjo është pjesë e jetës, sepse ne në jetë lindim, vdesim, qeshim, qajmë, këndojmë, kërcejmë, por na pikon edhe loti. Unë kam qarë për prindërit e mi edhe për shokun kur më është vrarë. Prandaj kjo pjesë duhet që të mbetet”. Edhe vërtet tregon Xhepa, pjesa mbeti. “Një vepër artistike pa emocion, të vdesë në dorë”, rrëfen aktorja.

Rasti i dytë ishte gjatë muajit të Letërsisë, që shkonin dy apo tre veta nëpër qendra apo qytete të ndryshme. “Atë ditë ishim tre: Unë që do flisja për një premierë në teatër, Dritëroi dhe Llazar Siliqi.

Ngrihet nga salla një në këmbë edhe thotë: “Ç’është ai heroi pozitiv, që është në qendër. Ai duhet të përvesh krahët të punojë edhe të mos merret me dashuriçka. çfarë janë këto?”.

“Ata janë fijuar edhe kanë krijuar familje. Familja është një gjë e bukur për çdo njeri. Është e shenjtë”, i thashë unë.

Ndërsa, Dritëroi tha: “Si dashuriçka?! Po kush tha, që ne nuk dashurojmë? Ne jo vetëm dashurojmë, por lindim nga një fëmijë çdo vit”. Ky ishte Dritëroi për Margarita Xhepën, i cili me talentin e tij i ka dhënë kësaj Shqipërie të bukur shumë.

Xhavat Lloshi: Dritëroi ka kritikuar drejtpërdrejt njeriun e keq të sistemit komunist 

Profesor Xhevat Lloshi gjatë fjalës së tij ndali në një çështje, që ngjallë diskutime dhe kundërshtime. Ai u shpreh se Dritëroi u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por ai nuk ishte nga ata aktivistë, që e shfrytëzonin aftësinë e tyre, punën, talentin, krijimin për të arritur diku, përkundrazi, ai vazhdoi që të ishte gjithë kohës, shkrimtari, poeti, krijuesi edhe jo sunduesi i letrave për të përfituar për vete. Këtë gjë e ka parë konkretisht gjatë tre viteve, që bashkëpunoi me të te Lidhja e Shkrimtarëve. Lloshi rrëfen se Dritëro ka ndihmuar shumë njerëz, shumë shkrimtarë, por në një plan më të gjerë ai thekson, se nuk është e vërtetë, që sistemet i bëjnë njerëzit, por janë njerëzit që i bëjnë sistemet. “Prandaj nuk është e vërtetë që sistemet i bëjnë njerëzit e këqij, por janë njerëzit e këqij, që i bëjnë sistemet e këqij. Në këto rrethana dëshiroj të them se Dritëroi asnjëherë nuk e ka vënë në dukje vet, por e gjithë krijimtaria e tij përshkruhet nga filozofia e njeriut të mirë, ai kërkonte që të gjente kudo njeriun e mirë. Këtë e ka bërë jo vetëm në shkrimet e tij, por edhe në jetën e tij të përditshme”.

Profesori shpjegon se në librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Dritëro është përpjekur që të pasqyrojë në mënyrë të thellë satirike dhe humoristike, një aspekt të jashtëzakonshëm të sistemeve diktatoriale, në të cilën individi orientohet drejt kreut. “Ashtu siç bën diktatori në krye, secili bëhet një diktator në fushën e tij edhe shfrytëzon të tjerët. Sigurisht që në atë kohë, kjo anë e këtij libri u kuptua edhe nga disa njerëz, të cilët donin që ta ndalonin librin”. Një aspekt tjetër të njëjtë, tregon profesor Lloshi, Agolli e ka prekur edhe në tregimin e gjatë “Bamke Comaga”, të cilin më pas e shndërroi në roman. “Në një mënyrë të pabesueshme sot, ai ka demaskuar njeriun e keq, atë që denonconte. Edhe ka fituar një situatë të jashtëzakonshme, se si një që quhej në atë kohë i deklasuar denoncon një njeri, të cilin e kishte ftuar në shtëpinë e vet si mik”. Profesor Lloshi (kryeredaktor i revistës “Pelgrini”, ky numër dedikuar Agollit), përfundon se në veprën e Dritëroit ka kritika të drejtpërdrejta për njeriun e keq të sistemit komunist.