Majlinda Keta: Abuzimi ndodh në armatën tonë, shqetësimi im nga pedagogët te studentët

Publikuar më 05. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Pedagogia rrëfen se abuzimi seksual sot është pjesë e filozofëve të ushtrimit dhe përfitimit nga pushteti i çdo qenie antihumane, aq sa ka “arritur” të hyjë edhe në armatën e pedagogëve dhe lektorëveAjo kërkon që votuesit t’i bëjnë skanerin moral çdokujt, që kërkon pushtet

Ka asistuar edhe “viktima” për të denoncuar, sikurse nuk ka ngurruar të denoncojë institucionalisht përdorimin e institucioneve publike për ngacmime seksuale. Në një rrëfim për gazetën “Shekulli” pedagogia e Filozofisë në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, pohon se sot abuzimi seksual është pjesë e filozofëve të ushtrimit dhe përfitimit nga pushteti i çdo qenie antihumane, aq sa ka “arritur” të hyjë edhe në armatën e pedagogëve dhe lektorëve.  Shqetësimi i saj është i lidhur kryesisht me kahun e pushtetit, pra të abuzimit nga pedagogët tek studentët. “Të gjithë ato shqiptarë intelektualë, që e duan Shqipërinë pa varfëri, pa oligarkë politikë dhe financiarë që jo rrallë bashkëngjiten, edhe si playboy karrierash pushtetesh duhet të jenë luftëtarët kundër kësaj të keqeje të madhe morale. Pikë së pari, ne si votues duhet t’i bëjmë skanerin moral çdokujt që kërkon pushtet”.

Zonja Keta, rastet e fundit për ngacmimet seksuale, që kemi dëgjuar nga Hollivudi, personazhet kanë qenë të shumtë dhe janë ndarë në dy grupe, pro dhe kundër. Si e mendoni juve a po abuzohet me këtë temë me pikësynimin për të rritur famën?

E kam ndjekur këtë zhvillim dhe besoj që edhe ky në vetvete është një produksion hollivudjan. Si për çdo produksion edhe ky ka nevojë për një kritikë artistike. Pa dashur të marr përsipër këtë të fundit them që çdo iniciativë që ka në qendër njeriun dhe mirëqenien e tij mendore dhe materiale vlen të vlerësohet. Nëse dëshmohen modele institucionale (Hollivudi është një i tillë në fushën e kinematografisë) që cenojnë, dhunojnë apo kanë dhunuar këtë mirëqenie njerëzore ajo vlen të denoncohet. Unë rrjedhën e shoh edhe si një vetërefleksion moral që Hollivudi dhe prodhuesit e historisë së tij po bëjnë para botës që më së shumti e adhuroi si produksion dhe shumë pak analizoi se çfarë pasojash na solli të gjithëve me atë cilësi produksioni. Më duket si një Big Brother Hollivudjan.

Sipas jush, përse personazhet e Hollivudit kanë rrëfyer për ngacmimet që kanë pasur shumë vonë, kur gra të thjeshta të abuzuara, kanë gjetur guximin të denoncojnë që në fillim. Mendoni se frika e personazheve të Hollivudit është më e madhe?

Jo vetëm në këtë institucion por në shumë të tillë nga ai Presidencial e deri tek rrëfenjat në pleqëri të çdo njeriu të thjeshtë mund të jetë e pranishme vonesa. Sepse, histori është edhe kjo në vetvete që do t’i bashkëngjitet një ditë historisë së rishikuar të Hollivudit. Në lidhje me individët denoncues kësaj radhe nuk është gjë tjetër veçse ripohim i asaj që statuset sociale as përfshirja në hierarki profesionale as të imunizojnë dhe as të kursejnë për ballë një krimi, si ai i abuzimit me femrën. E keqja e kësaj historie denoncimesh është se i shtohet radhës së institucioneve abuzuese edhe një institucion që pretendohet se ka ndikuar në “edukimin global” dhe se edhe ky lloj pushteti (ai i oligarkëve kinematografikë) vuan nga tendenca për të përfituar përmes abuzimit  me të “dobëtit” në dobi të fuqisë dhe famës institucionale. Kjo është pjesë e një piramide të përmbysur të vlerave njerëzore mbarëbotërore sot. Kriza e vlerave po na gllabëron të gjithëve këtë shekull.

Cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës, por jo vetëm?

Ngacmimet seksuale në vendin e punës ka qenë dhe do jetë pjesë e jetës profesionale sa kohë që në karrierat profesionale dhe në politikat e rekrutimit në punë shoqëritë, shteti në funksion do ketë vakuume ligjore dhe administrative po aq sa pushteti i vendimmarrjes lihet në dorë të individëve pa moral jetësor e familjar.

Gjatë, karrierës suaj, a keni dëgjuar raste, të tilla, pa dëshirë, që kanë shkatërruar moralisht një individ?

Sigurisht që kam dëgjuar bile kam asistuar edhe “viktima” për të denoncuar, sikurse nuk kam ngurruar të denoncoj institucionalisht përdorimin e institucioneve  për abuzime të tilla.

Po në ambientet universitare, a bëhen studentët iniciatorë apo edhe pedagogët për të pasur përfitime të ndërsjellta?

Sigurisht që ka pasi sot abuzimi seksual është pjesë e filozofëve të ushtrimit dhe përfitimit nga pushteti i çdo qenie antihumane, që ka “arritur” të hyjë edhe në armatën e pedagogëve dhe lektorëve, ndonëse edhe mes kolegësh CV-ja e tij e pasur në këtë drejtim njihej në institucione të tjera. Mua më shqetëson fakti që në histori të tilla, ATO (individë apo komisione) që vënë “vulën” për t’i marrë,  si lektorë auditorësh nuk e kanë askund të standardizuar, por edhe nuk e vetëstandardizojnë një kriter të tillë etik institucional. Shqetësimi im është i lidhur kryesisht me kahun e pushtetit pra të abuzimit nga pedagogët tek studentët. Po u standardizua etikisht dhe zyrtarisht ky tjetri është i detyruar të standardizohet.

Keni pasur dijeni në rrethin tuaj për ndonjë rast që, dikush mund të jetë shantazhuar?

Në mbi 30 vite eksperiencë në arsim, në shërbim e drejtim, sigurisht që ka jo pak, por unë jam ndjerë e vlerësuar kur më kanë kërkuar ndihmë për t’u trimëruar drejt denoncimit, sikurse nuk kam falur për t’i përjashtuar nga shërbimi arsimor, kur më janë besuar informacione të tilla.

Keni jetuar në jetë dhe në profesion dekada të ndryshimeve, sociale dhe politike. Në këndvështrimin tuaj, si ka ndryshuar situata gjatë viteve?

Çdo ditë e më shumë ka degradim moral në raport me formimin individual me dinjitet dhe identitet, pasi Shqipërisë i janë në krizë institucione bazike, si ai i familjes po aq sa institucione si ai i besimit, shkolla apo media nuk po mund të rimbursojë humnerat morale të shqiptarit, por 90’.

Mendoni se një femër shqiptare, mundet që ta bëjë lehtësisht një denoncim publik për një ngacmim të tillë, apo vazhdojnë  të mos flasim ende, sepse opinioni fajin mund t’ja vë femrës?

Në një “demokraci hibride” me kah drejt “autoritarizmit”, në një shoqëri ku ende informohet varfëria ekstreme harrojeni, që femra mund të fuqizojë denoncimin për ngacmime dhe abuzime të tilla.

Apo frika se mos viktima humbet punën, e bën të vështirë këtë pjesë dhe edhe shtyhet për të bërë kompromise për të pranuar diçka të tillë me vetëdije?

Lufta për mbijetesë dhe për ekzistencë lufton fuqishëm vetëdijesimin. Për këtë arsye pushtetet e këqija oligarkike politike, financiare nuk ngurrojnë, që edhe këtu të shohin e shijojnë “normën e fitimit”.

Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk gjejnë përkrahjen e duhur?

Të gjithë ato shqiptarë intelektualë, që e duan Shqipërinë pa varfëri, pa oligarkë politikë dhe financiarë që jo rrallë bashkëngjiten, edhe si playboy karrierash pushtetesh duhet të jenë luftëtarët kundër kësaj të keqe të madhe morale. Pikë së pari, ne si votues duhet t’i bëjmë skanerin moral çdokujt që kërkon pushtet, ndërsa historia e tij personale vjen nga casuse të tilla. Mua më tremb bashkëjetesa që po fitojmë me indiferencën dhe mosvlerësimin, si duhet që një individ që vjen nga një jetë orgji, amorale për veten dhe ndaj familjes, të mund ta pranojmë si kontributor të shtetbërjes dhe mirëqenies tonë mendore e materiale.

Mohimi i votës ndaj tyre është kontributi më i madhe për fëmijët tanë që askush nuk i imunizon nga të qenurit “viktimë e këtij lloj pushteti abuzivist. Nëse bën indiferentin ndaj tjetrit që është viktimë e këtij abuzivizmi kafshëror, së shpejti mund të vijë radha ty dhe familjes tënde. Pushteti në duart e individëve që vijnë me shumë inferioritete është shumë i rrezikshëm në çdo aspekt, edhe në këtë çështje që ju vini në fokus. Këtu sot, nuk dallon qenia femër apo mashkull. Për fat të keq çdo ditë e më shumë dëgjojmë tendenca për “barazim” mes 2 sekseve. Ky është tregues i krizës morale që na kapluar. Kemi shumë pak studime të kësaj fushe, shumë pak. Edhe vetë historia që po na vjen nga Hollivudi duhet të jetë alarm, që kërkimi shkencor të përfshihet edhe në këto aspekte, sidomos kur bëhet fjalë për institucione të kapura nga histori të tilla.