Lajm i mirë për emigrantët në Itali; kurse në gjuhën shqipe në shkolla

“Identiteti i fëmijëve shqiptarë të lindur në Itali nuk duhet të krijohet jashtë mureve të shkollave italiane”.

Me këto fjalë, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko e motivoi kërkesën e tij për zhvillimin e kurseve shqipe brenda ambienteve të shkollave italiane, në takimet e zhvilluara me Presidentin e rajonit të Abruzzo-s Luciano D’Alfonso dhe kryebashkiakun e qytetit të Pescara Marco Alessandrini.

Në deklaratën për media flitet për një program të përbashkët për zonën e Villa Badessa-s, e populluar nga arbëreshët dhe për vendosjen e fluturimeve direkte nga Pescara drejt Tiranës.

Majko u shpreh se kjo është mënyra më e mirë për të shmangur një kontradiktë të mundshme mes identitetit dhe integrimit. Ndërsa vlerësoi politikat efikase të rajonit në trajtimin e të gjithë emigrantëve në të njëjtën mënyrë, z. Majko kërkoi kujdes të veçantë për komunitetin shqiptar, i cili siç tha, është një prej më të integruarëve në shoqërinë italiane.

Gjatë takimit me presidentin e rajoni të Abruzzo-s, D’Alfonso, u fol për një program të përbashkët në Villa Badessa, zonë e populluar nga arbëreshët në Pescara. Palët u dakordësuan edhe për një aktivitet vjetor të shqiptarëve në zonë. Një tjetër çështje e rëndësishme e përmendur në takim, ishte rikthimi i linjës direkte të fluturimit mes Pescara-s dhe Tiranës.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së qytetit të Pescarës  Alessandrini, siguroi Ministrin për vëmendjen e veçantë që i kushtonin integrimit.

“Ju flisni për ndërtimin e urave dhe jeni në vendin e duhur pasi ky është qyteti i urave. Ura është një simbol i bukur i marrëdhënieve njerëzore dhe ne jemi përpjekur të ndërtojmë një qytet me prioritet integrimin. Integrimi kalon përmes respektimit të rregullave por edhe ruajtjes së traditave të vendit të origjinës”, tha kryebashkiaku, i cili e vuri theksin tek marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve. Duke vlerësuar komunitetin shqiptar që jeton në Pescara, ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë në mundësimin e kurseve shqipe nëpër shkolla dhe gjithashtu për projekte e aktivitete të përbashkëta rajonale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet