Mёsuesi qё mё ka lёnё mbresa tё paharruara

Publikuar më 02. 05. 2016 nga Shekulli Online

Saba-LamaNga Saba Lama

Cilido kur kujton vitet e shkollёs sё tij, padyshim kujton edhe mёsuesit qё ka pёrjetuar gjatё viteve tё shkollimit. E natyrisht nё kёto momente kujton mё tepёr ata mёsues qё i kanё lёnё mbresa nё punёn e tyre cilёsore si mёsimdhёnёs dhe edukator. Pa dyshim tё tillё mёsues mbahen mend edhe me emra pёr cilёsitё e shpalosura dhe mbresat e lёna. E njёjta gjё ndodh shpesh edhe me mua lidhur me mёsuesit e mi qё mё mёsuan dhe edukuan ndёr vite, pёr tё mё aftёsuar pёr jetёn. Ndёr kёto nё shkrimin e rradhёs dua tё vecoj njёrin prej tyre, i cili pёr mua ka qenё mё i spikaturi nё drejtim tё rolit tё tij si mёsimdhёnёs dhe edukator. Si rrjedhojё e aftёsive tё tij profesionale, e punёs sё tij tё pёrkushtuar dhe plot pasion, janё ngulitur tek unё dije tё qёndrueshme, dije tё cilat i mbaj mend edhe sot nё lёndёt qё mё zhvilloi. Madje kёtё mёsues pёr mbresat e lёna, do ta quaja si shembull dhe model edhe pёr tё tjerёt pёr tё ecur nё rrugёn e njё mёsuesi dinjitoz. E cili ёshtё ky mёsues? Eshtё pikёrisht mёsuesi Stefan Bulo.

Ai mё ka dhёnё nё atё kohё lёndёn e filozofisё dhe tё letёrsisё. Le tё nihemi mё nё detaj lidhur me disa nga vlerat dhe cilёsitё qё e karakterizonin kёtё mёsues nё punёn e tij, qё mё bёri mua, ta kujtoj kurdoherё me respekt, konsideratё e mirёnjohje emrin e tij. Ky mёsues rrezatonte kulturё para nxёnёsve dhe komunitetit ku ndodhej shkolla qё nga pamja e jashtme e tij (uniforma) nga do qё ta shikoje, gjё e cila nuk ndodh sot tek tё gjithё mёsuesit. Zotёronte mirё lёndёn si nё rrafshin shkencor ashtu edhe nё atё metodik. Me shpjegimin e tij, nxёnёsit arrinin ta kuptonin mёsimin pothuajse tё gjithё nё klasё. As qё bёhej fjalё qё nxёnёsit nё orёn e tij, tё mos ishin tё vёmёndshёm nё mёsim. Sigurisht kjo lidhej me aftёsitё profesionale dhe mjeshtёrinё e kёtij mёsuesi pёr tё bёrё njё mёsim sa mё tё qartё dhe sa mё tё kuptueshёm para nxёnёsve.

Madje ai sa herё vinte nё mёsim nuk harronte tё sillte me vehte edhe mjetet mёsimore qё nevoiteshin pёr orёn e mёsimit qё do tё zhvillonte. Edhe ky fakt ndikonte gjithashtu pёr ta bёrё mёsimin akoma dhe mё tёrheqёs e mё interesant pёr nxёnёsit. Nё kёtё drejtim komunikonte ngrohtё dhe shumё qartё. Fjala e tij, intonacioni i zёrit bёnte pёr vete auditorin e klasёs. Gjithashtu edhe nxёnёsit pёr mёnyrёn se si i kёshillonte dhe i qortonte ata, ndjenin mё shumё pёrgjegjёsinё pёr mangёsitё qё u konstatonte. Mёsues Stefani shkruante shumё bukur. E kёtu ёshtё fjala jo vetёm nga ana kaligrafike, por edhe pa gabime gjatё tё shkruarit. Pra edhe nё kёtё drejtim ai edukonte te nxёnёsit.

Ai kur i qortonte nxёnёsit dinte se si ua bёnte vёrejtjet sepse i njihte mirё nxёnёsit lidhur me temperamentin dhe botёn qё kishte cdo nxёnёs. Pra ai kishte edhe njё kulturё psikologjike lidhur me njohjen e duhur tё nxёnёsve. Autoriteti pedagogjik qё gёzonte me komunitetin brenda dhe jashte shkolle. Sigurisht pёr cilёsitё e vyera qё ai shpalosi nё drejtimin profesional, gёzonte njё autoritet pedagogjik tё padiskutueshёm para nxёnёsve, prindёrve dhe gjithё komunitetit ku ndodhej shkolla. Sigurisht unё mbetem kurdoherё nxёnёs i tij dhe ai pёr mua mbetet mёsuesi mё i nderuar dhe mё i respektuar.