Lutfi Dervishi: Jemi larg kushteve normale të zgjedhjeve!

Analisti Lutfi Dervishi e mbështet deklaratën e Kryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU, i cili gjatë një intervistë për “Shekulli”-n, ka thënë se Shqipëria ndodhet në një rrezik të madh politik. Dervishi bën me dije, se “vendi është në krizë/ngërç dhe në një situatë unike”

Lindita Bushgjokaj

Analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi, në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për situatën politike në vend. Ai thotë, se zgjedhjet në Shqipëri karakterizohen nga një krizë e theksuar, ku për të disatën herë shkohet në zgjedhje pa plotësuar asnjë rekomandim të OSBE/ODHIR-it. Ndër të tjera analisti Dervishi bën me dije, se në këto kushte pengesat për çeljen e negociatave vijnë si pasojë e faktorëve të brendshëm. Sipas tij vendimi i Brukselit konceptohet më shumë si dështim apo sukses i qeverisë sesa si negociata që do t’i hapë Shqipëria.

Intervista e plotë:

Kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU foli për gazetën “Shekulli” duke thënë se Shqipëria ndodhet në një rrezik të madh politik. A jeni dakord me këtë konstatim?

Pyetja juaj e ka përgjigjen brenda. Vendi është në krizë/ngërç dhe në një situatë unike. Dy partitë kryesore të opozitës kanë dalë nga Parlamenti dhe janë në rrugë duke protestuar. Në anën tjetër Drejtësia shqiptare është në një operacion të thellë (dhe të domosdoshëm) dhe duket se ende nuk i ka dalë narkoza për të adresuar çështje të rëndësishme që shqetësojnë jo vetëm opozitën, por edhe opinionin publik. Data e zgjedhjeve është në prag dhe numri protestave vjen duke u rritur.

Cilat janë problematikat më të mëdha me të cilat po hasen partitë politike në këto momente para zgjedhore?

Zgjedhjet kanë kuptim kur janë të lira, gjithëpërfshirëse, transparente dhe kur votuesit janë të mirëinformuar.  Ne jemi larg kushteve normale të zgjedhjeve. Sot ka përfunduar afati regjistrimit të kandidatëve të pavarur dhe në zgjedhje nuk janë regjistruar partitë kryesore të opozitës. Edhe në këto zgjedhje në 30 qershor apo kurdo që të mbahen shkojmë për të disatën herë pa plotësuar rekomandimet e OSBE- ODHIR le më të themi se do të bëjmë një reformë rrënjësore.

Besoni se bojkoti i zgjedhjeve lokale nga ana e Partisë Demokratike dhe LSI-së do të dëmtojë imazhin e Shqipërisë tek ndërkombëtaret dhe njëkohësisht të ndikojë tek hapja e negociatave me Bashkimin Evropian?

Një nga detyrat e lëna nga Këshilli Europian për Shqipërinë ishte: dialogu politik. Në vend të dialogut sot ofrojmë konflikt dhe krizë. Vendimi i Komisionit pritet të jetë pozitiv, për shkak të shumë faktorëve, por vendimi për hapjen e negociatave është vendim i përbashkët i 27 vendeve anëtare në muajin qershor. Mjafton vetëm një vend të thotë Jo (shenjat janë të qarta psh me Hollandën) dhe negociatat nuk hapen. Ne jemi në një pozitë unike: nuk kemi hapur negociatat me njëri-tjetrin, por presim që BE të hapë negociatat me ne. Negociatat me Brukselin nuk perceptohen dhe vlerësohen si negociata që do t’i hapë Shqipëria, por si sukses apo dështim i qeverisë.

Në lidhje me kodin zgjedhor, për të cilën ndërkombëtarët flasin rregullisht. Besoni se do të mund të miratohet përfundimisht deri në zgjedhjet lokale?

Jo. Kodi kërkon vullnet politik, jo vetëm 84 votat në Kuvend. Në kushtet që nuk ka dialog politik, është pretendim i tepruar miratimi kodit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet