Luli Hoxha bën bashkë Raimonda Bulkun dhe Viktor Zhustin në Teatrin Kombëtar

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

“Dama me kamelie” bën bashkë Raimonda Bulkun dhe Viktor Zhustin në Teatrin Kombëtar. Një histori tronditëse, që përshkruan mjeshtërisht dhimbjen e një gruaje, që paguan shtrenjtë vendimet që ka marrë në jetën e saj, por në të njëjtën kohë shfaq një kurajo të jashtëzakonshme, që zgjedh të heq dorë nga lumturia e saj për atë që dashuron

“Kurtizania zhdukej dalëngadalë. Kisha pranë meje një grua të re, të bukur, që e doja, që më donte, dhe që quhej Margaritë: e shkuara nuk kishte më formë, e ardhmja ishte pastruar nga retë. Dielli ndriçonte të dashurën time ashtu, si do të shkëlqente mbi të fejuarën më puritane”. Ky citim është shkëputur nga shfaqja “Dama me kamelie” e autorit Aleksandër Dyma (i biri) që ngjitet nën regjinën e Luli Hoxhës në skenën e Teatrit Kombëtar.

Armand Duval është pasardhësi i një familje të pasur që jeton në provincë, në Paris për të krijuar karrierën e tij si avokat; një mbrëmje ai shkon në teatër dhe takon të bukurën Margaritë, kurtizanen më të bukur të qytetit, e gatshme për t’iu dorëzuar gjithkujt për të përmbushur dëshirën e saj për luks.

Armand bie menjëherë në dashuri me Margaritën, që ndërkohë zbulojmë se është sëmurë me turbekuloz, dhe me kalimin e kohës e me përkushtim arrin ta bëjë për vete. Ajo ndihet për herë të parë e dashuruar dhe e konsideron këtë ndjenjë, si diçka të pastër që nuk duhet të ngatërrohet me jetën e saj të shthurur, e shikon madje si një mjet për t’u shpenguar, dhe është e aftë të bëjë gjithçka për ta ruajtur, dhe bashkë me të edhe Armandin.

Edhe kur Margarita do ta gjejë veten të mbytur në borxhe do të bëjë të pamundurën për të mos përfshirë të dashurin në botën e saj të mjeruar edhe pse kjo do t’i sjellë asaj shumë vuajtje.

“Dama me kamelie” është një histori tronditëse, prekëse dhe që përshkruan mjeshtërisht dhimbjen e një gruaje që paguan shtrenjtë vendimet që ka marrë në jetën e saj, por në të njëjtën kohë shfaq një kurajo të jashtëzakonshme që zgjedh të heq dorë nga lumturia e saj për atë që dashuron. Margarita është e ndërgjegjshme që vetëm një dashuri shpirtërore mund ta pastrojë nga njollat e së shkuarës.

E megjithatë kjo është një histori që ka më shumë se një interpretim, është ndër të tjera një akuzë kundër skllavërimit të parasë apo hipokrizisë së një shoqërie që shfrytëzon një grua dhe pastaj e injoron, të gjitha këto të mishëruara në figurën e Margaritës, duke përshkruar vetminë e saj, forcën si dhe vetëdijen e saj e të mos pasurit një të ardhme.

Personazhi kryesor, Margarita, të kujton qartazi një kurtiziane që ka ekzistuar vërtetë Marie Duplessis. Alexandre Dumas, autori i Damës me Kamelie, e njohu në moshën 20-vjeçare dhe pati me të një lidhje një vjeçare. Romani ka frymëzuar versione të shumta kinematografike dhe teatrale si dhe veprën e jashtëzakonshme të Verdit, “La traviata”.

“Dama me kamelie” vjen si një dramë pasioni, një lloj “Pretty Woman” e viteve 800. Romani në kohën e botimit u konsiderua si skandaloz. Stili i Dumas është elegant dhe i këndshëm, autori ka ditur të flasë për kurtizanet jo nëpërmjet steriotipeve, por duke i përshkruar si gra të vërteta, me vetmi dhe vese, me ndjenja dhe dëshpërime të brendshme.

Në role

Për herë të parë romani “Dama me kamelie” është publikuar në vitin 1848, ndërsa premierën e parë teatrore në Paris e ka pasur katër vite më vonë, 1852. Kjo vepër është vlerësuar për suksesin që pati në skenë.

Në Teatrin Kombëtar “Dama me kamelie” e Dumas vjen premierë absolute në datat 8-9-10 dhjetor, ora 19:00, me regji të Luli Hoxha, nën interpretimin brilant të aktorëve Viktor Zhusti, Rajmonda Bulku, Laert Vasili, Luli Hoxha, Gjergj Mena, Xhino Musollari, Josif Sina dhe Karafil Shena.

Luli Hoxha, edhe pse ka zgjedhur që të jetë regjisorja e kësaj pjese, i jep jetë rolit të Margarite Gotie në kryeveprën e Dyma (i biri)! Viktor Zhusti i jep jetë rolit të babait. Raimonda Bulku i jep jetë rolit të Prudencës.

Laert Vasili i jep jetë rolit të Armand Duval. Karafil Shena i jep jetë rolit të Kontit de N. Josif Sina që i jep jetë rolit të Josifit. Gjergj Mena që i jep jetë rolit të autorit! Xhino Musollari i jep jetë rolit të Gustavit.