Luçiano Boçi: Diplomat false, fajtore është ministrja e Arsimit, të japë dorëheqjen

Nga Lindita Bushgjokaj

Deputeti i Partisë Demokratike akuzon Lindita Nikollën për lejim me vetëdije të diplomave false, pasi i ka mbajtur dokumentet në zyrat e ministrisë dhe diplomat janë falsifikuar edhe pas mbylljes se universiteteve, pasi matrikulimin dhe regjistrat i ka mbajtur dhe nuk i ka i bërë publikë

Deputeti i partisë Demokratike Luçiano Boçi, tha për gazetën “Shekulli”, se fenomeni i diplomave false të “Universitetit Kristal” e ka zanafillën te administrimi i dokumentacionit të subjekteve private që u mbyllën. Për këtë akuzon drejtpërdrejt drejtuesen e Ministrisë së Arsimit, për mosbërjen publike të dokumenteve dhe lejimin me vetëdije të fenomenit. Diplomat false janë prodhuar edhe pas mbylljes së universiteteve private, pasi matrikulimin dhe regjistrat i ka pasur Ministria e Arsimit. Titullarja e këtij institucioni duhet të dënohet për lejimin e prodhimit të diplomave false, si dhe të kërkojë dorëheqjen, tha Boçi.

Z.Boçi, sipas jush, ku e ka zanafillën problemi i diplomave false në “Universitetin Kristal”?

Zanafilla është te dokumentacioni i universiteteve që u mbyllën. Dihet se në deklaratat e ministrisë u pretendua se u sekuestrua dhe u bë ri regjistrimi i gjithë diplomave, matrikulimi i çdo rasti sipas degëve dhe fakulteteve. Nuk mund të dalë tani ministria dhe të thotë se filan emër falsifikon diploma apo filan universitet, kjo është absurde, por përgjegjësia e kontrollit është komplet e ministrisë. Ministria duhet të mbajë përgjegjësinë e saj totale, jo se dua politikisht të prononcohem në këtë lloj forme, po për mua e keqja nis nga ministrja e Arsimit.

A mendoni se ekziston një rrjet korrupsioni, ku përgjegjësia bie mbi ish-zyrtarët që kanë menaxhuar dokumentacionin e diplomave false?

Unë kur them ministria, e kam fjalën për titullarin kryesor të ministrisë, për përgjegjësinë që ka ajo. Nëqoftëse ballafaqojmë deklaratat që ka bërë vetë ministrja me banalitetin që ka ndodhur, i bie që ministrja, ashtu siç e kam shprehur dhe në vende të tjera duhet të jepte dorëheqjen. Këta pretendojnë se janë bërë diploma falso pa universitet, merre me mend ç’bëhet në universitet. Për çështjen e përgjegjësisë së emrave konkret, ka një proces hetimor. Për mua, politikisht, përgjegjësja kryesore është titullarja e institucionit.

Mendoni se regjistrat e universiteteve të mbyllura janë keq menaxhuar nga ministrja e Arsimit dhe nuk janë bërë transparente?

Sigurisht, mënyra sesi janë menaxhuar dokumentet ka krijuar edhe këtë hapësirë për të bërë një veprim të tillë. Sipas gjykimit tim, që në momentin që u sekuestruan dhe në momentin që një pjesë e studentëve kaluan në universitetet e tjera, dhe të tjerëve ju njoh diploma, çdo informacion duhet të ishte shfaqur online që të ishte i aksesueshem për të gjithë studentët dhe publikun. Fakti që u sekuestruan, u mbajtën diku zyrave të ministrisë, tregon se në ato regjistra mund të jetë ndërhyrë, gjëra që janë reflektuar tani pas katër viteve, që në 2014-ën. Janë prodhuar ende diploma referuar regjistrave të kaluar, sepse matrikulimin dhe regjistrat i ka pasur ministria.

Mendoni se fenomeni po ndodh edhe në universitetet e tjera private të cilat janë mbyllur në të njëjtën kohë me “Kristalin”?

Nuk mund të bëj parashikime dhe akuza të pabaza, por një çështje të tillë e vërteton organi gjyqësor, ndërsa mënyra sesi janë menaxhuar regjistrat ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme për të menduar se janë shfrytëzuar për të prodhuar dokumente false, që janë diplomat.

Mendoni se nuk janë dërguar qëllimisht në prokurori nga ministrja e Arsimit 86 rastet e diplomave false?

Unë kam dëgjuar që ministria ka pasur dijeni dhe nuk ka vepruar, atëherë duhet të dënohet për mosveprim dhe lejim, sepse fakti i mosdeklarimit, do të thotë lënie hapësirë që ky proces falsifikimi të vazhdonte më tej. Mjafton ky fakt i shprehur nga vetë ministrja, e cila paska pasur dijeni, tregon implikimin e ministrisë, emrat, ndërsa përgjegjësinë politike të menaxhimit të mënyrës së drejtimit të institucionit ta mbaj titullari i këtij institucioni.

Të tjera

Abissnet