Lubonja: Refugjatët, turp për Evropën, ndërsa qeveria ka përfitime ekonomike

Nga Lindita Bushgjokaj

Analisti Fatos Lubonja, tregon pasojat ekonomike dhe në imazhin e vendit që sjell ardhja e refugjateve, përfshirjen e qeverisë për interesa ekonomike në këtë projekt, si dhe tendenca e tyre që të merren me kultivimin e drogës

Analisti dhe publicisti Fatos Lubonja, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se pranimi i refugjatëve në një vend të varfër si Shqipëria është turp për Evropën. Ai tha se në këtë projekt është e përfshirë qeveria, e cila ka përfitime ekonomike dhe synon të duket mirë para Evropës, në mungesë të legjitimitetit brenda vendit. Gjithashtu analizon pasojat e shumta që i sjell vendit pranimi i refugjatëve, kryesisht me imazhin, por thekson se me shpirtin e tyre të protestës do të ndihmojnë disi në ndryshimin e realitetit të mjerë, në të cilin janë zhytur “shqiptarët e pastër” për shkak të kësaj qeverisje.

Z.Lubonja, a mendoni se krijimi i kampit të refugjatëve është një kusht që ka vendosur Evropa për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian?

Nuk mendoj, se ky është një kusht që ka vendosur Evropa. Madje në gazetën “Le Monde” thuhet se; “nuk ka mundësi ta pranojnë vendet e Ballkanit perëndimor këtë, sepse do të ishte fyese për ta pranimi i këtyre kampeve”, aq më pak që ta vendosin si kusht.

A mendoni se krijon rrezik për stabilitetin e vendit ardhja e refugjateve, pasi mendohet se mes tyre do ketë dhe anëtare të ISIS-t?

Mendoj se më së pari, ky është një turp për Evropën, që të sjellë refugjatë në vendin më të varfër për BE. Përsa i përket rrezikut, mendoj se mbi të gjitha nuk është njerëzore të futen njerëzit nëpër kampe të tilla, që të kujtojnë kampe burgjesh. Nëse bëhet fjalë që ata të shpërndahen, siç ndodhi në Evropë, të integrohen dhe të futen në shoqëri, atëherë më shumë se problem rreziku është problem punësimi, është problemi se me çfarë do të merren. Apo do t’i fusë edhe ata të merren mbjellin drogë.

Cilat do të jenë pasojat ekonomike dhe kulturore që do t’i sjellë vendit pranimi i refugjateve?

Këto janë pasoja shumëplanëshe, kryesorë është pasoja në imazhin e Shqipërisë e cila keqpërdoret. Do të bëhet edhe më e qartë, se këtu ka një klasë politike të gatshme të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet, dhe ky është një imazh shumë negativ brenda dhe jashtë vendit. Pastaj, nuk mund të parashikojmë pasoja. Disa mendojnë se do të na prishin demografikisht, sikur duke u bashkuar edhe këta me ne, nuk do të ketë më “shqiptarë të pastër”. Por unë nuk e kam problem këtë, sepse jam i sigurte që këta emigrantë, ngado që vijnë do kenë shumë më tepër shpirt proteste ndaj një qeverie si kjo që kemi ne, për ta ndryshuar vendin. Kështu që në këtë aspekt mund të na sjellin edhe ndonjë ndihmë për ta ndryshuar këtë realitet të mjerë, ku ne si “shqiptarë të pastër” jemi zhytur vendin dhe nuk po dalim dot më.

Z.Lubonja, mendoni se qeveria është e përfshirë në projektin për të pranuar kampe refugjatësh në vendin tonë?

Dyshoj, se mund të jetë edhe vetëofrimi i qeverisë për tu bërë e mirë me Evropën, në mungesë të legjitimitetit që duhet të kishte qeveria brenda, në sajë punëve të mira që duhet të kishte bërë për popullin e vet, realizimit të atyre detyrave të politikaneve për t’ju shërbyer qytetarëve, për të ndërtuar shtetin ligjor, që në realitet kanë dështuar. Këto histori na kujtojnë shumë nga ato regjimet që shohim në disa vende, ku diktatoret qëndrojnë në pushtet dhe mbahen nga SHBA, siç ishte rasti i Get Dafit për qëllime gjeopolitike në interes të Evropës apo SHBA, paçka se brenda vendit kanë ndërtuar regjime autoritare diktatoriale, dhe jo shtetin ligjor siç aspirojmë ne.

A mendoni se, qeveria ka përfitime ekonomike nga pranimi i refugjateve dhe strehimi i tyre në Shqipëri?

Padyshim, ato mund të vijnë, siç ndodhi edhe me Turqinë, kur u bë marrëveshja për t’i ndaluar emigrantët në Turqi. Ky mund të jetë një faktor më shumë për të na bërë keq, jo mirë sepse ato para dhe legjitimiteti i dhënë nga Evropa mund të përdoren nga qeveria për të vazhduar edhe më tej mbrapshtitë e veta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet