Lubonja: Pse po hesht Saimir Tahiri

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Analisti Fatos Lubonja, sot, është shprehur se heshtja e Saimir Tahirit për arrestimin e Orest Sotës, personit që u kap në makinë me 863 mijë euro dhe dy patenta në emër të ish-ministrit, ka për qëllim të shmangë zbulimin e detajeve të tjera. Lubonja në një lidhje me Skype në ‘News 24’, tha se ish-ministri i Brendshëm hesht, pasi e ka të vështirë të gjejë një alibi për këtë ngjarje. Sipas tij, Tahirit i intereson që të politizohet situata dhe jo të dalin alibi që do të rrezikonin më shumë dhe të rëndonin situatën e tij.

“Heshtja e Tahirit ndoshta është më e lehtë për t’u kuptuar. Ka të bëjë me atë se ndoshta e ka të vështirë të gjejë një alibi, dhe mund të krijojë probleme të tjera. Në rast se do krijonte ndonjë alibi, do të rrezikonte të zbulohen detaje të tjera. Ndaj ka zgjedhur të heshtë për interesat e tij. Ajo që intereson gjithsesi është të bëhen shumë fjalë, shumë zhurmë, të krijohet një polarizim, dhe të thonë ‘o me ne, o me ata’. Ndaj përpiqen ta politizojnë rastin” –  u shpreh Fatos Lubonja në një lidhje me “News 24”.