Lubonja: Ju tregoj pseudonimin e Kadaresë në diktaturë

Publikuar më 22. 09. 2017 nga Eno Shkëmbi

Shkrimtari dhe disidenti politik Fatos Lubonja ka folur në News 24 në lidhje me raportet e tij me regjimin dhe për shkrim tarin shqiptar Ismail Kadare. – Lubonja tha se Kadare ka qenë shkrimtari i preferuar i Enver Hoxhës. “Ismail Kadare ka qenë shkrimtari i preferuar i Enver Hoxhës. ‘Dimri i madh’ është një libër që i kushtohet pikërisht Hoxhës”, tha Lubonja. Ai ka shtuar se e ka kritikuar Kadarenë në disa aspekte. Lubonja ka përmendur edhe faktin se Kadare mbështetet nga një universitet privat dhe se “lakenjtë” e shkrimtarit e godasin atë dhe babanë e tij. Gjithashtu, Lubonja u shpreh se Ismail Kadare ka sharë të gjithë të burgosurit politik dhe shkrimtarët modernë me posedimin “Gent Arbana”.

Lidhur me hapjen e dosjeve, Lubonja tha se Ismail Kadare e ka dosjen e hapur në të gjithë veprën e tij, që tregon se shkrimtari me famë botërore ka qenë i lidhur me regjimin. Për Lubonjën, lakenjtë e Kadaresë po bëjnë gjithçka të jetë e mundshme që ta paraqesin shkrimtarin sikur është disident, kur në fakt ai ka qenë bashkëpunëtor me regjimin. Në rrëfim e tij, Fatos Lubonja zbuloi një detaj për të shkuarën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Sipas Lubonjës, në regjimin komunist Kadareja ka pasur pseudonimin “Gert Arbana”. “Për fat të keq, sulmet ndaj meje vijnë për shkak të sotmes, jo për shkak të së kaluarës, pra, gjithmonë me politikën që kemi ne, që t’i gjejmë diçka atij që na del kundër, ta trembim etj. Unë mendoj që këtu ka disa sulme që janë koordinuar, por ndalemi te Kadareja. Ajo që di unë është se ka hapur një ‘Qendra Kadare’ dhe në prezantimin që i bënë kësaj qendre, kanë thënë se Kadare ka qenë i rrezikuar nga gjyqi i Todi dhe Fatos Lubonjës.

Unë mendoj, se Kadareja e ka dosjen e hapur për gjithë veprën e tij. Më mirë të studiohet Gert Arbana, i cili ka shkruar mbi treqind faqe. Pse nuk shkon një shqiptar, t’i thotë Kadaresë ‘ore ti, a je Gert Arbana?’”, tha Lubonja.

Tre çështjet që e kanë kthyer Ismail Kadarenë në armik

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar përplasjet dhe sulmet e ndërsjella me shkrimtarin Ismail Kadare. “Unë e kam kritikuar Kadarenë për 3 gjëra kryesore. E para është vepra e tij, që është si propagandë dhe ideologji e Enver Hoxhës. E dyta, ai ka bërë transformimin e historisë së tij. Ne prisnim që të kishim një shkrimtar të drejtë, ndërsa ai manipulon historinë. E treta është se unë e kam kritikuar edhe për modelin e intelektualit që përfaqëson. Ai përdor pushtetin dhe nuk e kundërshton. E kam konsideruar si oborrtar të qeverisë si në atë kohë dhe tani”- tha Lubonja, Kujtojmë se Ismail Kadare e cilësoi Fatos Lubonjës si një shkrimtar të rëndomtë dhe pa peshë.

“Unë nuk e njoh këtë njeri, e kam njohur shumë pak, më shumë kam njohur babain e tij (Todi Lubonjën). Ai thotë se është shkrimtar, unë e besoj, por është një shkrimtar i rëndomtë, nuk po them mediokër, por është i zakontë i rëndomtë. Është absurd, ai vendosi të godasë babanë, por me mua nuk e kuptova se çfarë pati”, u shpreh Ismail Kadare një javë më parë në emisionin ‘Studio e Hapur’. Ai mendon se Kadare përfaqëson ideologjinë komuniste të Enver Hoxhës. “Po, veprat e Kadaresë janë përfaqësim i ideologjisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai ka nxirë osmanët, edhe kur nuk duhej. Osmanët kanë qenë ata për shembull që kur shkuan në Shkodër kanë pajtuar gjaqet, se ekzistonte akoma Kanuni, që domethënë ne nuk kishim ligje dhe nuk kishim shtet. Kadare vetëm nxin osmanët, lindjen dhe thotë se vetëm nga atje na vjen e keqja. Kjo është e gabuar”, tha Lubonja.

Pikat ku vlerësoj Kadarenë

Fatos Lubonja tha se e vlerëson për figurat e tij letrare dhe faktin se Kadare përdorte figurat letrare në një mënyrë më të bukur sesa të tjerët. “Po, Kadare kishte një finesë në atë që shkruante. Ndërsa kishte të tjerë që realitetin e asaj kohe e paraqisnin në një mënyrë të vrazhdë, Kadare kishte një stil më të mirë. Poezitë e tij unë i di përmendësh, si shumica e shqiptarëve. Kur e besoja Partinë e Punës, edhe mua më kanë ngelur në mendje për nga stilistika. Por mendoj se është art i bukur, që thotë një gjë të shëmtuar, një shpëlarje e trurit pra”, vlerësoi ai. Ndërsa nuk ka ngurruar të shtojë se Kadareja pas pluralizmit ishte një person që u bë me të gjithë pushtetin, si me Nanon, Berishën dhe tani me Ramën.