Luan Hysa: Gjyqtarët nuk më kthejnë tokën time

Nga Bleona Metushi

Denoncimi në gazetën “Shekulli” për kalbëzimin e sistemit të drejtësisë. Shitja e tokës në mirëbesim, vendimet e gjykatave, që i konsideron të padrejta dhe akuza për gjyqtarët si të korruptuar. Çështja e tij, pasi u kthye në Elbasan nga Gjykata e Lartë, është pushuar

Prej më shumë se 10 vitesh sorollatet në gjyqe për të marrë një tokë që sipas Luan Hysës, është e tij me letra të rregullta. Ndërsa tregon dokumentet, ai rrëfen për të gjithë kohën që ka shpenzuar dhe vazhdon të shpenzoj për të mbajtur një tokë që sipas tij në bazë të ligjit 7501, për tokat bujqësore është bashkëpronar me 10 persona të tjerë, me certifikatë pronësie. Por çfarë ka ndodhur realisht?! Sipas Luan Hysës, në vitin e largët 1998 ai ka bërë një shitje të tokës bujqësore me deklaratë dore në mirëbesim, që shuma e paguar aty të ishte kapar, ndërkohë që personi i cili e ka blerë më vonë ka pretenduar të mbante tokën me atë çmim.

Gjë e cila nuk ishte pranuar nga Luan Hysa dhe 10 bashkëpronarët e tjerë të pronës, të cilët nuk kanë firmosur asnjëherë atë deklaratë. “Ne kemi bërë një deklaratë dore, të cilën e kemi kundërshtuar edhe më parë se të shkonim në gjyq. Me pak fjalë, i kemi thënë këtij personi që nuk është ky çmimi. “Në ‘98 ne bëmë një deklaratë dore për shitje prone, që të mos shkonim dhe të paguanim tatimet. Bëmë një shitje të tillë dhe ajo shumë ishte thjesht kapar. Më vonë ky person na thotë se donte të merrte tokën me atë shumë. Domethënë 6 mijë metra katrorë, 3 milionë lekë të vjetra.”-thotë Hysa. E ndërsa nga pala tjetër pretendohet se ajo shumë lekësh është dhënë për blerjen e plot të tokës bujqësore. Por Luan Hysa këmbëngul se nuk është kështu.

“Ajo deklarata ishte vetëm për kaparin. Pas disa konfliktesh ai më hodhi në gjyq mua.”-tha ai. Kështu, në vitin 2006, Qemal Sharku, personi i cili pretendon se e ka blerë, padit në Gjykatën e Elbasanit, Luan Hysën dhe bashkëpronarët, në mënyrë që këta të fundit, ti lironin tokën, por këtë “betejë” e fiton pala kundërshtare. Çështja u apelua në Gjykatën e Durrësit, ku u la sërish në fuqi vendimi i shkallës së Parë. Por për këto dy vendime, u bë rekurs në Gjykatën e Lartë nga zoti Sharku, i cili në rekursin e tij shtoi rrethana të reja, duke thënë se për gjatë këtyre viteve toka është punuar dhe mbajtur nga ai, ndërkohë që në atë truall ai ka ndërtuar edhe banesa për djemtë e tij. “Ne kemi pasur konflikte gjatë kësaj kohe, por përfunduam në gjyq në 2006.

Unë kam pasur konflikt me të që në ’98-’99-ën, për faktin që nuk është ai  pronari. Ai na hodhi në gjyq dhe në Elbasan e fituam ne. Pastaj e apeloi në Durrës, edhe aty fituam ne. Pas kësaj, ai bëri një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku thoshte se kishte ndërtuar shtëpi aty dhe dy gjykatat kanë mbajtur anën time.” Por ky fakt hidhet poshtë nga Luan Hysa, i cili thotë se kjo nuk është e vërtetë, ndërsa shton se në Gjykatën e Lartë i kanë kërkuar lekë, në mënyrë  që të lihen në fuqi dy vendimet. “Kontaktova me një avokat që ka edhe studio ligjore.

I tregova në lidhje çështjen dhe si ishte puna, më kërkon dosjen dhe pasi e shikon më thotë: “Do të ti lë të dy vendimet siç i ke në shkallë të parë dhe të dytë?” Unë i thash normal se unë atë interes kisha, më tha: “Në rregull duhet të më japësh 200 mijë lekë”. Por nuk pranuam.”-tha Hysa. Dhe sipas tij, si pasojë se ata nuk e kanë dhënë këtë shumë lekësh, Gjykata e Lartë në 2014 e kthen çështjen për rishqyrtim duke rrëzuar vendimet e gjykatave. Ndërkohë që në arsyetimin e saj për këtë vendim, Gjykata e Lartë shkruan se dy vendimet janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit e si të tilla duhet të prishen dhe çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me tjetër trup gjykues.

Duke e mbështetur këtë në faktin se disa prova të palës së paditur nuk janë marrë në administrim nga gjykatat. E ndërsa çështja pasi është rikthyer për rigjykim është pushuar fare nga shkalla e parë dhe e dytë, kjo pasi pala paditëse nuk paraqitej në seanca. Ndërkohë pas shuarjes së çështjes në vitin 2015, në 2016-ën shtetasi Qemal Sharku ka bërë padi në Gjykatën e Elbasanit për deklarim të pavlefshëm të titullit ekzekutiv si pronarë të dhënë në vitin 2007 nga po kjo Gjykatë, për pronarët së bashku me Luan Hysën. Gjykata e Elbasanit e ka pranuar padinë e tij, duke shpallur të pavlefshëm vendimin e vitit 2007, në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë kujtojmë se çështja nuk ka kaluar në rigjykim, ku do të paraqiteshin dhe shqyrtoheshin sërish provat.

“Problemi është te gjyqtarët këtu në Elbasan”

Luan Hysa thotë se pasi i ka ardhur njoftimi për rekursin ka shkuar në Gjykatën e Lartë. Aty gjeti një avokat që ka edhe studio ligjore, i cili i kërkoi dosjen dhe pasi e shikoi i tha: “Do t’i lë të dy vendimet siç i ke në shkallë të parë dhe të dytë?” Unë i thash normal se unë atë interes kam. Më tha: “Në rregull, duhet të më japësh 200 mijë lekë”. Por unë s’mund të jepja një përgjigje direkt se për këtë tokë jemi 11 pronarë. Shkova në shtëpi dhe e diskutova me familjarët, por ata nuk ishin dakord. Më tha vëllai që nuk mund të paguajmë për një gjë që e kemi tonën.

Sepse ishim të sigurt, pasi tokën me certifikatë e kemi ne. Më merr edhe njëherë në telefon miku nga Tirana dhe më tha se çfarë do të bëja. I thashë që do të marr vetë dhe nuk e mora, domethënë nuk ia dhamë lekët. Tani kur e mendoj, them se bëmë gabim, tani e kishim zgjidhur këtë muhabet. Kam kontaktuar edhe me ministrin e Drejtësisë në atë kohë. I thashë për rastin dhe ai më tha: “Të lutem se ka nga këta gjyqtar sharlatanë në Gjykatën e Lartë, por mos merr guximin të japësh lekë.” Dhe aty çfarë ndodh?

Kthehet për rishqyrtim këtu në Elbasan. Kështu kemi vazhduar ne, jo një herë tërhiqet, një herë pushohet çështja. Dhe si përfundim unë dua të them që i gjithë problemi është te gjyqtarët këtu në Elbasan. Unë dua të verifikohet dosja, sepse këta zotërinjtë, kanë marrë të paktën 30 milionë lekë për pronën, këtë nuk e diskutoj fare. Mua s’kanë si ma marrin tokën, se kam për të hapur prapë padi, kam të gjitha dokumentet, por dua të denoncoj korrupsionin që ndodh shumë hapur.”-tha qytetari nga Elbasani, Luan Hysa.

Të tjera

Abissnet