Lu: Ndjekje penale për gjyqtarët dhe prokurorët që iu shmangën vettingut

Ambasadori amerikan Donald Lu komentoi kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të mos qenë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë

Ambasadori amerikan Donald Lu komentoi dje kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të mos qenë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Duke folur për televizionin “Neës 24”, ambasadori amerikan u shpreh se “vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”. Fundjavën e shkuar zoti Llalla njoftoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë shqiptare.

Ligji parashikon që pas përfundimit të detyrës, Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet gjykatës i Apelit. Këtë njoftim zoti Llalla ia ka nisur për dijeni dhe organeve të ngarkuara me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur edhe me termin Vetting. Ish Prokurori i përgjithshëm është në listën e drejtuesve të Lartë të sistemit të Drejtësisë emrat e të cilëve po i nënshtrohen këtij procesi. Tërheqja për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë duket se mund t’i japë atij mundësinë që verifikimet ndaj të ndërpriten, ndonëse ky rast mund të hapë polemika mbi interpretimin e ligjit, i cili parashikon që “subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji…

Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”. Por ky nen u analizua nga Gjykata Kushtetuese, kur vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndër të tjera dhe shprehjen “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën për shfuqizim, duke e quajtur nenin plotësisht kushtetues, por në interpretimin e saj Gjykata thekson se “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”.

Në një rast të tillë sipas Gjykatës Kushtetuese zbatohen parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës sipas së cilit “subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”. Sipas ambasadorit amerikan “tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu. Gjatë vitit të fundit të tij në detyrë, zoti Llalla pati përplasje të forta publike me ambasadën amerikane. Atij ju refuzua viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ambasadori amerikan e akuzoi hapur se prej kohësh ishte angazhuar kundër Reformës në Drejtësi, ndërsa për largimin e tij nga detyra ambasada amerikane u shpreh se “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.

Zoti Llalla u largua nga detyra dy muaj më parë në përfundim të mandatit, ndërsa zëvendësimi i tij me një drejtues të përkohshëm, zonjën Arta Marku u shoqërua me polemika të forta dhe kundërshtime nga ana e opozitës, sipas së cilës qeveria po vendoste kontrollin mbi Prokurorinë. Këto mesazhe Lu i përsëriti edhe në Twitter. Në mesazhin e parë Lu thotë: “Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, ndërsa në të dytin thuhej: “Vendimi për t’u tërhequr nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vettingu duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”.

Ndërpritet Vettingu për ish-anëtarin e Kushtetueses

Besnik Imeraj, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetueses, nuk do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut. Besnik Imeraj dha dorëheqjen dy javë më parë si dhe i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të ndërpriste procesin e rivlerësimit ndaj tij. Me vendimin e djeshëm, KPK ka vendosur ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupa gjykuese, e përbërë nga Brunilda Bekteshi (kryesuese), Etleda Çiftja (anëtare) dhe Genta Tafa (Bungo) (relatore), pasi mori dijeni për vendimin nr. 2, datë 31.01.2018 të Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 14, datë 06.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ka vendosur ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në respektim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Dorëheqja e Imerajt e ka çuar në 6 numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke rrezikuar në këtë mënyrë kuorumin që i duhet kësaj gjykate për një vendimarrje. Por burime për Report Tv nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se dorëheqia e Imerajt s’do të jetë e vetmja, pasi të tjerë gjykatës pritet të dorëzojë dorëheqjen brenda pak ditësh. Dorëheqja e Besnik Imerajt u shoqërua nga një tjetër dorëheqje, nga ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili dy ditë më parë u tërhoq nga e drejta për të qenë gjyqtar i Gjykatës së Apelit dhe për rrjedhojë i kërkoi KPK ndërprerjen e Vettingut. Kjo lëvizje e Llallës u interpretua si përpjekje për t’i shpëtuar procesit të rivlerësimit. Sot kur kemi një precedent sa i takon dorëheqjeve nga sistemi, për t’i shpëtuar Vettingut, pritet që KPK të shprehet edhe për kërkesën e Adriatik Llallës nëse atij do t’i ndërpritet Vettingu, apo do të çohet deri në fund, edhe pse nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej muajit dhjetor 2017, kur i skadoi mandati si Kryeprokuror.

Dorëheqjet

Përpara Besnik Imerajt, 7 funksionarë të sistemit të drejtësisë dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar vettingut duke u larguar nga detyrat e tyre. Prokurori i dorëhequr është Sulejman Tola, i Prokurorisë së Rrethit Krujë, ndërsa gjyqtarët ishin Ilir Çeliku i Gjykatës së Apelit, Vlorë, Ilir Pashaj i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë. Nga Gjykata e Lartë dhanë dorëheqjen edhe dy këshilltarët ligjorë: Eritan Shehu dhe Adnand Berdica, si dhe ndihmësja ligjore Etleva Sherifi. Sipas Nenit 56 të ligjit të rivlerësimit, gjyqtarët dhe prokurorët mund të jepnin dorëheqjen brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit, afat i cili ka përfunduar. Këta persona të dorëhequr i shpëtonin vettingut, pra hetimit pasuror, profesional dhe të lidhjeve me krimin. Madje, të dorëhequrit mund të përfitonin edhe pension kalimtar, por nuk mund të riktheheshin më në sistemin e drejtësisë pa ju nënshtruar sërisht vettingut.

Të tjera

Abissnet