Lojërat e fatit, marrëzia e fundit e qeverisë Rama

Qeveria thotë se ka identifikuar kompanitë e basteve që pastrojnë para të pista, ndërsa ka mbyllur dje autoritetin që licencon bizneset e kumarit. Pas mbylljes së pikave të basteve, ethet e kumarit spostohen në internet

Kryeministri Edi Rama lajmëroi pardje, dhe përsëriti dje ultimatumin për mbylljen që prej 1 janarit 2019 të kazinove elektronike dhe pikave të basteve sportive në zonat e banuara. Në fakt, një gjë e tillë dihej për kazinotë elektronike, ndërsa është befasi për pikat e lotove, sepse vendimi ishte shtyrë disa herë për mungesë konsensusi brenda ish-koalicionit PS-LSI, siç e konfirmoi kryeministri në deklaratën e ditës së martë. Një nismë e tillë gëzon mbështetje mbarëpopullore, pasi fenomeni i lojërave të fatit, i përhapur masivisht në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ka krijuar dramë sociale në familjet shqiptare dhe ka orientuar shumë të rinj drejt vesit të bastit. Por, të shpallësh të jashtëligjshëm një biznes që ka mbrojtje ligjore, me një deklaratë dhe të paralajmërosh sanksione, është një praktikë abuzive, e cila mund t’i japë të drejtë këtyre bizneseve për të ankimuar e madje për të fituar çështje në gjykatë. Për të mbyllur edhe këtë derë, kryeministri ka publikuar në profilin tij në Facebook faqen e parë të propozimit të projektligjit për ndalimin e këtyre pikave brenda datës 31 dhjetor. Por, “Shekulli” u interesua në Ministrinë e Financave për të marrë draftin e plotë, e për të cilin nuk gjeti përgjigje, çka hedh dyshime se drafti nuk është hartuar ende dhe ndryshimet e tij po bëhen pas deklaratës së Ramës dhe një vendimi, i cili është marrë dje pasdite që ka të bëjë me pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), institucion ky i cili ka tagrin për të mbikëqyrur dhe kontrolluar veprimtarinë e subjekteve që të lojërave të fatit. Por, ky vendim mund krijojë një fazë të re dhe të shpejtë të lulëzimit të subjekteve të reja, ose e thënë ndryshe të pastrimit të parave të krimit. Për këto të fundit, dje ka folur edhe zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda e cila tha se nga një skanim që i është bërë aktiviteteve të basteve sportive,  janë identifikuar dhe vërtetuar subjektet që janë përdorur për pastrim parash. “Historia e njerëzve të inkriminuar që janë pjesë e zinxhirit të lojërave të fatit nuk fillon sot. Struktura që do të ketë në fokus këtë segment të infektuar do të jetë Forca e Ligjit ose Task Forca e Ministrisë së Brendshme. Ajo do merret me pjesën e krimit të organizuar që kanë gjeneruar para të pista”, ka deklaruar Voda.

Nisma

Projektligji i vitit të kaluar, i cili u zgjat në afat parashikonte ngritjen e kazinove elektronike në zona periferike dhe rishpërndarje të pikave të basteve sportive në qytet. Por, deklarata e Ramës zë të papërgatitur mijëra biznese, të cilët kanë ngritur një aktivitet legal brenda kuadrit ligjor në fuqi. Por nëse ka një model që mund të paralelizohet me këtë masë të re, është ai në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilin bastet sportive luhen online. Kjo skemë pritet të funksionojë edhe në vendin tonë pas 31 dhjetorit, teksa disa kompani bastesh prej kohësh po orientojnë njerëzit të luajnë në këtë mënyrë. Këto kompani kërkojnë nga “bixhozxhinjtë” të regjistrohen me të dhënat e tyre, dhe më pas të luajnë nga llogaritë bankare, jo vetëm ndeshje sportive por edhe lojëra elektronike. Dyshimet janë që qeveria po favorizon njerëz pranë saj për të ngritur këto biznese famëkeqe.

Industria shumëmilionëshe

Industria e kumarit qarkulloi në vitin 2017 rreth 130 milionë euro, ku pjesën më të madhe rezultojnë ta kenë kazinotë. Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët luajtën 81 milionë euro në kazino dhe 45.5 milionë euro të tjera në baste sportive. Vendimi i qeverisë pritet t’i reduktojë ndjeshëm të dy këto aktivitete, por veçanërisht bastet, të cilat nga 1 janari do të lejohen vetëm “online”. Në rrafshin ekonomik, kufizimi i kumarit ka dy pasoja kryesore. E para është rënia e të ardhurave në buxhet. Aktualisht, qeveria mbledh rreth 40 milionë euro në vit nga taksat e bixhozit. Pas 1 janarit, kjo shumë me gjasa do të jetë më e vogël, gjithsesi për buxhetin ky është një efekt i papërfillshëm. Pasoja e dytë është punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në Shqipëri ka rreth 4500 pika bastesh, të cilat sipas Kodit të Punës duhet të punësojnë minimalisht nga dy vetë. Pra, në total janë minimalisht 9.000 të punësuar, të cilët nga 1 janari do të dalin të papunë. Por, të dy këto efekte, si rënia e taksave, ashtu dhe punësimi, duken të papërfillshme përballë pasojave të rënda sociale që vijnë nga bixhozi dhe risqeve që ka kjo industri për pastrim parash dhe fuqizim të krimit.

Fundi i marrëzisë

Gjatë viteve të fundit qeveritë janë kritikuar shpesh si të kapura nga industria e basteve dhe e bixhozit dhe që kanë dështuar të rregullojnë këtë treg pavarësisht përpjekjeve të shumta. Një ligj i vitit 2004 synonte licencimin e katër kazinove me kosto të lartë licencimi dhe mbylljen e dyqaneve të bixhozit me mjete elektronike, por mbeti gjerësisht i pazbatuar. Në vitin 2013, policia organizoi një operacion të gjerë kontrolli në mijëra pika bastesh për të kapur aktivitetin pa licencë të një pjese të madhe të pikave të basteve, operacion i njohur si “Fundi i Marrëzisë”. Në vitin 2015, Ministria e Financave propozoi një ligj që synonte rrallimin e pikave të basteve në qytetet shqiptare përmes kriterit të distancës 200 metra larg njëra-tjetrës dhe shkollave e objekteve fetare si dhe kufizimit të numrit të pikave deri në 500 për çdo licencë. Por, propozimet e deputetëve të maxhorancës 24 orë para seancës plenare sollën dobësimin thelbësor të propozimit përmes uljes së taksimit dhe rritjes së pikave të basteve, plus uljes së distancës në 100 metra. Kapja e parlamentit nga industria e bixhozit u bë më e qartë në vitin 2016 kur një grup deputetësh të maxhorancës dhe opozitës propozuan shtyrjen e zbatimit të ligjit deri në vitin 2018.

“Bastet nuk mbyllen, rishpërndahen”

Zef Preçi, ekspert i çështjeve ekonomike, dyshon se vendimi për mbylljen e lojërave të fatit po bëhet për një rindarje të tregut me forcën e pushtetit. “E shoh të dyshimtë mënyrën se si qeveria do ta zgjidhë këtë problem, besoj është në kuadër të fushatës zgjedhore në një kohë që problemet më të mëdha duhen parë lidhur me lidhjen e krimit me politikën dhe lojërave të fatit. Ka probleme të rregullimit, pasi koncesionet e dhëna më parë po bëhet një rindarje e tregut me forcën e pushtetit. Tregu ka nevojë të rregullohet, por është paradoksale sa kohë që qeveria i ul taksën lojërave të fatit, me 6% ndërsa bizneset e tjera me 25%. Ndikimi i bosëve të lojërave të fatit në Parlament është shumë më i fuqishëm sesa shihet nga njerëzit e thjeshtë. E mbështes largimin nga qendrat e banuara dhe rritjen e kontrollit, por e shoh si një rindarje të tregut, pasi po veprohet në një kontekst elektoral dhe interesa të tjera që do dalin kur të diskutohet për mbikëqyrjen”,  thotë Preçi. Ai thekson, se vendimi duhet të ndërmerret duke u bazuar në ligj ndërkohë që efektet e tij do të jenë tek shkurtimi i vendeve të punës. “Efektet, nëse ka mbi 5 mijë pika bastesh janë rreth 20 mijë të punësuar, do të ketë shkurtime të vendeve të punës, duhet një sistemim por duhet të shikohet kuadri fiskal për taksimin, duke e përshtatur sipas standardeve të BE-së. Kjo masë që pritet të ndërmerret më 31 dhjetor, duhet të sqarohet dhe të jetë e mbështetur në ligj, pasi do të ketë pasoja dhe mund ta pësojë buxheti i shtetit” thekson ai. Ekspertët theksojnë, se Shqipëria ka pasur një bum të lojërave të fatit në 5-vitet e fundit, të cilat kanë mbërritur deri tek kambizmi apo edhe përmes përdorimi të Call Center-at, duke thithur kursimet e njerëzve brenda dhe jashtë vendit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet