Lobimet, Rama akuzon Bashën, por “harron” 80 mijë dollarët për foton

Kryeministri komenton pagesat e bëra nga PD-ja te lobistët që thuhet se janë lidhur me rusët dhe garanton Bashën se vazhdon “marrëveshja e 18 majit”. Asnjë përgjigje për pagesën e bërë nga Bilal Shehu që Rama të dilte në foto me ish-Presidentin Obama

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmë se i fundit që dëshiron që Lulzim Bashës t’i hyjë një gjëmbë në këmbë është lidershipi i Partisë Socialiste, që jam unë. I ftuar në ‘Studio e Hapur’, Rama është pyetur në lidhje me akuzat ndaj PD dhe kreut demokrat, Lulzim Basha, për lidhje me rusët dhe financimin e kontratës së lobimit në SHBA. “Së pari duhet të bëjmë një dallim të qartë nga pikëpamja e nuancave. Ajo çka ne kemi thënë dhe që do vazhdojmë ta përsërisim pa pushim, është që duhet të dimë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për një histori që nuk themi se ka dorë Kremlini, por duhet të dimë patjetër nëse ka apo jo dorë Kremlini. Kur themi sallat ruse e kemi për rusët me xhepa të thellë që nuk dihet se përse kanë paguar për një funksion të PD-së dhe që nga pikëpamja e ligjit shqiptar ka shkelje nga fillimi deri në fund, është e pakuptueshme, që një kryetar i një organizate të caktuar kaq të rëndësishme si PD, që mos të japi një përgjigje që lidhet me ligjin. Është e pakuptueshme që kryetari i PD-së të mos japë përgjigje qoftë edhe formalisht në lidhje me financimet. Nuk kam asnjë arsye të mendoj që ne duhet të tërheqim vëmendjen nga një sukses i madh, si kapja e 613 kg kokainë të agjencive ligjzbatuese shqiptare.

Ajo që i kërkohet PD dhe Bashës është të shpjegojë faktet kokëforta në letrat që lexojnë vetë. Si ka mundësi që një parti të financohet nga burimet e huaja, të financohet nga biznesmenë me kombësi ruse apo të tjera, si ka mundësi që një kontratë lobimi, e cila nuk ka asgjë të keqe, të financohet nga burime të paidentifikuara, që vetë i financuari thotë se nuk e di se kush janë. Kjo është një situatë skandaloze. Të ngresh një akuzë duhet të jesh i bindur 100 %, ne do të insistojmë në këtë pikë derisa të jemi 100 % të sigurtë që nuk është e vërtetë. Ky është një krim financiar, ka apo nuk ka Kremlin nga pas. Burimet ruse janë pas kompanisë që Basha thotë që nuk kam dijeni dhe unë dua të di nëse ka apo s’ka financime nga vende që janë jo dashamirëse ndaj Shqipërisë. Përgjigjen duhet ta japin autoritetet shqiptare për të gjitha dyshimet apo akuzat që ngrihen. Ne dëshirojmë që kjo çështje të zbardhet një orë e më parë. Kjo është nga ato çështje që kërkon përgjigje shteruese. Unë vetë s’dua ta besoj që Lulzim Basha të jetë bërë shërbëtor i një skeme destabilizuese ndaj Shqipërisë. Një skemë e tillë ka ndodhur edhe në vende të tjera, fare pak larg nga ne për pak ndodhi hataja”, tha Rama. Kryeministri e cilësoi një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme që të zbardhet, për të cilën Lulzim Basha duhet të shkojë në Prokurori dhe të japë përgjigjet e tij. “Duhet të hetohet që për të financuar PD dhe Lulzim Bashën është derdhur një lumë parash të zeza, ky është fakt. Kjo është një çështje që ka një peshë që realisht mund të ketë një influencë malinje dhe nëse nuk ka një influencë të tillë, një parti politike është e zhytur në para të zezë”, tha Rama. Sipas tij, ky është një lloj prasi që duhet zhbiriluar lëkurë më lëkurë deri në fund.

Fotoja 80 mijë dollarë e Ramës

Kryeministri Edi Rama, është pyetur mbrëmë edhe për personin që financoi fotografinë e tij me ish-Presidentin Barack Obama. Bilal Shehu, pagoi 80 mijë dollarë, vetëm që Edi Rama të hynte ishte në të njëjtën sallë me Presidentin Obama, në mënyrë që të fotografohej me të. Bilal Shehu u dënua për këtë veprim, sepse ligji amerikan ndalon financimet nga persona të huaj për fushatat presidenciale. Rama u shpreh se Bilali nuk e njihte ligjin amerikan dhe prandaj gaboi, por nuk shpjegoi se ku i gjeti 80 mijë dollarë që u përdorën për foton. “Lobim do të thotë të ndikosh për të përcjell një mesazh. Në rastin në fjalë nuk ka krahasim. Rasti është i hetuar, i gjykuar dhe i përfunduar. Zotëria, të cilit i është përfolur emri, ka pranuar fajësinë sepse nuk ka njohur ligjin amerikan dhe e ka shkelur. Pranoi fajin e tij dhe kaq.

Për çështjen në fjalë, nuk ka patur të bëjë me asnjë lloj financimi nga ana ime apo e Partisë Socialiste. Ka emër dhe mbiemër, e ka marrë përsipër shkeljen që ka bërë. Për fat të keq është ndodhur në shkelje të ligjit amerikan”, tha Rama. Ai tha se nuk ka asnjë lidhje apo shenja barazie mes kontratës së lobimit të PD-së me foton mes tij dhe ish-Prtesidentit Barack Obama. Rama tha se në rastin e tij, personi përgjegjës u nis nga një veprim dashamirës, por fatkeqësisht ishte në shkelje të ligjit amerikan dhe për këtë morri dënimin. Ndërsa në rastin e kontratës së PD-së, Rama tha se është një zullum dhe një sallatë ruse që duhet t’i shkohet deri në fund. Rama tha se PS nuk ka paguar asnjëherë para për fotografi. Rama tha se foto e Bashës me Presidentin Trump nuk do t’i jepte asnjë votë. “Në atë derexhe që ishte Basha para se të hynte në zgjedhje, më shumë do t’i jepte vota një foto me mua sesa me Presidentin”, tha Rama.

Të tjera

Abissnet