Lirohet Xhuliana, u arrestua për “përhapje paniku”. Flet babai i 25-vjeçares

Xhentila Gjoshi

Xhuliana Aliaj është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Durrësit, pas arrestimit nga Policia për përhapje paniku. Në kërkesën për caktim masë sigurimi, prokurori është shprehur se akuza që rëndon ndaj 25-vjeçares është ajo e “Përhapjes së panikut”, e cila shpërndau në profilin e saj në Facebook një lajm të gazetës së Vatikanit “Aveniro” dhe bëri një status, në të cilin shprehej se njerëzit pranë depozitave të gazit në Porto Romano duhet të evakuoheshin. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata lirimin e Xhulianës dhe arrestimi i saj të konsiderohej i paligjshëm.

Kërkesa

Prokurori i çështjes Ardit Kullori kërkoi që ndaj 25-vjeçares të vendosej masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa e justifikoi atë në seancë. Prokurori tha se “duhet kuptuar ankthi i Xhulianës dhe se nuk ka patur si qëllim përhapjen e panikut, por e ka bërë statusin në nxitim e sipër”. Po ashtu, ai tha se duhej marrë parasysh arsimi dhe fakti që ishte banore e prekur nga lëkundjet, por shtoi se kishte nevojë të vijonte verifikimin dhe për këtë kërkoi masën e sigurisë. Nga ana tjetër avokati i të resë kërkoi lirimin e saj nga çdo masë sigurie, ndërsa fajësoi policinë për panikun. “Paniku është përhapur pas arrestimit. Kush është lidhja shkak-pasojë? Është kujdesur për komunitetin. Vepër penale do të ishte gjithashtu nëse Xhuljana do ta kishte këtë informacion dhe nuk do të njoftonte”, është shprehur avokati Stefan Topalli.

Familja

Ndërkohë, në seancë ishin të pranishëm familjarët e 25-vjeçares Xhuliana Aliaj, po ashtu edhe pjesëtarë të famullisë së Kishës Katolike në të cilën ajo ishte pjesë, anëtarë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të opozitës. Babai i saj, Fatmir Aliaj është shprehur pas seancës se e konsideronte të rëndë dhe veprim kriminal arrestimin e të bijës nga policia. Ai tha se ajo ishte arrestuar pa asnjë fakt pa asnjë bazë. “Tërmet ka qenë ky për mua”, është shprehur ai. Ndërsa më tej, tregoi se Xhuliana e ka përjetuar shumë keq arrestimin e saj, pasi nuk kishte asnjë qëllim me atë status. Ai u ankua se e bija ishte arrestuar me 5 furgona policie. Ndërsa famulltari i Kishës së Shën Domenikut të Kishës Katolike, Durrës të cilën Xhuliana e frekuenton tha se ajo nuk ka vepruar me dashakeqësi. “Qëllimi që të bëjmë diçka dhe të mos rrimë pasiv”, tha ai.

Në përfundim, gjyqtari Paulin Çera pasi dëgjoi palët, vendosi të konsiderojë të ligjshëm arrestimin dhe nga ana tjetër të lërë të lirë 25-vejçaren e cila ka mbaruar studimet në ekonomi me masë “detyrim paraqitjeje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet