Liqeni i Prespës në rrezik, janë derdhur 1,2 milionë m³ aluvione të dëmshme

Një projekt i vitit 1974, për të transportuar ujërat e lumit Devoll në Prespë, për qëllime ujitjeje solli prurjet e dëmshme që i dhanë liqenit të Prespës pamjen e një kënete. Kjo rrezikon edhe liqenin e Ohrit që merr 70 % të ujërave nga burimet nëntokësore

Bardhyl Berberi

Liqenet e Prespës respektivisht Prespa e Vogël dhe Prespa e Madhe, renditen ndër liqenet kryesore të Gadishullit Ballkanik. Rrjeti hidrografik i këtyre liqeneve grumbullon ujërat e një pellgu ujëmbledhës me sipërfaqe të përgjithshme 1404 km2,  prej të cilave 1082 km2 i përkasin Prespës së Madhe dhe 322 km2 i përkasin Prespës së Vogël. Ky pellg ka një lartësi mesatare të territorit prej 1184 m mbi nivelin e detit që tregon natyrën tipike malore të këtij pellgu. Ky fakt natyror bën që Prespa të quhet Liqeni mes Maleve.

Sipërfaqja e përgjithshme e pasqyrës së ujërave të sistemit liqenor të Prespës është 329 km², prej te cilave Prespës së Madhe i përkasin 285 km², ndërsa Prespës së Vogël 44 km². Meqenëse këta dy liqene e kanë lartësinë mesatare shumë-vjeçare të nivelit të ujit të përafërt me njëri-tjetrin, rreth 850 m mbi nivelin e detit, është arritur në përfundimin se në të vërtetë kemi të bëjmë me një liqen të vetëm me Prespën, por me ndryshim se, gjatë periudhës së largët të vitit (X-V), kur nivelet janë të larta, të dy pjesët komunikojnë me njëra-tjetrën duke formuar një të tere, ndërsa gjatë periudhës së thatë (VI-IX), kur nivelet janë të ulëta, ato shkëputen duke formuar dy Prespat, Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël.

Të dyja Prespat komunikojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet një ngushtice natyrore që ndodhet në pjesën Jug-Lindore të këtij sistemi liqenor. Në këtë ngushtice është ndërtuar një vepër hidroteknike për komandimin e procesit e ujëkëmbimit ndërmjet të dyja Prespave. Liqenet e Prespës shquhen për vlera te veçanta e specifika natyrore. Zonat përreth këtyre liqeneve, në përgjithësi karakterizohen nga peizazhe natyrore me vlera të larta estetike, klima të shëndetshme tipike mesdhetare – kontinentale, hidrografi te komplikuar e mjaft të pasur me ujëra nëntokësore të një natyre tipike karstike, volume ujore liqenore të ftohta dhe me transparencë  të lartë, ngjyre të kaltër në blu, flore dhe faune të shumëllojtë e të pasur dhe të larmishme, etj…

Përsa i përket shtrirjes gjeografike liqeni i Prespës, ashtu si ai i Ohrit gjendet në anën e Egjeut dhe i përket pellgut ujëmbledhës të Detit Adriatik. Ky është një nga liqenet me të mëdhenj të grupit të liqeneve Desartik.

Liqeni i Prespës shtrihet në kufijtë shtetëror të Shqipërisë,  Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. -Sistemi liqenor i Prespës shquhet për një rrjet të veçantë të pasur e të komplikuar hidrik. Liqenet e Prespës nuk kane emisarë sipërfaqësore për shkarkimin e ujërave të tepërta të rrjetit të tyre hidrografik ashtu si ndodh me liqenin e Ohrit që ka si emisar të tijin Lumin Drini i Zi, apo Liqeni i Shkodrës qe ka si emisar lumin Buna etj. Në liqenet e Prespës shkarkojnë ujerat e tyre disa lumenj të plotujshëm si: Golema, Istocna, Kranska, Brajinica etj, ndërkohe shtresa vjetore e ujit që avullohet nga sipërfaqja e këtij sistemi liqenor është pothuajse e barabartë me sasinë e reshjeve vjetore të rëna në këtë sipërfaqe (rreth 700ml). Në këto kushte rruga e shkarkimit të ujërave të tepërta të bilancit ujore të pellgut hidrografik të liqeneve të Prespës me një volum të lartë vjetor prej më shumë se ½ miliardë m³, përbën një nga dukuritë më interesante dhe më të jashtëzakonshme natyrore në hidrografinë e Europës e më gjerë. Element i rëndësishëm e përbërës i rrjetit hidrografike të sistemit liqenor të Prespës është sistemi i fuqishëm i rrjedhjeve nëntokësore. Ky sistem hidrik është i përbëre nga një numër i madh të çarash, hinkash, zgavrash dhe shpellash karstike, që ndodhen si në brigjet ashtu edhe në truallin e sistemit liqenore të Prespës. Nga këto me e rëndesishmja dhe me madhështorja është Pomora e Zaverit, monument natyre, që ndodhet në bregun perëndimor të Liqenit të Prespës së Madhe, në afërsi të fshatit Goricë.

Në dy shpatet e Malit të Thatë që lartësohet deri në kuotën e 2285 m mbi nivelin e detit ndodhen të vendosur dy nga liqenet më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të kontinentit Europian, respektivisht Liqeni i Prespës në shpatet lindore të këtij mali dhe Liqeni i Ohrit në shpatet e tij perëndimore. Ndërkohë që Liqeni i Prespës ndodhet në kuotën 850 m mbi nivelin e detit, Liqeni i Ohrit është në kuotën e 693 m. Si rrjedhoje disniveli prej rreth 157 m midis të dy liqeneve dhe fakti tjetër i rëndësishëm se, struktura gjeologjike e Malit të Thatë e ndërtuar kryesisht nga formacione gëlqerore kanë bërë të mundur që ujërat e tepërta të liqenit të Prespës të kenë arritur gjatë miliona e miliona viteve me radhë si të thuash të çajnë tejpërtej këtë mal nëpërmjet procesit natyror të erozionit fiziko-kimik të tokës. Në këtë mënyrë është bërë e mundur përcaktimi i rrugëve apo traseve nëntokësore karstike të shkarkimit të ujërave të tepërta të liqenit të Prespës për në liqenin e Ohrit. Prespa është një liqen tipik malor me thellësi relativisht të madhe që arrin deri 54 m. Volumi i ujërave të këtij liqeni është 5.2 miliardë m3 ujë dhe vija rreth bregore është 151 km e gjatë. Liqeni i Prespës është me origjinë tektoniko-karstike. Ai është formuar në miocenin e sipërm, ose në pliocen. Brigjet e larta erozive kanë një zgjatje të përgjithshme prej 89 km, ndërsa brigjet e ulëta që shtrihen në trajtën e plazheve ranore kanë përbërje të imtë granulometrike, karakterizohen nga një zgjatje prej 72 km.

Për sa i përket konfiguracionit të truallit të Liqenit të Prespës, ai në përgjithësi është i njëtrajtshëm gjatë shtrirjes së tij gjeografike. Të gjitha izobarët e këtij liqeni, si ai i thellësive 10 m, apo 20 m etj., jo vetëm që ndodhen shumë afër vijës së bregut po në të njëjtën kohe janë të baraslarguar nga ai pothuajse gjate gjithë shtrirjes se tyre gjeografike. Si rrjedhoje trualli i Liqenit të Prespës është i sheshtë, çka flet për origjinën e tij tektonike.

Prurjet

Ujërat e tepërta e të bollshme të Liqenit të Prespës në një prurje të lartë prej rreth 12-16 m3/sek,  nëpërmjet rrjedhjes nëntokësore shkarkojnë kryesisht në Liqenin e Ohrit. Ky shkarkim intensiv i ujërave liqenore realizohet nëpërmjet një sistemi të gjerë e të fuqishëm burimesh nëntokësore, siç janë: burimet e njohura e të plot ujshme të Shën Naumit, të Tushemishtit, të Volorekes etj, që shpërthejnë si në brigjet ashtu edhe në truallin e zonës JL të Liqenit të Ohrit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një lumë të plotujshëm nëntokësor, i cili i ka burimet e tij në liqenet e Prespës, ndërsa derdhjen apo deltën e tij në Liqenin e Ohrit.

Ujërat e tepërta të Liqenit të Prespës pas derdhjes në Liqenin e Ohrit zhvendosen në drejtimin verior së bashku me ujërat e tepërta të bilancit ujor të këtij liqeni, me një prurje mesatare të lartë 22-32 m3/sek, dalin përfundimisht nga sistemi liqenor: “Prespa e Vogël – Prespa e Madhe – Liqeni i Ohrit”, duke rrjedhur përmes shtratit të sistemuar të Lumit Drini i Zi në Strugë. Në këto kushte, përsa i përket aspekteve hidrografike sistemi liqenor Prespa e Vogël – Prespa e Madhe konsiderohet me të drejtë si burimi natyror i Lumit Drini i Zi.  Për sa i përket burimeve të ujërave të Drinit të Zi nga Liqeni i Prespës dhe derdhja e tyre në Shën Naum, poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci ka thënë:  “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri, Drini Plak e i përrallshëm po buron prej Shën Naumit.”

 Prurjet vjetore dhe ndikimi i njeriut

Ujërat e tepërta të Liqenit të Prespës me volum vjetor prej mbi ½ miliardë m³ ujë, pasi derdhen në Liqenin e Ohrit për pasojë të temperaturave të tyre të ulëta dhe mineralizimit të tipit oligomineral, kanë rol të rëndësishëm e përcaktues në regjimin e përgjithshëm limniologjik të këtij liqeni. Me këtë volum të pastër të ujërave natyrorë lidhet ngushtë si transparenca e lartë e ujerave të Liqenit të Ohrit, ku disku i bardhë Seki, si një aparaturë ekspedicionale optike vazhdon të duket edhe kur i kalon thellësitë 25 – 30 m nga sipërfaqja e liqenit, ashtu edhe vetë ngjyra e veçantë dhe e rrallë e kaltër në blu e ujërave të këtij liqeni. Sistemi liqenor i Prespës për vetë shtrirjen e tij gjeografike përfaqëson shkallën e parë të rëndësishme të Kaskadës energjitike të lumit Drin. Nëpërmjet kësaj shkalle rrjedhja e rregulluar në rrugë natyrore e lumit Drini i Zi shërben respektivisht për dy hidrocentralet të ndërtuara në shtratin e këtij lumi në Maqedoni: Globoshticë dhe Spile, si dhe në katër hidrocentrale në Shqipëri: Fierzë, Koman, Vaui i Dejës dhe Ashtë. Ndërkohë sistemi liqenor i Prespës për shkak të vlerave të larta të biodiversitetit dhe të peizazhit gjeografik shërben për zhvillim e turizmit ekologjike etj. Veprimtaria e pakontrolluar antropogjene në bashkëveprim edhe me ndryshimet klimatike gjatë dekadave të fundit kanë patur ndikim të ndjeshëm në reduktimin e potencialit ujor të sistemit hidrografik të liqeneve të Prespës. Ky reduktim ka shprehur efektin e vet negativ në cenimin e ekuilibrit ekologjik të këtij sistemi, në regjimin limnologjik të liqenit të Ohrit dhe në mënyrë të veçantë në potencialin hidroenergjetik të kaskadës së Drinit. Në këto kushte është e domosdoshme që në të ardhmen e afërt të planifikohen studime komplekse për shqyrtimin dhe kapërcimin e këtyre shqetësimeve. Por çuditërisht , Liqeni i Prespës së Vogël, ka një dëmtim të jashtëzakonshëm nga impakti antropogjen. Është e vërtetë veprimtaria e pakontrolluar njerëzore ka dëmtuar vlertat ekologjike të këtij sistemi. Në vitin 1974 ka qenë një projekt nga qeveria komuniste për të transportuar ujërat e lumit Devoll në Prespë që me këto ujëra të vaditej fusha e Korçës. Nga ky veprim i gabuar në fundin e pjesës shqiptare të Liqenit të Prespës së Vogël kanë depërtuar 1,2 milionë m³ aluvione tepër të dëmshme duke i dhënë liqenit të Prespës pamjen e një kënete duke e atrofizuar krejt. Kjo rrezikon edhe liqenin e Ohrit pasi 70 % të ujërave ky liqen i merr nga Prespa nëpërmjet burimeve nëntokësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet