Lindja e një fëmije të shëndetshëm fillon përpara shtatzënisë

Nga Elton Peci, obstetër-gjinekolog

Kujdesi shëndetësor prekoncepsional, si mbikqyren faktorët bio-mjekësorë, të sjelljes dhe riskut social që mund të prekin shëndetin e gruas. Informacioni që merret për trajtim përpara shtatzënisë, që të mund të përmirësojë shëndetin e gruas dhe të ndihmojë në uljen e rreziqeve për fëmijën e saj në të ardhmen

Kujdesi shëndetësor prekoncepsional është kujdesi që një grua në moshën e duhur për të lindur fëmijë merr përpara shtatzënisë. Ky lloj kujdesi mbikëqyr faktorët bio-mjekësorë, të sjelljes dhe riskut social që mund të prekin shëndetin e gruas. Synimi është të ofrohet informacion dhe trajtim përpara shtatzënisë, që të mund të përmirësojë shëndetin e gruas dhe të ndihmojë në uljen e rreziqeve për fëmijën e saj në të ardhmen.

Të gjitha gratë në moshë për të lindur mund të ndërmarrin hapa përpara se të mbeten shtatzëna, për të rritur shanset e tyre për të pasur një fëmijë të shëndetshëm e me lindje normale. Gjithnjë e më shumë fëmijë po lindin para kohe (përpara plotësimit të 37 javëve të shtatzënisë), çka rrit rrezikun për probleme shëndetësore serioze. Duke përfituar kujdes shëndetësor prekoncepsional, gruaja mund të mësojë hapat që duhet të ndërmarrë përpara shtatzënisë për të mbrojtur shëndetin e saj dhe për t’i dhënë foshnjës mundësitë më të mira për të qenë e shëndetshme.

Përse është i rëndësishëm kontrolli prekoncepsional?

Kontrolli prekoncepsional mund të ndihmojë që të sigurojë se gruaja është e shëndetshme përpara koncepsionit. Mjeku obstetër-gjinekolog mund të identifikojë dhe, shpesh, të kurojë simptomat shëndetësore që paraqesin rrezik për shtatzëninë, si tensioni i lartë i gjakut, diabetin apo disa infeksione të caktuara. Mjeku mund t’i japë asaj informacion mbi çështje të tilla si ushqyerja, pesha, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe ekspozimet profesionale që mund të përbëjnë rrezik për shtatzëninë.

Mjeku mund të sigurohet, gjithashtu, që gruaja të ketë bërë vaksinat në kohën e duhur dhe që çdo mjekim të jetë i sigurt gjatë shtatzënisë. Mjeku mund ta pyesë gruan rreth historikut të saj shëndetësor, si edhe rreth historikut të familjes së saj dhe të partnerit. Nëse gruaja apo partneri kanë një historik anomalish në lindje ose lindjeje të parakohshme ose, nëse secili prej tyre ka rrezik të lartë për çrregullime gjenetike, në bazë të historikut familjar, origjinës etnike ose moshës, atëherë mund të këshillohet konsulta gjenetike.

Çfarë bën specialisti i gjenetikës?

Specialisti i gjenetikës diskuton rreziqet për sëmundje gjenetike te fëmijët e ardhshëm të një çifti. Ai mund të rekomandojë kryerjen e analizave specifike të gjakut (të quajtura analizat e mbartësit), që mund të identifikojnë mbartësit e shumë sëmundjeve gjenetike. Kontrolli dhe këshillimi gjenetik përpara shtatzanisë mund ta sigurojë çiftin se fëmijët e tyre nuk janë në rrezik të lartë për t’u prekur nga një sëmundje e caktuar e trashëguar.

Këshillimi gjenetik i lejon, gjithashtu, mbartësit të kuptojë rreziqet dhe të diskutojë alternativat. Gratë që mund të përfitojnë nga këshillimi gjenetik përfshijnë: Gratë mbi moshën 35 vjeçe, gratë që kanë çrregullime gjenetike të caktuara, si fenilketonuria, talasemia etj) dhe gratë që kanë një fëmijë me defekt të tubit nervor (NTD-defekt të lindur të trurit dhe shtyllës kurrizore) ose me ndonjë anomali tjetër kromozomiale (sindroma Doën) apo gjenetike.

Përse gratë në moshën e lindjes duhet të marrin acid folik?

Acidi folik është një vitaminë B që mund të ndihmojë për parandalimin e defekteve të lindjes, sidomos NTD-të (Neural tube defect – Defektet e tubit neural). Studimet tregojnë se, nëse të gjitha gratë do të konsumonin sasinë e rekomanduar të acidit folik përpara dhe gjatë muajve të parë të shtatzënisë, deri në 70 % e të gjitha NTD-ve mund të parandalohej.

Studimet tregojnë, gjithashtu, se acidi folik mund të ndihmojë në parandalimin e disa defekteve të tjera të lindjes, përfshi labio-palatosckizis (buzë lepuri) dhe disa defekte të lindjes që përfshijnë zemrën. Një studim i fundit tregon se gratë që marrin acid folik për të paktën 1 vit përpara se të mbeten shtatzëna mund të ulin rrezikun për të lindur një fëmijë prematur. Për të parandaluar NTD-të, rekomandohen që të gjitha gratë që duan të mbeten shtatzëna të marrin një multivitaminë që përmban 400 mikrogramë acid folik çdo ditë përpara shtatzënisë, duke e shoqëruar me ushqim të shëndetshëm.

Një grua mund të marrë acid folik edhe duke u ushqyer çdo ditë me një vakt me drithëra të pasuruara me acid folik, që përmban 100 % të vlerës ditore të acidit folik (400 mikrogramë). Zgjedhja e ushqimit të shëndetshëm përfshin ushqime të pasuruara me acid folik dhe ushqime që përmbajnë folat, forma natyrore e acidit folik që gjendet në ushqim. Shumë produkte me bazë drithërash, si mielli, orizi, makaronat, buka dhe drithërat janë të pasuruara me acid folik. Ushqimet e pasura në folat përfshijnë perimet me gjethe jeshile, bishtajat e thata, bishtajat e njoma dhe portokallet.

Një grua që ka pasur një shtatzëni të prekur nga NTD-ja duhet të marrë doza më të mëdha të acidit folik. Marrja e dozave më të mëdha ditore të acidit folik (4 000 mikrogramë ose 4 miligramë), duke filluar të paktën 1 muaj përpara shtatzënisë dhe gjatë tremujorit të parë, ul me rreth 70 % rrezikun për të pasur një tjetër shtatzëni të prekur nga NTD. Gratë me diabet ose epilepsi dhe gratë obeze kanë rrezik më të madh që të lindin fëmijë me NTD. Gratë që kanë këto simptoma duhet të konsultohen me mjekun përpara shtatzënisë, për të marrë një dozë më të madhe të acidit folik.

Çfarë vaksinash duhet të bëjë një grua përpara shtatzënisë?

Gjatë vizitës prekoncepsionale, mjeku obstetër-gjinekolog mund të bëjë një analizë gjaku për të parë nëse gruaja ka imunitet ndaj infeksioneve të ndryshme (ubeolës, toksoplazmës, CMV, hepatitet, AIDS). Këto sëmundje mund të shkaktojnë defekte në lindje dhe ndërlikime të tjera, nëse gruaja preket nga ato gjatë shtatzënisë.

Nëse një grua nuk ka imunitet ndaj rubeolës, ajo duhet të vaksinohet përpara shtatzënisë. Ajo duhet të presë një muaj pas vaksinimit për të vazhduar përpjekjet për të mbetur shtatzënë. Gratë që kanë rrezik të lartë të preken nga Hepatiti B (si punonjëset e shëndetësisë) dhe që nuk janë vaksinuar kundër tij duhet të marrin në konsideratë të bëjnë vaksinën kundër Hepatitit B përpara ose gjatë shtatzënisë. Kjo sëmundje mund t’i kalohet fëmijës gjatë lindjes. Mjeku obstetër-gjinekolog mund të rekomandojë vaksina të tjera, si ajo kundër gripit.

Cilat sëmundje të nënës duhet të kurohen përpara shtatzënisë?

Diabeti: Gratë të cilat kanë diabet jo të mirëkontrolluar që ka filluar përpara shtatzënisë janë të rrezikuara 3 herë më shumë sesa gratë pa diabet për të pasur një fëmijë me anomali të rendë në lindje. Gjithashtu ato janë më shumë të rrezikuara për të abortuar dhe për të lindur foshnje të vdekur dhe për të lindur një bebe mbi peshë. Kontrolli i sheqerit në gjak përpara shtatzënisë dhe gjatë muajve të parë mund të parandalojë defektet e lindjes.

Tensioni i lartë i gjakut: Tensioni i lartë kronik i gjakut mund të rrisë  rreziqet për ndërlikime të shtatzënisë, përfshi problemet e placentës, zhvillim të vogël të fetusit në peshë dhe pre-eklampsi (çrregullim i shtatzënisë i karakterizuar nga tensioni i lartë i gjakut dhe proteinë në urinë).

Lupusi eritematoz sistemik (SLE): Ky çrregullim autoimunitar mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me artritin, sëmundje të veshkave, irritime të lëkurës dhe probleme të tjera. Gratë shtatzëna që preken nga kjo sëmundje kanë rrezik të lartë për të pësuar abort, zhvillim të vogël të fetusit në peshë, lindje të parakohshme dhe lindje të një foshnje të vdekur. Sidoqoftë, nëse simptomat kontrollohen mirë përpara shtatzënisë, rreziku i këtyre ndërlikimeve ulet.

Krizat epileptike: Disa mjekime që kontrollojnë krizat epileptike mund të rrisin rrezikun e anomalive fetale. Gjatë vizitës prekoncepsionale, mjeku mund të rregullojë dozën që merret nga gruaja apo t’i japë asaj një mjekim që është më i sigurt për fetusin. Një grua nuk duhet të ndërpresë marrjen e mjekimeve për krizat epileptike, pa u konsultuar me mjekun e saj, duke qenë se vetë këto kriza mund të dëmtojnë fetusin.

Phenil-Keton-uria – PKU: Gratë me këtë simptomë të trashëguar nuk mund të përpunojnë disa proteina. Ato duhet të kenë një plan të posaçëm ushqimor dhe të monitorohen me kujdes përpara dhe gjatë shtatzënisë, për të parandaluar kufizimin e aftësive intelektuale dhe anomalitë te fëmija e tyre.

Sëmundja e veshkave: Disa gra me sëmundje të rëndë veshkash mund të pësojnë dëmtime të mëtejshme në veshka gjatë shtatzënisë dhe fëmijët e tyre mund të kenë rrezik më të lartë për të vdekur, për të lindur në mënyrë të parakohshme ose për të pasur zhvillim të vogël të fetusit në peshë.

Sa kohë duhet të presë një grua midis shtatzënive?

Për shumë gra është më mirë të presin të paktën 18 muaj për të mbetur sërish shtatzëna. Kjo i jep trupit të gruas kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur fizikisht për një shtatzëni tjetër. Gjithashtu, kjo i jep kohë asaj për t’iu përshtatur jetës si nënë. Intervalet më të shkurtra kohore midis shtatzënive mund të rrisin rrezikun e lindjes së parakohshme. Sidoqoftë, jo të gjitha gratë mund të presin 18 muaj, për shkak të moshës së tyre apo për motive të tjera.

Si mund të ndihmojë kujdesi prekoncepsional për parandalimin e problemeve të ndodhura gjatë shtatzënive të kaluara?

Edhe nëse gruaja nuk ka pasur probleme në një shtatzëni të kaluar, kujdesi prekoncepsional  mund të ndihmojë në parandalimin e defekteve të lindjes apo ndërlikimeve të shtatzënisë në të ardhmen. Për shembull, marrja e acidit folik mund të ndihmojë në parandalimin e NTD-ve dhe kurimi i gjendjeve të caktuara shëndetësore, si tensioni i lartë i gjakut, mund të ndihmojë në parandalimin e lindjes së parakohshme. Kujdesi prekoncepsional është i rëndësishëm për gratë që kanë pasur aborte, lindje të fëmijës së vdekur apo lindje të parakohshme.

Mjeku obstetër-gjinekolog mund të shohë të dhënat mjekësore të gruas dhe mund të rekomandojë kryerjen e ekzaminimeve që ndihmojnë për përcaktimin e shkakut të një rezultati të padëshiruar. Ekzaminimet mund të përfshijnë analizat e gjakut dhe analizat imazherike, si ekografia. Nëse analizat tregojnë se një problem shëndetësor i gruas mund të ketë kontribuar në këtë rezultat të padëshiruar, trajtimi midis shtatzënive mund të reduktojë, shpesh, rrezikun që ky problem të përsëritet në një shtatzëni tjetër.

Nëse gruaja ka kryer lindje të parakohshme, mjeku obstetër-gjinekolog mund të rekomandojë ndryshim të mënyrës së jetesës, si lënia e duhanit dhe të diskutojë mundësinë e trajtimit me hormonin e progresteronit gjatë shtatzënisë së ardhshme për të ndihmuar në uljen e rrezikut të një lindjeje tjetër të parakohshme.

 

Ato që duhen bërë për të qëndruar e shëndetshme përpara shtatzënisë

Gruaja duhet:

Të shmangë alkoolin. Konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë defekte fizike dhe mendore në lindje, që njihen si sindroma alkoolike fetale (FAS). Duke qenë se asnjë sasi alkooli nuk ka rezultuar e sigurt në shtatzëni, gratë shtatzëna dhe gratë që mendojnë të mbeten shtatzëna duhet ta shmangin tërësisht atë.

Të lërë duhanin. Duhanpirja gjatë shtatzënisë thuajse e dyfishon rrezikun e lindjes së fëmijës nën peshë. Ajo rrit, gjithashtu, rrezikun për lindje të parakohshme, për ndërlikime të tjera të shtatzënisë dhe për sindromën e vdekjes së papritur të foshnjës  (SIDS). Duhanpirja mund ta bëjë, gjithashtu, më të vështirë arritjen e shtatzanisë.

Të qëndrojë larg nga kokaina dhe nga drogat e tjera të paligjshme dhe barnat me recetë që nuk janë përshkruar për të. Këto droga përbëjnë shumë rreziqe për shumë komplikacione, përfshirë këtu lindjen e parakohshme, lindjen nën peshë, anomalitë, problemet e të mësuarit ose të sjelljes dhe simptomat e mbylljes në vetvete.

Të gatuajë mire të gjitha llojet e mishit dhe të mos ndërrojë enët e jashtëqitjeve të maces. Mishi i pagatuar mirë dhe feçet e maces mund të përmbajnë një parazit, që shkakton infeksionin e njohur si toksoplasmoza, e cila mund të shkaktojë anomali fetale. Një tjetër mënyrë për të shmangur feçet e maces është mbajtja e dorezave kur punoni në oborr apo në kopsht.

Të shmangë kontaktin me të gjithë brejtësit, përfshi minjtë e bardhë, minjtë e tjerë dhe kaviet. Këto kafshë mund të mbartin viruse që mund të dëmtojë fëmijën tuaj (10).

Të mos qëndrojë në vaskë me ujë të ngrohtë dhe në sauna. Ato mund të rrisin temperaturën e trupit dhe, me gjasë, mund të rrisin rrezikun për NTD-të.

Të mbajë mjedisin e saj të sigurtë gjatë shtatzënisë dhe të shmangë substancat e rrezikshme kimike, si tretësit (substancat që tresin substancat e tjera, si holluesi i bojës). Puna me tretësit mund të rrisë rrezikun e abortit te gruaja apo lindjen e një fëmije me defekt lindjeje .

Të mos konsumojë peshk me nivel të lartë mërkuri. Mërkuri  është një metal që mund të dëmtojë  fëmijën e palindur; shpesh, ai gjendet te peshku. Gratë shtatzana dhe gratë që mendojnë të nisin një shtatzëni nuk duhet të hanë peshk me përmbajtje të lartë mërkuri, si peshkaqeni, peshku shpatë, peshku skumbri dhe peshqit e ujërave të thella. Këto gra mund të konsumojnë në javë deri në 12 onsë peshk me përmbajtje të ulët mërkuri, përfshi karkalecat e detit, salmonin, peshkun mustak dhe ton konservë. Ato nuk duhet të hanë më shumë se 6 onsë peshk ton të bardhë në javë.

Përse duhet që gruaja të përpiqet të arrijë një peshë të shëndetshme përpara shtatzënisë?

Gratë që fillojnë shtatzaninë mbi peshë apo obeze mund të kenë rrezik të lartë për t’u prekur nga tensioni i lartë të gjakut dhe diabeti, për të lindur foshnje me anomali, për të pasur ndërlikime gjatë lindjes dhe për të lindur një foshnjë të vdekur. Në të njëjtën kohë, është më e vështirë për to që të mbeten shtatzëna. Gratë që janë nën peshën e duhur mund të rrezikohen më shumë nga lindja e parakohshme apo lindja e një fëmije me peshë të vogël. Gruaja mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të këtyre ndërlikimeve duke arritur një peshë të shëndetshme përpara shtatzënisë.

 

Të tjera

Abissnet